28 Mars, 2026

Kurthi që përdori Izraeli për të vrarë Khamenein dhe 40 zyrtarë të lartë

 Kurthi që përdori Izraeli për të vrarë Khamenein dhe 40 zyrtarë të lartë

Nga Filipp Piatov, BILD

Si ia dolën izraelitët dhe amerikanët që t’i mashtrojnë mullahët, dhe me një goditje të vetme, të vrasin një pjesë të rëndësishme të udhëheqjes së regjimit?

Ishte një nga goditjet më të suksesshme në historinë ushtarake. Tani po dalin në dritë detaje të reja mbi kurthin e përdorur.

Të shtunën, forcat amerikane dhe izraelite bombarduan njëkohësisht disa mbledhje të drejtuesve të lartë iranianë, duke vrarë udhëheqësin islamist të pushtetit, Ali Khamenei, dhe rreth 40 nga krerët më të rëndësishëm të regjimit.

Një përfaqësues i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) zbuloi të mërkurën se ushtria e kishte kuptuar që tre javë para fillimit të luftës, për shkak të zhvillimeve politike, “se po shkonim drejt një përballjeje tjetër”.

Kur u bë e qartë se sulmi do të ndodhte të shtunën, nuk duhej të dilte asnjë tregues në publik. Edhe pse SHBA-të kishin grumbulluar trupat e tyre në Lindjen e Mesme dhe qarkullonin spekulime për një sulm të mundshëm, synohej të krijohej efekti maksimal i befasisë.

“IDF dhe SHBA zhvilluan një operacion psikologjik për ta kapur Iranin të papërgatitur”, tha ushtaraku izraelit. Sipas tij, ekzistonte shqetësimi se lëvizjet e dukshme të premten në mbrëmje rreth kompleksit qendror ushtarak në Tel Aviv mund ta paralajmëronin publikun – dhe kështu edhe Iranin – për një operacion të afërt.

Gjeneralët u kthyen në shtëpi në mënyrë të dukshme për darkë

Ushtaraku izraelit tha: “Të premten e sulmit, IDF me qëllim krijoi përshtypjen se ushtria po e ulte aktivitetin për fundjavën. Publikuam foto dhe informacione që sugjeronin se personeli i IDF-së dhe udhëheqja e lartë po shkonin në shtëpi për darkën e Shabatit”.

Me fjalë të tjera: Kur të premten në mbrëmje në Izrael filloi dita e shenjtë e pushimit, Shabati, edhe gjeneralët e rangut të lartë u larguan në mënyrë demonstrative nga selia e Shtabit të Përgjithshëm në zemër të Tel Avivit dhe u drejtuan për te familjet e tyre – ose të paktën krijuan përshtypjen se po e bënin këtë.

Por ata gjeneralë, që vërtet shkuan te familjet e tyre, nuk qëndruan gjatë. Më vonë gjatë mbrëmjes, ata u kthyen në mënyrë të padukshme – pjesërisht të maskuar – në seli për të drejtuar sulmin kundër regjimit të mullahëve në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Rezultati: udhëheqësit iranianë nuk e panë sulmin të vinte dhe u ndjenë mjaftueshëm të sigurt për të mbajtur mbledhje të mëdha në zemër të Teheranit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *