Kurdët të mbështetur nga Mossad dhe CIA mund të nisin një luftë tokësore kundër Iranit
Grupet militante kurde iraniane po përgatiten për një ofensivë të mundshme tokësore kundër regjimit në veriperëndim të Iranit, sipas zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë.
Sipas burimeve të cituara nga mediat amerikane, fraksionet kurde, të cilat veprojnë kryesisht nga territori kurdistan i irakut, kanë vendosur mijëra luftëtarë përgjatë kufirit Iran-Irak dhe po përgatiten për një operacion të mundshëm brenda territorit iranian.
Gjashtë ditë para fillimit të luftës, pesë grupe disidente kurde iraniane njoftuan krijimin e Koalicionit të Forcave Politike të Kurdistanit Iranian, me qëllim përballjen me regjimin në Iran.
Burime amerikane dhe izraelite thonë se këto milici mbështeten nga shërbimet e inteligjencës amerikane dhe Mossadit izraelit.
Qëllimi, sipas tyre, është marrja e kontrollit mbi një zonë të caktuar në rajonin kurd të Iranit, për të sfiduar regjimin dhe për të nxitur një kryengritje më të gjerë në vend.
Ideja për të mbështetur një ofensivë tokësore kurde thuhet se është propozuar fillimisht nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe inteligjenca izraelite, ndërsa më pas janë përfshirë edhe SHBA-të.
Megjithatë, administrata e presidentit Donald Trump nuk ka dhënë ende miratim zyrtar për një operacion të tillë.
Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio u tha ligjvënësve se SHBA-të “nuk po armatosin kurdët”, por shtoi se situata mund të jetë më komplekse për shkak të rolit të Izraelit.
Ndërkohë, Irani ka shprehur shqetësim për mundësinë e një ndërhyrjeje nga territori i Irakut.
Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi zhvilloi një bisedë me kryeministrin irakian Mohammed Shia al-Sudani, i cili deklaroi se Iraku nuk do të lejojë që territori i tij të përdoret për sulme kundër Iranit.
Ndërkohë, forcat ajrore izraelite kanë kryer sulme në pozicionet ushtarake iraniane pranë rajonit kurd në kufi, ndërsa disa qytete në veriperëndim të Iranit janë raportuar nën bombardime të rënda.
Grupet kurde kanë mohuar se kanë nisur një ofensivë tokësore deri tani, por burime nga brenda tyre thonë se një operacion i tillë mund të nisë në ditët në vijim, nëse merret një “dritë jeshile” nga Washingtoni.