Gjenerali i besuar i shpjegon Trumpit pse rihapja e Hormuzit është shumë e vështirë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërkuar shpjegime nga drejtuesit e Ushtrisë amerikane se përse nuk është e mundur rihapja e menjëhershme e trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë.
Sipas raportimit të The New York Times, gjatë një takimi në Zyrën Ovale, Trump i drejtoi pyetjen kryetarit të Shefave të Përbashkët të Shtabit, gjeneralit Dan Caine, një prej personave më të besuar të tij brenda Ushtrisë, duke kërkuar të dinte pse SHBA-të nuk mund ta hapnin menjëherë këtë rrugë detare për qarkullimin e anijeve tregtare.
Gjenerali Caine shpjegoi se kontrolli i kësaj ngushtice është jashtëzakonisht i ndërlikuar, pasi Irani mund të pengojë trafikun detar duke përdorur taktika asimetrike dhe forca të vogla shumë të lëvizshme, në vend të një flote të madhe detare.
Sipas tij, edhe një luftëtar i vetëm i armatosur në një skaf të vogël mund të përbëjë kërcënim serioz për super-cisternat e mëdha të naftës, që lëvizin ngadalë në këtë korridor të ngushtë detar.
Kjo situatë e bën jashtëzakonisht të vështirë garantimin e sigurisë së plotë të kalimit në Hormuz, pavarësisht epërsisë ushtarake të SHBA-ve në rajon.
Ngushtica e Hormuzit cilësohet një arterie jetike për tregtinë globale të energjisë, pasi përmes saj kalon një pjesë e konsiderueshme e eksporteve botërore të naftës. Për këtë arsye, çdo bllokim apo rrezik për trafikun në këtë zonë ka ndikim të menjëhershëm në tregjet ndërkombëtare të energjisë.