SHBA përdori një nga mjetet më të avancuara AI për të goditur Iranin
Një nga teknologjitë më të avancuara të Inteligjencës Artificiale është përdorur nga Ushtria amerikane për të identifikuar dhe prioritarizuar objektivat gjatë operacioneve ushtarake kundër Iranit.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, sistemi ushtarak Maven Smart System, i zhvilluar nga kompania Palantir Technologies, përdor Inteligjencën Artificiale Claude të kompanisë Anthropic për të analizuar sasi të mëdha të dhënash nga satelitët, survejimi dhe burime të tjera inteligjence.
Sistemi ka ndihmuar në identifikimin e qindra objektivave në Iran, duke gjeneruar koordinata të sakta dhe duke vendosur prioritete për goditjet. Sipas burimeve të njohura me teknologjinë, kjo ka mundësuar që planifikimi i operacioneve ushtarake të reduktohet nga javë të tëra në vendime në kohë reale.
Raportohet se në 24 orët e para të fushatës ushtarake kundër Iranit u goditën rreth 1,000 objektiva, me ndihmën e analizave të prodhuara nga sistemi i AI.
Megjithatë, përdorimi i kësaj teknologjie vjen në një moment tensioni mes administratës së presidentit Donald Trump dhe drejtuesve të Anthropic.
Pak orë para fillimit të bombardimeve, administrata amerikane njoftoi se do të ndalonte përdorimin e mjeteve të kompanisë nga agjencitë federale, pas një përplasjeje për kushtet e përdorimit të AI në luftë, përfshirë çështjet e survejimit dhe armëve plotësisht autonome.
Pavarësisht kësaj, Ushtria amerikane pritet të vazhdojë përdorimin e teknologjisë përkohësisht derisa të gjejë një zëvendësues, pasi komandantët ushtarakë janë bërë shumë të varur nga sistemi.
Ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i Inteligjencës Artificiale në luftë shënon një ndryshim të madh në mënyrën se si zhvillohen operacionet ushtarake.
AI mund të përshpejtojë identifikimin e objektivave “me shpejtësinë e makinerisë”, por gjithashtu rrit rrezikun e gabimeve në vendime që mund të kenë pasoja fatale.