28 Mars, 2026

Pse pushteti ka frikë nga pyetjet?

 Pse pushteti ka frikë nga pyetjet?

Nga Gjergji Nika

Kur një politikan ngre dorën për t’i thënë qytetarëve “mbyllni gojën”, ai nuk bën thjesht një gjest arrogant. Ai bën një deklaratë të qartë për mënyrën se si e kupton pushtetin: si një privilegj personal, jo si një përgjegjësi ndaj publikut, si autoritet personal dhe jo institucional, si aftësi për të kontrolluar diskursin publik: çfarë flitet, si flitet dhe kush e përcakton agjendën. Si  dominim mbi interpretimin e realitetit dhe si personalizim të shtetit dhe mbijetesë politike.

Demokracia nuk funksionon me gjeste që kërkojnë të imponojnë heshtje. Demokracia funksionon me llogaridhënie. Dhe kur një politikan zgjedh të detyrojë qytetarët të heshtin ndërkohë që vazhdon të mbrojë njerëz dhe struktura të dyshuara për korrupsion, ai nuk mbron institucionet, por mbron një sistem që jeton nga mungesa e transparencës.

Pyetja që lind është: pse duhet të heshtin qytetarët?

Çfarë ka për t’u fshehur?

Në vend që të bëjë gjeste për të mbyllur gojën e publikut, një politikan i përgjegjshëm do të bënte të kundërtën: do të hapte dosjet, do të pranonte hetimet dhe do të kërkonte transparencë totale. Në analizë të fundit vetëm transparenca e mbron politikën nga korrupsioni.

Kur pushteti fillon të ketë frikë nga pyetjet, problemi nuk është tek qytetarët që flasin, por tek ata që nuk duan të japin përgjigje; që kanë frikë të japin përgjigje e të pranojnë pasojat.

Historia politike në mbarë botën dhe gjatë gjithë historisë ka treguar një gjë: çdo pushtet që kërkon heshtje nga populli, në fakt ka frikë nga e vërteta, e cila vjen një ditë dhe hakmerret.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *