Zbulohet numri i dronëve kamikazë që ka marrë Shqipëria
Shqipëria ka përfituar 50 dronë kamikazë YIHA-III nga Turqia, sipas të dhënave të publikuara në SIPRI Arms Transfers Database, një nga bazat më të rëndësishme globale për monitorimin e transferimeve të armëve.
Sipas regjistrimit në këtë databazë, dronët janë klasifikuar si “loitering munition” (municion lundrues), një kategori armësh që mund të qëndrojnë në ajër për një periudhë të gjatë përpara se të godasin objektivin.
Të dhënat tregojnë se marrëveshja është regjistruar në vitin 2024, ndërsa dorëzimi i sistemit është bërë vitin e kaluar.
Droni YIHA-III, i zhvilluar nga industria turke e mbrojtjes, është projektuar për sulme precize kundër sistemeve të mbrojtjes ajrore, radarëve dhe objektivave strategjikë.
Platforma mund të qëndrojë në ajër për disa orë dhe më pas të kryejë goditjen me shënjestrim të drejtuar.
Sistemi është gjithashtu i optimizuar për taktikat “swarm”, ku disa dronë mund të koordinojnë sulme të njëkohshme ndaj objektivave të armikut.
Autoritetet shqiptare e zbuluan për herë të parë publikisht praninë e këtyre dronëve gjatë një vizite në Bazën Ajrore të Kuçovës, ku u prezantuan investimet e reja në kapacitetet ajrore të Forcave të Armatosura.
Marrja e këtyre sistemeve u njoftua nga kryeministri Edi Rama, i cili tha se dronët kamikazë ishin një dhuratë nga Turqia, në kuadër të bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve.
Ish-ministri i Jashtëm Igli Hasani theksoi asokohe se rritja e kapaciteteve ushtarake të Shqipërisë nuk synon të kërcënojë fqinjët, por të forcojë sigurinë dhe kontributin e vendit në strukturat e NATO-s.
Ndërkohë, databaza e SIPRI tregon edhe një tjetër projekt të modernizimit të Forcave të Armatosura shqiptare.
Sipas të dhënave të publikuara, Shqipëria pritet të pajiset me 20 automjete të blinduara të tipit LMV-2, të prodhuara nga kompania italiane Iveco Defence Vehicles.
Automjetet janë regjistruar në databazë me vit porosie 2025, ndërsa dorëzimi i tyre nuk rezulton ende i përfunduar.
LMV-2 është një automjet i lehtë shumëfunksional i blinduar, i projektuar për misione transporti ushtarak, patrullimi dhe operacione taktike.
Platforma konsiderohet një përmirësim i rëndësishëm në krahasim me flotën aktuale të mjeteve që përdor ushtria shqiptare.
Këto zhvillime janë pjesë e procesit të modernizimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe përputhjes së tyre me standardet e NATO-s dhe partnerëve evropianë.