Alarmi: Belgjika rrezikon të kthehet në “narko-shtet”
Belgjika përballet me një kërcënim serioz nga krimi ndërkombëtar i drogës dhe rrezikon të shndërrohet në një “narko-shtet”, paralajmërojnë zyrtarë të lartë të drejtësisë.
Në një intervistë për The Guardian, drejtues të sistemit gjyqësor në qytetin e Antwerp-it thonë se fuqia financiare e karteleve të drogës po krijon presion të madh mbi institucionet shtetërore dhe shoqërinë.
Bart Willocx, president i Gjykatës së Apelit në Antwerp, deklaroi se Belgjika është veçanërisht e cenueshme për shkak të portit të madh të qytetit, i cili konsiderohet një nga pikat kryesore të hyrjes së kokainës në Evropë.
“Shumat e parave që përfshihen për të ndikuar njerëzit, për t’i korruptuar apo për t’i blerë janë aq të mëdha saqë përbëjnë realisht një rrezik për stabilitetin e shoqërisë sonë”, tha ai për The Guardian.
Paralajmërime për një “forcë paralele” të mafies
Në tetor të vitit të kaluar, Gjykata e Antwerp-it publikoi një letër të hapur nga një gjyqtar anonim, i cili paralajmëroi se Belgjika po evoluonte drejt një “narko-shteti”. Sipas tij, struktura të gjera mafioze kanë zënë rrënjë dhe po shndërrohen në “një forcë paralele që sfidon jo vetëm policinë, por edhe sistemin gjyqësor”.
Willocx pranoi se vendi po përpiqet të shmangë këtë skenar, por shtoi se presioni nga krimi i organizuar është në rritje.
“Është një evolucion dhe një kërcënim real”, tha ai.
Edhe prokurori i përgjithshëm për rajonet Antwerp dhe Limburg, Guido Vermeiren, u shpreh në të njëjtën linjë.
“Po bëhemi një shtet me shumë korrupsion dhe shumë kërcënime”, deklaroi ai.
Portet kryesore të kokainës në Evropë
Sipas Europol, më shumë se 70% e kokainës që hyn në Evropë kaloi në vitin 2024 përmes porteve të Antwerp-it dhe Roterdamit. Megjithatë, agjencia evropiane ka paralajmëruar se rrjetet kriminale po përdorin gjithnjë e më shumë edhe porte më të vogla për të shmangur kontrollet.
Problemi i Belgjikës lidhet me rritjen e ndjeshme të sasisë së kokainës që vjen nga Amerika e Jugut, kryesisht nga Kolumbia.
Në vitin 2023 u sekuestruan 121 ton kokainë, një rekord sipas agjencisë evropiane të drogës. Në vitin 2024 kjo shifër ra në 44 ton, çka sipas ekspertëve mund të lidhet me metoda më të sofistikuara të fshehjes së drogës ose zhvendosjen e aktivitetit drejt porteve më të vogla.
Krimi i organizuar i lidhur me trafikun e drogës është shoqëruar edhe me dhunë.
Autoritetet besojnë se banda të drogës qëndronin pas një komploti për rrëmbimin e një ministri të brendshëm belg në vitin 2022, si dhe pas disa të shtënave me armë në Bruksel në vitin 2025.
Rekrutimi i të rinjve
Zyrtarët e drejtësisë përshkruajnë një rrjet kriminal të përhapur që përfshin korrupsion, rrëmbime, tortura, pastrim parash dhe sulme të dhunshme.
Në një rast, kriminelët paguan mbi 250 mijë euro një punonjësi të portit për të lëvizur një kontejner të vetëm. Punonjësit që refuzojnë të bashkëpunojnë përballen me kërcënime serioze.
“Kanë marrë letra me fotografi të fëmijëve të tyre. Ka pasur sulme në shtëpitë e tyre me eksplozivë artizanalë”, tha prokurori Vermeiren.
Bandat rekrutojnë edhe të mitur. Sipas prokurorisë, fëmijë deri në 13 vjeç paguhen për të hyrë në port dhe për të vjedhur kokainë nga kontejnerët. Në raste të tjera, të rinjtë ndihmohen fillimisht të gjejnë punë në port dhe më pas detyrohen të bashkëpunojnë me rrjetet kriminale.
Në mars 2024 policia parandaloi një tentativë të katër personave të armatosur me armë automatike për të vjedhur më shumë se 1.500 ton kokainë të konfiskuar nga një magazinë doganore.
Presion mbi gjyqtarët dhe sistemin e drejtësisë
Krimi i organizuar ka filluar të ndikojë edhe në sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Sipas Willocx, punonjës të policisë dhe spitaleve janë korruptuar ose kërcënuar për të dhënë informacione konfidenciale, si adresat e shtëpive të gjyqtarëve.
Për këtë arsye disa gjyqtarë janë detyruar të jetojnë në shtëpi të sigurta nën mbrojtje policore. Gjyqtari anonim që shkroi letrën paralajmëruese kaloi katër muaj në një vend të fshehtë.
“Brenda një dite duhet të largohesh nga shtëpia dhe familja dhe të jetosh në një vend ku askush nuk e di se ku ndodhesh”, tha Willocx.
Sipas gjyqtarëve, sistemi gjyqësor belg është në prag të kolapsit pas dekadash nën-financimi. Edhe pse ministria e drejtësisë premtoi në vitin 2024 një shtesë prej 1 miliard eurosh deri në vitin 2029, dyshimet për burimet e mjaftueshme mbeten.
Paralajmërimet u bënë pjesë e fushatës “Five to Twelve”, një iniciativë e gjykatave dhe prokurorëve të Antwerp-it për të paralajmëruar opinionin publik për krizën në sistemin e drejtësisë dhe rrezikun që ajo paraqet për sundimin e ligjit.
Rrjeti i madh kriminal i zbuluar nga Sky ECC
Shkalla e trafikut të organizuar të drogës u bë e qartë pas zbërthimit të rrjetit të koduar të komunikimit Sky ECC, i përdorur nga qindra kriminelë për të koordinuar kontrabandën e narkotikëve, transferimin e parave dhe urdhërimin e vrasjeve.
Pesë vjet pas arrestimeve të para më 9 mars 2021, autoritetet belge njoftuan se deri tani janë dënuar 1.206 persona për krime që lidhen me drogën, dhunën, korrupsionin dhe armëmbajtjen pa leje. Rreth 5 mijë të dyshuar të tjerë janë identifikuar.
Hetimet zbuluan një rrjet kriminal që shtrihej nga Dubai deri në Amerikën e Jugut.
“Ishte edhe më keq nga sa mendonim”, tha prokurori Vermeiren për The Guardian.