28 Mars, 2026

Korça, qyteti që po vdes

 Korça, qyteti që po vdes

Nga Xhensil Shkëmbi

Kur shoh shkrime për turizmin në Korçë, për mirëqenien, për investimet dhe dal te pij kafen e mëngjesit, me zymtësinë e kohës sot dhe pak hapa njerëzish që të gjithë njihen me njëri-tjetrin, përshëndeten me buzëqeshjen e shtirur të karakterizuar si koha sot, thashë të shkruaj dy rreshta jo me chatgpt, siç bëjnë shumica, që e profesionin po duan të na i marrin, por atë po shoh sot.

Miq, Korça në vitin 2011 si qytet kishte 51.152 banorë në bazë të Census ndërsa bashkë me njësitë administrative numëronte 73.900 banorë.

Në 2023, kur u bënë regjistrimet (në gjykimin tim u frynë numrat) rezultojnë të jetojnë në këtë qytet vetëm 41 mijë banorë ndërsa bashkë me njësitë administrative rreth 60.000 banorë.

Pra, për afro 10 vite qyteti ka rreth 10.000 banorë më pak ndërsa bashkë me njësitë administrative ka rreth 14.000 banorë. Me këtë trend, për 40 vite, i bie që ky qytet të vdesë. Gjë të cilën nuk e besoj. Por teksa kam vendosur të ndërtoj të ardhmen në këtë qytet të bukur e të paqtë, sot u tremba.

U tremba për veten time, për problemin në mikro sesa në makro. Kjo është e vërteta. Sepse kur sot ulem në dy tre kafe që të gjithë i njoh kush janë, çfarë punë bëjnë, sa fëmijë kanë madje e sa e kanë nivelin e diabetit, mendoni pas 10-20 vitesh.

Telefonoj ish dekanen time për ta pyetur për shifrat e universitetit të Korçës. Në 2011 me përafërsi ka patur rreth 7000 studentë të regjistruar ndërsa sot jo më shumë se 2500 të tillë.

Pra, pas 10 vitesh, i bie që universiteti i Korçës, në bazë të kurbës, mos ekzistojë.

Madje akoma më e frikshme fakti që edhe numri i turistëve është në rënie, kjo jo vetëm për faj të këtyre pronarëve të hoteleve që të bëjnë sikur të flesh në Korçë të të duket sikur fle në Singapor. Psh, në Romë vitin e kaluar fjeta në një hotel me 60 euro përballë Coloseut ndërsa përballë katedrales se Korçës dhoma kushton 150 euro. E të jesh nga Tirana, me 15-20 euro merr avionin e ikën në Venecia dhe nuk ngelesh 2 orë në trafikun e Elbasanit që të vish të hash lakrorin dhe në fund të dy ditëve të kesh harxhuar 400-500 euro.

Nejse, për të qenë i sinqertë, në drekë kam planifikuar të marr prindërit e t’u jap drekë në Strugë. Që të iki të mbushem me naftë, se andej kushton 125 lekë sot ndërsa këtu 200 lekë të reja. Futemi e supermarket, i marrim disa ushqime me çmim më të lirë e më mirë. Mos mendoni se u gënjej. Pyesni korçarët që e kanë bërë Kosturin si të jetë lagje e Korçës.

Kështu o kështu. Ditë e zymtë sot…

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *