Donald Trump përballet me dy zgjedhje të vështira
Ndërsa lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit hyn në javën e tretë, presidenti amerikan Donald Trump përballet me një dilemë strategjike: të vazhdojë ofensivën për të arritur objektivat maksimalë ushtarakë ose të tërhiqet duke shpallur një fitore të pjesshme.
Të dy opsionet mbartin pasoja të rënda ushtarake, politike dhe ekonomike.
Konflikti, i nisur nga SHBA-të në bashkëpunim me Izraelin, konsiderohet tashmë lufta më e madhe në Lindjen e Mesme në afro një çerek shekulli. Në dy javët e para, operacionet ushtarake kanë dobësuar ndjeshëm kapacitetet konvencionale të Iranit, duke shkatërruar një pjesë të madhe të arsenalit të raketave, mbrojtjes ajrore dhe flotës detare.
Megjithatë, regjimi iranian mbetet në pushtet edhe pas vrasjes së liderit suprem Ali Khamenei.
Sipas raportimeve, struktura e pushtetit tani drejtohet nga djali i tij i plagosur, Mojtaba Khamenei, i cili ka paralajmëruar se Irani do të vazhdojë të përdorë taktikat asimetrike – nga sulmet kibernetike te minat detare dhe raketat ndaj objektivave rajonale.
Kostot e luftës dhe përshkallëzimi rajonal
Deri tani, konflikti ka shkaktuar pasoja të rënda. Të paktën 13 ushtarë amerikanë janë vrarë, ndërsa numri i përgjithshëm i viktimave ka kaluar 2 mijë e 100 persona, shumica në Iran. Sipas përfaqësuesit iranian në OKB, mbi 1 mijë e 300 civilë kanë humbur jetën.
SHBA-të kanë dërguar 2 mijë e 500 marinsa shtesë në Lindjen e Mesme, duke e çuar praninë ushtarake amerikane në rreth 50 mijë trupa. Ndërkohë, një nga objektivat kryesorë të sulmeve të fundit ka qenë ishulli Kharg, porti përmes të cilit kalon pjesa më e madhe e eksporteve të naftës së Iranit.
Në të njëjtën kohë, Irani ka arritur të godasë ekonominë globale përmes presionit mbi Ngushticën e Hormuzit, një rrugë detare nga ku kalon një pjesë e madhe e tregtisë botërore të naftës. Trafiku në këtë ngushticë është reduktuar ndjeshëm, ndërsa çmimi i naftës është afruar me 100 dollarë për fuçi.
Presioni ekonomik dhe politik mbi Shtëpinë e Bardhë
Sulmet iraniane ndaj anijeve dhe infrastrukturës energjetike në rajon kanë rritur tensionet globale. Disa tankerë janë sulmuar në Gjirin Persik dhe kompanitë e transportit po refuzojnë të kalojnë përmes Hormuzit.
Për këtë arsye, Trump u ka kërkuar publikisht vendeve si Kina, Franca, Japonia, Koreja e Jugut dhe Britania të dërgojnë forca detare për të garantuar sigurinë e rrugës detare.
Ndërkohë, lufta po krijon edhe tensione politike brenda SHBA-ve. Një pjesë e bazës politike të Trump është skeptike ndaj përfshirjes në konflikte të gjata jashtë vendit, pasi presidenti kishte premtuar se do të shmangte “luftërat e pafundme”.
Tensione edhe me Izraelin
Edhe pse SHBA-të dhe Izraeli vazhdojnë operacionet e përbashkëta, raportet mes dy aleatëve kanë shfaqur tensione.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka ndërmarrë disa sulme energjetike në Iran, përfshirë depot e mëdha të naftës pranë Teheranit, pavarësisht paralajmërimeve të Washingtonit se këto goditje mund të nxisnin një përshkallëzim të ri rajonal.
Pas këtyre sulmeve, Irani intensifikoi sulmet me dronë ndaj objekteve energjetike në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Dy vendimet më të mëdha që mund të zgjasin luftën
Në javët e ardhshme, Trump pritet të përballet me dy vendime strategjike të mëdha.
E para është mundësia e një operacioni për të marrë kontrollin e ishullit Kharg, çka do t’i jepte SHBA-ve kontroll mbi shumicën e eksporteve të naftës së Iranit dhe një ndikim të madh ekonomik mbi Teheranin.
Vendimi i dytë, edhe më i rrezikshëm, është një operacion tokësor për të kapur rezervat e uraniumit të pasuruar që ndodhen në tunele të thella në Isfahan. Sipas vlerësimeve ndërkombëtare, Irani zotëron rreth 970 paundë uranium të pasuruar në 60%, shumë pranë nivelit të nevojshëm për armë bërthamore.
Një operacion i tillë do të kërkonte ndërhyrje të forcave speciale amerikane në një objekt shumë të fortifikuar, me rrezik të lartë ushtarak dhe radiologjik.
Një luftë që mund të zgjasë
Vetë Trump ka deklaruar se konflikti mund të zgjasë katër deri në gjashtë javë, por zyrtarët amerikanë pranojnë se zhvillimet e fundit sugjerojnë se lufta mund të jetë shumë më e gjatë.
“Ende nuk kemi marrë vendim për operacionin ndaj rezervave bërthamore”, tha Trump së fundmi, duke lënë të kuptohet se konflikti mund të ketë ende shumë faza përpara.
Në sfondin e kësaj lufte, Lindja e Mesme përballet me një realitet të ri strategjik, ku përplasja mes teknologjisë ushtarake perëndimore dhe ideologjisë së regjimit iranian mund të përcaktojë balancën e fuqisë në rajon për dekada.