Ndahet nga jeta njeriu që “shkatërroi” Richard Nixon-in
Alexander Butterfield, ndihmësi i Shtëpisë së Bardhë, dëshmia e të cilit zbuloi ekzistencën e sistemit sekret të përgjimit të Richard Nixon-it dhe çoi në dorëheqjen e vetme të një presidenti në historinë e SHBA-së, ka vdekur në moshën 99-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga bashkëshortja e tij, Kim, dhe ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, John Dean.
Zbulimi i kasetave, momenti që ndryshoi historinë
Në korrik të vitit 1973, gjatë hetimeve për skandalin “Watergate”, Butterfield u pyet privatisht nëse kishte dijeni për ndonjë sistem regjistrimi në Zyrën Ovale. Përgjigjja e tij e sinqertë tronditi botën: “Çdo gjë filmohej… për sa kohë presidenti ishte i pranishëm”.
Si ndihmës asistent i presidentit, koloneli i Forcave Ajrore kishte mbikëqyrur instalimin e pajisjeve dëgjimi të aktivizuara me zë në katër lokacione kyçe, përfshirë Camp David. Deri në momentin e dëshmisë së tij, ekzistenca e këtij sistemi njihej vetëm nga një rreth tejet i ngushtë njerëzish.
Rënia e Richard Nixon-it
Zbulimi i kasetave shkaktoi një betejë ligjore njëvjeçare që përfundoi në Gjykatën e Lartë. Regjistrimet provuan përfshirjen e drejtpërdrejtë të Nixon-it në mbulimin e vjedhjes në selinë e Partisë Demokratike në vitin 1972. Për t’i shpëtuar shkarkimit të pashmangshëm (impeachment), Nixon dha dorëheqjen më 9 gusht 1974.
Butterfield, i cili shërbeu në Shtëpinë e Bardhë nga viti 1969 deri në vitin 1973, deklaroi më vonë se ndjente një peshë të madhe për rolin e tij në këtë rrëzim, por theksoi se “drejtësia kishte triumfuar”. Në vitet e tij të fundit, ai u shfaq si një kritik i ashpër i Nixon-it, duke e quajtur atë “kreun e bandës” dhe një njeri jo të ndershëm.
Karriera dhe sakrifica
Para dhe pas shërbimit në Shtëpinë e Bardhë, Butterfield pati një karrierë të spikatur ushtarake dhe civile. Ai shërbeu si instruktor gjatë Luftës së Koresë dhe doli në pension me gradën kolonel dhe drejtoi Administratën Federale të Aviacionit, nga ku u largua në vitin 1975, sipas tij, si ndëshkim për dëshminë kundër Nixon-it.
Mijëra orë regjistrimesh të bëra publike falë dëshmisë së tij vazhdojnë të ofrojnë një pamje të rrallë dhe shpeshherë tronditëse të funksionimit të pushtetit në SHBA gjatë asaj periudhe, duke ekspozuar gjuhën vulgare dhe pikëpamjet fanatike të ish-presidentit.