28 Mars, 2026

Hanxhiu i opozitës dhe a mundet me votë Edi Rama

 Hanxhiu i opozitës dhe a mundet me votë Edi Rama

Nga Ermal Mulosmani

Opozita e Shqipërisë pas 13 vitesh në istikamin e pritësit ka dalë në një konkluzion të tmerrshëm: “Edi Rama nuk mundet me votë”!

Kjo është pyetja retorike që shfryn çdo kritikë. Sapo një eksponent i Partisë Demokratike ndjehet i zënë në kurth, të drejton pyetjen shpëtim: Të të bëj një pyetje ty: “A mundet Edi Rama me votë”?

Ndjehet një lloj çlirimi kur e thonë këtë gjë, një shfajësim.

Njëkohësisht një fatalitet, mbërritje në pikën e vdekjes. Le të supozojmë që përgjigja është: “Jo, nuk mundet”.

Atëherë si do ia bëjë Opozita? Do e mundë me revolucion, atentat apo do ia rrëzojë Amerika? Çfarë fatalizmi është ky?

Pastaj mërziten kur njerëz të saj e braktisin. Nuk është faji i tyre, është mungesa e shpresës që të çon në dëshpërim.

Po a ka zgjidhje në të vërtetë?

Unë jam ndër ata që besoj se Edi Rama mundet me votë.

Por që të mundet me votë duhet të shkohet te votuesi, ditën dhe natën, në çdo cep të Shqipërisë. Të flasin me njerëzit, tu premtojnë gjëra konkrete, të bëhen njësh me ta. Kjo është faza e parë.

E dyta është të japin alternativë. Si do veprojnë ata në temat më të mëdha të diskursit politik? Përveç kritikave për korrupsionin qeveritar nuk kam parë asnjëherë një qëndrim alternativ të PD-së ndaj problemeve konkrete që diskutohen.

E treta dhe kryesorja në të cilën dua të fokusohem këtu: “Cila do jetë strategjia e bashkimit të Opozitës në një front?!

E kam ndjekur me vëmendje nismën e Ermal Hasimes për të gjetur një gjuhë të përbashkët mes faktorëve opozitarë. Përtej dëshirës së mirë, nisma ka një elefant ë dhomë që përpiqet ta anashkalojë.

Ai është zoti Berisha.

Ai është lokomotiva e opozitës, ngarkesa më e madhe e trenit Opozitar me vota. Ai është Hanxhiu i Opozitës, i vetmi njeri që mund të formojë në  një front opozitar.  Nga ana tjetër ai është edhe njeriu që pengon forcat e tjera politike të bëjnë bashkimin. Druhen se pushteti do ta ketë shumë kollaj të ndërtojë një diskurs kundër Berisës lider.

Pa e zgjidhur nyjën gordiane nuk mund të shkohet më tej.

Agron Shehaj duket se do të sendërtojë një forcë politike ku i mjaftojnë 2,3, 5 apo 10 deputetë që gradualisht, pas 20 viteve mund të bëhen 20 a 30. Përmes qëndresës ndaj korrupsionit, kritikës së Qeverisjes dhe shmangies së aleancave. Fatkeqësisht për të, numri i njerëzve që nuk mbështesin as Berishën e as Ramën por Agronin, do jetë gjithmonë e më i vogël. Sepse asnjë votues nuk do të jetë idealist pa rrogë, ai  do të marrë pushtet. Kështu që , shanset më të mëdha për Agronin janë të rrijë një zë opozitar që grin ujë në havan.

Gjetja e një tharmi që e negocion bashkimin e të gjithë opozitarëve është fillimi i ngjizjes së shpresës për Opozitën.

Partitë e vogla duhet të japin të parat shembullin e bashkëpunimit para se të shkojnë te Berisha. Konflikti Lapaj-Shehaj është një dëm shumë i madh që u bëhet secilit më vete dhe të dyve bashkë. Agron Shehaj mundet të kërkojë njerëz idealë për bashkëpunim por nuk ka për t’i gjetur dot. Kanëi kë që nga Revolucioni francez. Njerëzit mund të kenë pasur edhe qëndrime të diskutueshme në periudha të caktuara të kohës. Robespieri i pushkatonte por Agroni mund edhe t’i falë. Një aleancë Shehaj-Lapaj do të ishte fillimi i një koalicioni edhe më të gjerë.

Pastaj vihet te zoti Berisha. Meqë zgjedhjet lokale janë përpara, formula për të zgjedhur Kryetarin e ardhshëm të Partisë Demokratike është e kollajtë: Kandidatët kryesorë të Partisë shpërndahen në 4 a më shumë zona elektorale.

Ai që e ngren nivelin elektoral më lart është Kryetari i Partisë.

Le të konkurojnë edhe Shehaj me Lapajn. Ky është test meritor jo votimi në anëtarësi. Berisha le të tërhiqet pasi t’i bëjë këtë shërbim të fundit Partisë së tij dhe popullit opozitar.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *