Memaliaj, qyteti i të papunëve
Memaliaj, që dikur njihej si qyteti i minatorëve, sot pa frikë mund të quhet qyteti i të papunëve.
25% e familjeve të mbetura në këtë zonë jugore jetojnë me ndihmë ekonomike.
Ndërkohë që vitin e fundit janë shtuar kërkesat për marrjen e ndihmës sociale, e cila nuk e kalon vlerën e 5 mijë lekëve të rinj.
Ashtu si banorët, edhe pushteti vendor ndihet i pafuqishëm për të ndryshuar gjendjen në qytetin e vogël jugor.
Prej vitesh, bashkia e Memaliajt nuk ka marrë asnjë investim për infrastrukturën rrugore, për qendrën e qytetit, ujësjellësin apo qendrën shëndetësore.
Të gjitha janë të amortizuara dhe larg vëmendjes për të ndryshuar diçka.
Banorët e mbetur ndihen pesimiste dhe të zhgënjyer, aq sa nuk ngurojnë të thonë se koha e artë për ta ishte periudha kur punonte miniera.
Dikur në Mamaliaj jetonin 12 mijë banorë. Qyteti u krijua për të mbështetur me fuqi punëtore minierën e qymyrit e cila furnizonte të gjithë vendin.
Sot në këtë qytet popullsia është përgjysmuar. E nëse vite me parë gjithçka ishte ndryshe nga miniera, sot memaljotët i janë kthyer bujqësisë si formë mbijetese.