28 Mars, 2026

Marrëzi në kohë lufte: Edi Rama dhe Shqipëria, të vetëm kundër Europës

 Marrëzi në kohë lufte: Edi Rama dhe Shqipëria, të vetëm kundër Europës

Nga Fitim Zekthi

Ne kemi një prej klasave politike më të pamoralshme dhe më të paafta në botë. Sidoqoftë që të jetë, çfarëdo që të ndodhë një klasë politike, një qeveri, një opozitë, përpiqet të rrijë brenda kufijve të interesit kombëtar; edhe kur është e keqe dhe e korruptuar dhe nuk ka fuqi ta mbrojë, ajo gjithsesi rri formalisht brenda kufijve të tij. Kjo e jona bën veprime të ulëta dhe me zell të madh, veprime që nuk kanë asnjë lidhje me interesin kombëtar.

Edhe rasti i dëmtimit të regjimit të Iranit, i dëmtimit apo shpalljes së organizatës terroriste të Gardës Revolucionare të Iranit, është brenda kësaj sjelljeje. Regjimi i Iranit ka kryer krime të vazhdueshme ndaj popullit të tij, ndaj popullit sirian, ndaj popullit në Jemen dhe vende të tjera, dhe kjo është diçka e njohur botërisht, dhe të jesh kundër këtij regjimi është e drejtë.

Por të dalësh në mes të luftës dhe të bësh budallallëqe duke nxjerrë deklarata, duke miratuar rezoluta kundër Iranit, duke përkrahur sulmin e SHBA-së dhe Izraelit, duke thënë që shpallim terrorist këtë dhe atë, është krejtësisht pa sens dhe nuk ka lidhje fare me interesin kombëtar të Shqipërisë.

Ne jemi një vend i vogël, me probleme me sigurinë në Kosovë dhe ndoshta edhe në Maqedoni; ne jemi një vend me zhvillim të keq të demokracisë dhe ekonomisë; një vend me rend dhe arkitekturë sigurie shumë të dobët; një vend ku efikasiteti i shtetit është pothuajse zero dhe ai «shtet», dmth policia apo segmente të tjera, më shumë kontrollohen nga krimi.

Nisur nga kjo pozitë, ne nuk duhet të përfshihemi fare në budallallëqe të tilla. Ne nuk kemi fuqi për gjëra të tilla. Nuk zgjidhim dhe nuk prishim asgjë në gjëra të tilla; ne mund të prishim vetëm tonat. Gjithë Europa, pak a shumë më e fortë se ne, nuk bën gjëra të tilla.

Britania e Madhe, një fuqi botërore, fuqi bërthamore, një vend që ka baza në Lindjen e Mesme, nuk përfshihet. Dhoma e Komuneve apo partia në opozitë nuk bëjnë marrëzira të tilla.

Franca, një fuqi bërthamore, një vend me baza ushtarake në Lindjen e Mesme, një vend me interesa shumë të thella në Lindjen e Mesme, nuk përfshihet dhe nuk bën rezoluta apo deklarata të tilla. Nuk përmendim Spanjën, Italinë, Norvegjinë apo Belgjikën.

Duke qendruar në punën tonë, në një kohë kaq të turbullt, aq më tepër kur jemi kaq të vegjël dhe kaq të pafuqishëm, kur nuk kemi asnjë interes që lidhet me interesin kombëtar në Iran, apo në sulmin SHBA–Izrael në Iran, kur gjithë Europa dhe gjithë bota deri në Japoni apo Australi nuk përfshihen, ne mbrojmë interesin kombëtar.

Interesi kombëtar ka katër elementë që duhet mbrojtur dhe qeveritë bëjnë veprime për ta mbrojtur atë. Këto janë: paprekshmëria fizike, pavarësia, zhvillimi ekonomik dhe rendi i brendshëm.

Tani, si e mbrojnë këta politikanë tanë interesin kombëtar duke bërë rezultate apo deklarata të tilla, përveçse e dëmtojnë atë? Dhe si e ka prishur interesin e saj kombëtar Anglia, Franca, Italia, Turqia, Greqia, Holanda, Suedia, që nuk përfshihen?

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *