Drejtori gjirokastrit arratiset në Greqi, pas aksidentit fatal të punonjësit të tij
Një punonjës 55-vjeçar i Ndërmarrjes së Shërbimeve në Komunitet në Gjirokastër ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë, pasi ishte plagosur rëndë në një aksident në vendin e punës.
Viktima me inicialet D.K. u rrëzua nga kati i dytë i një godine private në lagjen “Zinxhira” më 3 mars, gjatë kryerjes së punimeve për pastrimin e objektit, i cili ishte sekuestruar nga banka.
Si pasojë e rënies ai pësoi dëmtime të rënda dhe u transportua me helikopter drejt Tiranës, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Në lidhje me ngjarjen, Policia e Shtetit arrestoi tre persona të akuzuar për veprën penale “shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për dy përgjegjësit teknikë, shtetasit P.C. dhe A.B., ndërsa për brigadierin A.L. është vendosur masa “arrest në shtëpi”.
Ndërkohë, drejtuesi i institucionit, Adriatik Onjea, akuzohet për veprën penale “shpërdorim detyre”.
Sipas burimeve, ai është larguar drejt Greqisë menjëherë pas ngjarjes dhe është shpallur në kërkim nga autoritetet, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.