28 Mars, 2026

Kur një gjeneral respekton parimet dhe jo karrigen

 Kur një gjeneral respekton parimet dhe jo karrigen

Nga Auron Tare

Në dhjetor të vitit 2018, presidenti Donald Trump njoftoi një tërheqje të menjëhershme të trupave amerikane nga Syria. Vendimi i tij u mor pa marrë parasysh mendimin e sekretarit të tij të Mbrojtjes.

Sekretari i Mbrojtjes ishte gjenerali James Mattis, i cili shkoi menjëherë në Zyrën Ovale. Ai argumentoi se tërheqja nga Siria ishte një gabim i rëndë taktik për Amerikën, por presidenti i zgjedhur nuk mori parasysh këshillat e sekretarit të tij. Gjenerali e humbi debatin.

Të nesërmen në mëngjes, ai dha dorëheqjen.

Në dorëheqjen e tij nuk kishte justifikime. Ai nuk e fshehu të vërtetën me gjuhë të kujdesshme. Në letër shkruante se “presidenti meriton një sekretar të Mbrojtjes, pikëpamjet e të cilit përputhen me të tijat”, dhe se ai, James Mattis, nuk mund të ishte më ai person.

Dorëheqja e tij bëri bujë në korridoret e politikës së Washingtonit. Senatorë nga të dyja partitë e quajtën atë dorëheqjen më parimore që kishin parë në një brez të tërë.

Gjenerali, i cili ishte përplasur edhe me një president tjetër, Barack Obama, u largua nga detyra pa bujë, pa konferenca shtypi, pa ankesa dhe pa asnjë intervistë negative kundër presidentit që e kishte zgjedhur në atë detyrë.

Gjenerali Mattis, i mbiquajtur “Gjenerali Murg” ose “Qeni i Tërbuar”, ishte një nga ushtarakët më interesantë të gjysmës së shekullit të fundit. Ai shpesh është krahasuar me gjeneralin e famshëm të Luftës së Dytë Botërore, George S. Patton, jo vetëm për karakterin e tij të fortë, por edhe për studimet e thelluara mbi betejat antike.

Një ushtarak karriere, që jetën ia kushtoi ushtrisë, ai ishte i njohur për disiplinën e rreptë ndaj trupave të tij, por edhe për kujdesin dhe respektin ndaj ushtarëve që kishte nën komandë.

I famshëm për bibliotekën e tij të madhe, ai mbante gjithmonë me vete librin “Meditatimet” të perandorit romak Marcus Aurelius.

Gjenerali Mattis, i cili udhëhoqi trupat e tij në dy nga operacionet më të rëndësishme të marinsave amerikanë në Irak dhe Afganistan, nuk krijoi familje, por iu përkushtua ushtrisë.

Dedikimi i tij ndaj trupave që komandonte dhe moralit ushtarak e bëri atë të qëndronte përballë dy presidentëve për të mbrojtur qëndrimet e tij, nderin e ushtrisë dhe parimet që besonte.

Në të dyja rastet, ai zgjodhi parimet dhe jo karrigen.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *