Një pyetje për tellallët mediatikë: Kush ishte personi në fjalë, Balluku apo Rama?
Nga Blendi Kajsiu
Ka një përpjekje nga qeveria Rama dhe satelitët e tij mediatiak për ta paraqitur rrëzimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut si një akt parimor. Kuvendi është një institucion i pavarur dhe autonom, na thonë ata, që nuk mund të reduktohet tek vula e SPAK-ut.
Është argëtuese të dëgjosh Ramën dhe zëdhënësit e tij teksa mbrojnë autonominë dhe pavarësinë e parlamentit tonë të reduktuar në vulë personale të kryeministrit. Personalisht mendoj se do ishte arritje e madhe nëse Parlamenti do transformohej nga vulë e Ramës në vulë të SPAK-ut. Në fund të fundit do shndërrohej nga një vulë personale në një vulë institucionale.
E megjithatë, përtej ironisë, ekziston një debat parimor mbi rolin që duhet të luajë Parlamenti përballë kërkesave të drejtësisë për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij. Ata që argumentojnë se këto kërkesa nuk mund të miratohen automatikisht në fakt kanë të drejtë. Përndryshe nuk ka përse Kushtetuta ti japë të drejtën Parlamentit për të votuar kërkesën e drejtësisë për heqjen e imunitetit të antarëve të tij.
Ndaj pyetja shtrohet se në çfarë kushtesh Parlamenti mund ti refuzojë kërkesat e sistemit të drejtësisë për heqjen e imunitetit të antarëve të tij? Dhe a u përmbush ndonjë nga këto kushte në rastin Balluku?
Natyrisht që nuk ekziston asnjë manual universal që përcakton qartësisht në çdo rast konkret nëse heqja e imunitetit të një parlamentari duhet miratuar apo jo. Çdo rast ka specifkat e tij, në raport me Kushtetutën dhe kontekstin e çdo vendi. Ndaj duhet të vëmë në punë llogjikën tonë dhe jo pseudo-arësyetimet e tipit “Në gjithë botën…”.
Ajo që duhet të identifikojmë janë parimet që duhet të ndjekë një parlament demokratik përballë kërkesave të drejtësisë për heqjen e imunitetit të një anëtari të tij. Dhe këto parime mund të ndahen në dy kategori, juridike dhe politike.
Ndonëse ka një debat nga ana juridike nëse Parlamenti duhet ta shqyrtojë kërkesën e organeve të drejtësisë në përmbajtje apo në formë, mendoj se parimi korrekt është shqyrtimi vetëm në formë. Përndryshe Parlamenti merr atributet e sistemit të drejtësisë edhe pse në konflikt interesi me të.
Parlamenti nuk duhet të marrë rolin e gjykatësit për të vlerësuar masën e arrestit, cilësinë e hetimit apo të provave të paraqitura, apo proporcionalitetin mes masës dhe akuzës. Këto janë çështje që i takojnë gjykatës sepse Parlamenti është palë dhe jo një i tretë i pavarur kur preket një nga anëtarët e tij.
Kjo do të thotë që Parlamenti duhet të verifikojë thjesht anën formale të kërkesës. Duhet të sigurohet se ka një akuzë të ngritur dhe të regjistruar ndaj deputetit, se ekziston një proces hetimor, se ka një arësyetim rreth kërkesës për heqjen e imunitetit (pavarësisht nëse i bind apo jo deputetët apo shefin e tyre).
E thënë ndryshe, nga ana juridike Parlamenti thjesht duhet të sigurohet se kërkesa për heqjen e imunitetit nuk është bërë në mënyrë arbitrare, pa një akuzë konkrete të regjistruar, pa një proces hetimor paraprak, pa një arësyetim minimal, por bazuar thjesht në një denoncim, bie fjala. Në parim, kaq duhet të ishte roli i parlamentit nga ana juridike në mënyrë që mos të uzurponte tagrin e sistemit të drejtësisë.
Përndryshe grupi parlamentar kthehet njëkohësisht në avokat dhe gjykatës të antarëve të tij. SPAK nuk mundet, dhe nuk duhet, të bindi juridikisht as Edi Ramën dhe as Flamur Nokën se duhen arrestuar Balluku apo Berisha. Për këtë çështje prokurorët e SPAK duhet të bindin gjykatat përkatëse dhe jo kolegët apo besnikët e të akuzuarve në parlament.
Ndaj standarti juridik duhet të jetë sa më i limituar, në mënyrë që as Rama, as Berisha dhe as Noka të mos vlerësojnë masat e sistemit të drejtësisë, por thjesht përmbushjen e procedurave përkatëse.
Standarti politik, nga ana tjetër, është shumë më i gjerë. Parlamenti mund ta rrëzojë kërkesën për imunitet politikisht bazuar në parime që mbrojnë integritetin institucional të Parlamentit dhe funksionin e tij demokratik. Pra parlamenti mund ta rrëzojë kërkesën për heqjen e imunitetit kur mund të argumentojë se pas saj qëndron një grusht ndaj demokracisë, apo lirisë politike të një deputeti apo grupimi politik.
Duhet argumentuar se organet e drejtësisë po përdoren politikisht dhe ideologjikisht për të deformuar vullnetin popullor dhe demokracinë duke goditur kundërshtarë politik dhe ideologjik. Raste të tilla ka plot si në botë edhe në historinë e Shqipërisë, siç ishte rasti i Fatos Nanos. Rasti më flagrant së fundmi në rajon ishte procesi gjyqësor ndaj Ekrem Imamoglu, kryebashkiakut të Stambollit në Turqi, nga një drejtësi e instrumentalizuar prej Erdoganit për të hequr qafe kundërshtarët e tij politik.
Raste të ngjashme po përdoren nga media pranë qeverisë Rama për të treguar se parlamenti nuk i aprovon automatikisht kërkesat e drejtësisë për heqjen e imunitetit të antarëve të tij. Kështu Parlamenti Evropian ka refuzuar dy herë kërkesat nga drejtësia hungareze për heqjen e imunitetit të antarëve të tij, si në rastin e eurodeputetes italiane dhe aktivistes majtiste Ilaria Salis edhe në rastin e opozitarit hungarez, eurodeputetit Peter Magyar.
Ama në të dyja rastet kishim të bënim me raste qartësisht politike, ku drejtësia hungareze e kontrolluar pothuajse tërësisht nga Viktor Orban po përdorej nga ky i fundit për të penalizuar kundërshtar ideologjik dhe politik. Mjafton të themi që Peter Magyar ishte dhe mbetet një nga kritikët kryesor dhe më të fuqishëm politikisht të regjimit të Viktor Orban në Hungari.
Edhe në këto raste vendimi ishte shumë i debatuar dhe madje për disa edhe i gabuar jurididikisht. Ama në të dyja rastet kishte një argumentim të qartë parimor se drejtësia po përdorej për të penalizuar kundërshtarët politik. Nga këtu rridhte edhe argumenti juridik se një drejtësi e tillë nuk do ishte e paanëshme me këta deputetë dhe nuk do respektonte të drejtat e tyre kushtetuese.
Asnjë nga parimet e mësipërme nuk u aplikua në rastin e Ballukut. Politikisht nuk u dha asnjë argument se përse heqja e imunitetit të Ballukut përbënte një grusht për demokracinë, parlamentarizmin, shumicën parlamentare socialiste apo për politikën shqiptare në përgjithësi.
Askush nuk argumentoi se drejtësia po përdorej politikisht nga kundërshtarët e shumicës socialiste, se SPAK po instrumentalizohej për hakmarrje politike, se zonja Balluku po penalizohej për idetë dhe rolin e saj politik apo se heqja e imunitetit të saj po deformonte përfaqësimin politik apo vullnetin popullor.
Arësyeja ishte e thjeshtë. Asnjë nga këto argumente nuk pinte ujë, sepse nuk kishte asnjë prapavijë politike pas kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit. Ajo ishte thjesht në vijim të një hetimi mjaft të gjerë të një prej skandaleve më të mëdhenj që kanë tronditur themelet e qeverisjes aktuale, që ka nxjerrë në pah korruptimin tërësor të procesit të tenderimit në Shqipërinë kryeministrore.
Në pamundësi për të dhënë një argument politik parimor kryeministri Rama dhe grupi i tij personal parlamentar e rrëzoi kërkesën e SPAK duke u futur në rolin e gjykatësit që vlerëson llojin, proporcionalitetin dhe përmbajtjen e masës në vend që thjeshtë të konfirmonte ekzistencën e akuzës dhe hetimin e gjatë dhe të thellë të kryer ndaj deputetes në fjalë.
Të kuptohemi, Parlamenti është në të drejtën dhe detyrën e tij të shqetësohet në lidhje me teprimet që mund të vijnë nga drejtësia, me paraburgime të zgjatura apo arrestime të tepërta. Ama korrigjimin e këtyre dukurive Parlamenti e bën me politika universale, duke bërë ndryshime parimore të kodit penal apo të strategjisë anti-korrupsion, jo me avokati për persona, arrestime apo paraburgime konkrete.
Kjo është një qasje tërësisht jo parimore, sepse krijon një precendent të rrezikshëm. Tashmë akuzat dhe masa e sigurisë që duhet të kërkojë SPAK në rastin e deputetëve socialist vendosen nga kryeministri dhe grupi i tij parlamentar dhe jo nga sistemi i drejtësisë, edhe kur ky i fundit është në punën e tij dhe jo duke u përdorur politikisht.
Ndaj pavarësisht përpjekjeve të dëshpëruara të Ramës dhe satelitëve të tij për ta shitur rastin Balluku si një betejë parimore, është e qartë edhe për vetë deputetët socialist se përballë SPAK ata nuk mbrojtën asnjë parim politik apo juridik por thjesht një person.
Ajo që ende nuk dimë me siguri është se kush ishte personi në fjalë, Balluku apo Rama.