Lutja e fundit e Fan Nolit
Mes dorëshkrimeve të këtyre ditëve, mbi komodinën pranë shtratit të tij, u gjet edhe një tekst i shkruar me dorën e vet, një lutje. Ishte një lutje që mbartte brenda saj gjithë solemnitetin e përfytyrimit biblik të gjykimit të fundit:
“Kur ju, o mbret i gjithë qiejve, do të vini në tokë, me fuqi e lavdi, e tërë bota do të dridhet nga frika, lumenj zjarri do të rrjedhin përpara gjykatores së tmerrshme, librat atëherë do të hapen dhe mëkatet e fshehura do të zbulohen.
Oh, shpëtomë nga zjarri i përjetshëm dhe i pashuar dhe vendosmë në të Djathtën tënde në Parajsë, o gjykatës i drejtë dhe i mëshirshëm!”
Ç’ishte kjo lutje në ditët e fundit të jetës së tij? Ishte vallë një thirrje për t’i lehtësuar vuajtjet e trupit që po shuhej, apo një kërkesë për falje përpara misterit të madh të gjykimit?
Apo ndoshta ishte vetëm një mënyrë tjetër e Nolit për të folur me përjetësinë, siç kishte bërë gjithmonë, me gjuhën e liturgjisë, të poezisë dhe të mendimit.
Edhe në këtë çast të fundit, ai dukej sikur kërkonte jo vetëm mëshirë, por edhe atë privilegj të përhershëm që e kishte ndjekur gjatë gjithë jetës, privilegjin për të dialoguar me të shenjtën, me hyjnoren, me amshimin.
Përgatiti: Albert Vataj