‘Operacioni Samson’ – Të rrezikosh gjithçka vetëm për të shkatërruar armikun
Khalaf Ahmad Al-Habtoor nuk është një “luan tastiere”, por një miliarder i establishmentit të Emirateve të Bashkuara Arabe. Nuk është një kundërshtar i Donald Trump-it, por një ish-diplomat që kishte besuar se mund të bënte edhe më shumë biznes falë presidentit të Shteteve të Bashkuara.
Megjithatë, të enjten më 5 mars ai publikoi një letër ku i drejton një sërë pyetjesh dhe vërejtjesh të mprehta manjatit të Shtëpisë së Bardhë: “A i ke llogaritur dëmet kolaterale para se të qëllosh? I ke vënë vendet e Gjirit në zemër të një rreziku që nuk e kanë zgjedhur”.
Dhe më tej: “Nismat e tua të Bordit të Paqes janë financuar nga shtetet e Gjirit” shkruan Al-Habtoor, duke menduar për miliardin e dollarëve që administrata u ka kërkuar secilit prej tyre për t’u ulur në tryezë: “Ku kanë përfunduar këto para?”.
Letra e Al-Habtoor mbyllet duke kujtuar se “lidershipi i vërtetë nuk matet nga vendimet e luftës, por nga mençuria, respekti për të tjerët dhe shtysa drejt arritjes së paqes”.
I gjithë ky hidhërim është i kuptueshëm. Vlerësimet e fundit tregojnë se Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat u kanë mohuar Shteteve të Bashkuara përdorimin e bazave të tyre për të sulmuar Iranin, janë goditur nga forcat e Teheranit me rreth dyqind raketa dhe 1 mijë e 72 dronë; njëzet raketa dhe rreth shtatëdhjetë dronë kanë kaluar mbrojtjen ajrore duke goditur, ndër të tjera, aeroportin e Dubait, disa hotele të mëdha, dy qendra të dhënash të Amazon Web Services dhe qendrën kryesore të desalinizimit (procesi i heqjes së kripës dhe mineraleve nga uji i detit për ta bërë atë të pijshëm).
Në krahasim, qendrat e tjera të Gjirit janë më pak të sulmuara. Bahreini, që ka flotën e pestë amerikane, ka pësuar rreth 75 raketa dhe 130 dronë. Katari, ku ndodhet baza më e madhe amerikane në rajon, ka marrë rreth njëqind raketa dhe dyzet dronë. Arabia Saudite nuk publikon të dhëna mbi sulmet, por edhe pse rafineria e saj kryesore është goditur dy herë, duket më pak e shënjestruar.
Ka një metodë në këto goditje të pamëshirshme. Emiratet janë objektivi kryesor i iranianëve jo vetëm sepse, me Marrëveshjet e Abrahamit, njohin Izraelin. Edhe Bahreini e bën këtë, por krahasimisht kursehet. Më tepër duket se modeli Dubai është objektivi i vërtetë i Teheranit, simboli i integrimit blasfem të arabëve të Gjirit në elitat globale të parave. Dhe ndoshta ajo që Garda Revolucionare iraniane dëshiron është pikërisht lloji i reagimit të Al-Habtoor, miliarderit të Emirateve që tani akuzon Trump-in.
Në Izrael ekziston diçka që quhet “Opsioni Samson”, ideja për të rrëzuar kolonat e tempullit mbi veten dhe mbi armiqtë filistinë, pra aktivizimi i armës atomike në një sfidë ekzistenciale me Iranin. Vetë Irani ndoshta po eksperimenton diçka në të njëjtën drejtim. Ai dëshiron të çojë në ekstrem stresin e fqinjëve arabë në Gjirin Persik, edhe me rrezikun e hakmarrjes së tyre, vetëm për t’i shtyrë drejt një revolte kundër Trump.
Nuk është e vështirë të imagjinohen mendimet e monarkëve absolutë të Abu Dhabit, Dohas apo Riadit këto ditë. Pyetja e Al-Habtoor mbi fatin e fondeve për Bordin e Paqes edhe një herë, thotë gjithçka. Sundimtarët e Gjirit kanë derdhur miliarda petrodollarë tek Trump dhe të afërmit e tij. Mendonin se e kishin nën kontroll manjatin, se do të bënin biznes me të, por as masa e madhe e parave të grumbulluara falë pushtetit të Shtëpisë së Bardhë nuk mund të zbusë paparashikueshmërinë e tij. Mbretërit e Gjirit e kanë pasuruar Trump-in duke llogaritur ta kontrollojnë. Në këmbim kanë marrë raketa dhe dronë iranianë nga një luftë që nuk e kanë dashur kurrë.
Megjithatë ata kishin paguar. Katari i ka vënë në dispozicion Trump-it një avion prej 400 milionë dollarësh. Një fond sovran i Arabisë Saudite ka derdhur dy miliardë në fondin spekulativ të Jared Kushner-it në Miami të quajtur Affinity Partners dhe po kështu kanë bërë Katari dhe princi i Abu Dhabit Sheikh Tahnoon bin Zayed Al Nahyan me qindra miliona secili, gjithmonë në favor të dhëndrit të Trump-it.
Rasti më i rëndë për pasojat lidhet pikërisht me qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe. Në janar të një viti më parë ajo investoi gjysmë miliardi për 49% të një platforme të re kriptovalutash të sapolançuar nga Trump me faktotumin e tij Steve Witkoff (menaxherët e shoqërisë janë fëmijët e të dyve).
Familja Trump ka arkëtuar drejtpërdrejt 187 milionë dollarë, ajo e Witkoff 31 milionë. Menjëherë pas kësaj, në rolin e tij si president i Shteteve të Bashkuara, manjati u dha Emirateve akses në disa nga gjysmëpërçuesit më të avancuar të prodhuar në Amerikë nga Nvidia për inteligjencën artificiale.
Ky është një nga pikat nevralgjike të bombardimeve në vazhdim. Gjiri sot është një bast kolosal mbi inteligjencën artificiale, me projekte për qindra miliarda dollarë të monarkive të naftës përmes Big Tech amerikane. Por Irani i zgjedh objektivat e tij me kujdes simbolik dhe aftësi destabilizuese. Tre dronët që ranë mbi qendrat e të dhënave (dy në Emirate, i treti në Bahrein, gjithmonë të Amazon Web Services) gjenerojnë pasiguri në gjithë zonën. Nuk do të ishte momenti i duhur: Emiratet po nisin Stargate, një projekt prej 500 miliardë dollarësh me gjigantë amerikanë si OpenAI, Nvidia dhe Oracle; Microsoft ka planin e vet gjigant. Edhe Arabia Saudite dhe Katari kanë plane të ngjashme kolosale. Për të gjithë ata ky është e ardhmja, kur nafta dhe gazi do të jenë më pak të rëndësishëm ose më pak të bollshëm. Por rreziku i dronëve të Teheranit ka efektin e një helmi paralizues.
Sundimtarët arabë do ta diskutojnë këtë me Kushner, Witkoff dhe Trump në Future of Investment Initiative, një konferencë biznesi që zhvillohet në Miami pas njëzet ditësh. Do të shprehin zemërimin e tyre. Do të kërkojnë, edhe një herë, garanci. Por e dinë tashmë se Trump nuk është i parashikueshëm, as për familjarët dhe partnerët e tij në politikë e biznes. Atëherë është e mundur që zotërinjtë e Gjirit t’i drejtohen një garantuesi tjetër, për të kontrolluar çdo reagim të ardhshëm të Iranit pas kësaj lufte. Do të thërrasin fituesin potencial të këtij tërmeti gjeopolitik: Kinën e Xi Jinping-ut.