28 Mars, 2026

“Hitler” kundër “Zelinskit”: zgjedhjet që po çmendin internetin

 “Hitler” kundër “Zelinskit”: zgjedhjet që po çmendin internetin

Një qytet i vogël në Francë është bërë viral në internet për shkak të një koincidence të pazakontë në zgjedhjet lokale: kryetari aktual, që kandidon për një mandat të ri, mban mbiemrin Hitler, ndërsa një nga kundërshtarët e tij quhet Zielinski.

Sipas një raportimi të BBC, Charles Hitler, kryetar i bashkisë së Arcis-sur-Aube, ka shprehur shqetësimin për mënyrën se si vëmendja publike është përqendruar tek emrat dhe jo tek politika.

“Është komplet çmenduri”, tha ai, duke shtuar se gjatë jetës së tij janë bërë shpesh shaka për mbiemrin e tij, por situata tani ka dalë jashtë kontrollit.

Në rrjetet sociale franceze qarkullojnë postime humoristike që e krahasojnë situatën me një “përballje” mes Adolf Hitler dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, çka ka shkaktuar edhe shqetësim personal për familjen e tij.

“Kam parë postime që thonë se ‘37% e banorëve janë hitlerianë’. Gruaja ime po qan”, u shpreh ai.

Hitler thekson se do të preferonte që vëmendja të përqendrohej tek çështjet lokale dhe programet politike, dhe jo tek emrat e kandidatëve.

Historia e mbiemrit të tij lidhet me familjen nga Alsace. Babai i tij ishte dërguar në Gjermani gjatë Luftës së Dytë Botërore për punë të detyruar dhe, pas kthimit, nuk e ndryshoi mbiemrin për shkak të kostove dhe procedurave të komplikuara administrative.

Ndërkohë, kundërshtari i tij, Antoine Renaud-Zielinski, një zyrtar doganor me origjinë polake, thotë se edhe ai përballet me pyetje të vazhdueshme për mbiemrin e tij dhe lidhjen e mundshme me presidentin ukrainas, gjë që ai e mohon.

“Do të ishte më mirë që njerëzit të flisnin për qytetin për arsye të tjera, por të paktën tani jemi në hartë”, tha ai.

Në raundin e parë të zgjedhjeve, Charles Hitler ka dalë në krye me një diferencë të vogël ndaj kundërshtarëve të tij, ndërsa gara pritet të vendoset në raundin e dytë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *