28 Mars, 2026

Të çmendurit shqiptarë, që e shohin Iranin si superfuqi dhe që do bombardojë… Durrësin

 Të çmendurit shqiptarë, që e shohin Iranin si superfuqi dhe që do bombardojë… Durrësin

Regjimi islamik nga dita në ditë po shfaqet më i shkallmuar nga goditjet vdekatare amerikano-izraelite. Teksa operacioni amerikan i mbiemërzuar ‘Epic Fury’ dhe ai izraelit ‘Lion’s Roar’ po shënojnë ditën e katërt në kalendar, një front i vogël duket se është hapur edhe në tokën shqiptare.

Hapësira digjitale në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut është frymëzënë nga një dyzinë faqesh, profilesh e individësh që po e mbrojnë fanatikisht regjimin teokratik në Teheran.

Shumë syresh shpërndajnë edhe thirrje të egra kundër gjithçkaje amerikane ndër shqiptarë – kjo frymë egërsie ka shkuar deri atje sa të kërkojë edhe raketa iraniane kundër kampit Bondsteel në Kosovë. 

Col Mehmeti

Mëngjesin e së dielës, kur tik-taket e orës shënuan 9:45, një sulm i vetëtimtë nga qielli zuri gafil krejt hierarkinë e regjimit të ajatollahut.

Në një “shfaqje të habitshme arrogance”, siç e quajti ish-drejtori i CIA-s, David Petraeus, Lideri Suprem i kishte mbledhur në pallatin e tij krejt vartësit e tij që e kishin përsipër sigurinë e regjimit.

Plaku 86 vjeç, me çallmën e zezë në krye, me zërin si të ngjirur duhet të ketë filluar bisedën mbi fundin e regjimit zionist…kur fjala i mbeti në gjysmë prej një shkundullime si khaa-buuum.

Mbi ta u reshën raketa të përpikta duke e rekorduar në histori një “operacion të pabesueshëm” që do të studiohet nga brezat e ardhshëm të historianëve ushtarakë.

Nëse gjenerali amerikan në pension, Jack Keane e vlerësoi si operacion të “ekzekutuar mrekullisht”, propaganda e dendur pro-iraniane në shqip e shikon me tjera dylbi këtë luftë.

Sipas atyre që në sytë e disa mediave në Tiranë janë ekspertë të sigurisë, Amerika e Izraeli i kanë ditët e numëruara përballë një Irani të stërfuqishëm që vetëm po bëhet gati për të rrahur me dacka dushmanët.

Në të vërtetë, operacioni i përbashkët amerikano-izraelit ka goditur tashmë mbi 2 mijë caqe në Iran, duke qëruar fizikisht gjithë piramidën udhëheqëse të regjimit nga Ali Khamenei e poshtë.

Paradoksalisht, disa medie televizive e sociale në botën shqiptare po i mëshojnë avazit se Irani është ai që po ngarend drejt fitores së sigurt.

Çuda e parë: “Raketa do të bie mbi Durrës”

Rrum një javë më parë, analisti i sigurisë nga Tirana Ilir Kulla po i pleqëronte disa nga skenarët në vigjilje të përplasjes me Iranin.

Në emisionin ‘Matrix’, të transmetuar në TËVË 1, pyetjes se cila do të jetë përgjigja e Teheranit përballë Amerikës, ai iu përgjigj se iranianët do ta reciprokojnë secilin sulm ndaj tyre.

Por, sipas tij, raketa të kësaj kundërpërgjigjje do të mbërrijnë gjer në Shqipëri, aty ku ndodhet kampi i disidentëve muxhahedinë në Manëz.

Unë mendoj se këta do ta çojnë njërën nga raketat e tyre edhe në Durrës, tek ajo baza e famshme”, ogurzoi Kulla.

Çuda e dytë: “ShBA do të lodhet, Irani shumë i fortë”

Shumë javë para skenarit të Kullës mbi një Iran të tejfuqishëm, një koleg tjetër i tij e portretoi republikën islamike sikur ajo kishte aso takati që do ta lodhte edhe Amerikën.

Në emisionin ‘Jashtë kontrollit’ që drejtohet nga Red Varaku në NTV, Dritan Goxhaj parashikoi një skenar fort optimist për ushtrinë iraniane.

Sipas tij, arsenali i ShBA-së me raketa do të harxhohej brenda javësh, gjë që do t’i jepte soldateskës iraniane mundësinë e rrallë që të kundërpërgjigjej ashpërisht.

Amerika t’i bëjë hesapet mirë sepse kësaj radhe nuk do të kemi luftë të shkurtër. Lufta e gjatë i intereson Iranit, por jo ShBA-së e cila nuk ka kapacitet për luftë të gjatë. Vetëm tomahowkat i harxhon për dhjetë ditë, maksimumi pesëmbëdhjetë ditë. Nuk ka më me çfarë e godet”, kishte thënë Goxhaj me një siguri të palëkundur prej eksperti.

Çuda e tretë: “Iranianët të gatshëm për luftë pa limit”

I njohur për afrinë e tij të palëkundur me Teheranin, Olsi Jazexhi këtyre ditëve ishte më i palodhuri nga të gjithë me paraqitjet në secilin medium që e ftoi.

Në profilin e tij në ‘Facebook’, ai shpalosi kryesisht informacione gjysmake e shpesh të pakonfirmuara për gjoja sukseset iraniane.

Simpatitë e tij për Iranin i bashkëndau edhe gjatë paraqitjeve të drejtpërdrejta në televizionet në Tiranë.

Në të gjitha papërjashtimisht foli me afsh vetëm për ‘fuqinë’ e Iranit dhe foret e tij sesi do t’ia punonte qindin Perëndimit.

Në një lidhje për MCN TV, Jazexhi e tromaksi audiencën në Republikën e Shqipërisë me paralajmërimin e tij se raketat iraniane do ta përlajnë edhe Shqipërinë duke pasur si shënjestër kampin në Manëz.

Nga televizioni në televizion, iranofili harrakat nuk ka dhënë sihariqe të mbara për botën perëndimore – kështu, së paku, tingëllonin fjalët e tij të hidhura përballë Red Varakut.

Për të, Netanjahu që e nisi luftën, po ai “do t’i mbajë kostot e kësaj lufte”.

Iranianët kanë thënë se kjo luftë nuk ka limit dhe ata tashmë e kanë ndarë mendjen për të”, tha Jazexhi.

Lotët e Ikballes

Dukshëm më e kursyer në komente për ngjarjet e fundit në Iran ishte aktivistja pro-iraniane nga Prizreni, Ikballe Berisha-Huduti.

Duke e vargëzuar një lutje me referenca të islamit shiit ku përlavdërohet kulti i martirizimit, ajo pati fjalët më të zgjedhura për liderin suprem, Ali Khamenei, që u vra të dielën.

Prehu në paqe lideri i njerëzimit”, shkroi aktivistja nga Prizreni.

Vullnetarët digjitalë të Iranit e ajatollahut

Nga e diela kur regjimi islamik në Teheran pësoi goditjet e para shkallmuese, hapësira digjitale shqiptare është gjendur përnjëherësh përballë dhjetëra faqesh e profilesh që kanë pasur ndërveprim të madh me shikime, pëlqime e shpërndarje.

Pjesa më e madhe e tyre kanë përmbajtje të thekur islamike, dhe afishimet e tyre kanë qenë favorizuese për Iranin.

Nëpërmjet informacioneve gjysmake e videove me autorësi të dyshimtë, ato kanë përmbysur tablonë e vërtetë të gjendjes në terren ku laku po i shtrëngohet gjithnjë e më shumë regjimit të ajatollahut të vrarë.

Nëse do të bëhej një hartëzim i këtyre faqeve pro-iraniane, sipas një vlerësimi të përafërt del që më aktivet kanë qenë ato nga Maqedonia e Veriut e pjesërisht edhe nga Kosova.

E tillë duket edhe faqja ‘Lajme nga Bota’, me 10 mijë ndjekës, e cila nga përmbajtja e saj indikon për një autor nga Maqedonia e Veriut (në URL-në e saj ruhet emri i mëparshëm ‘Shkupi.Shkupi).

Qysh të dielën kur nisi sulmi amerikano-izraelit mbi regjimin islamik, kjo faqe ishte nga të parat që paralajmëroi se “Kosova mund të përballet me stuhi raketash pasi në hartën e Iranit është edhe Bonstilli në Kosovë për t’u goditur nga forcat ajrore të Iranit”.

Kjo përmbajtje e dyshimtë, e afishuar në orën 19:28, mori 236 postime mbështetëse.

Por ky paralajmërim dezinformues mund të jetë fare lehtë i huazuar dhe amplifikuar nga përmbajtje të ngjashme në serbisht.

Mesazhe të tilla pro-iraniane dhe anti-amerikane veçse kanë bërë vend në platformat që përdoren shpesh nga stategët e manipulimeve digjitale në Rusi.

Së fundmi në Telegram, janë afishuar plot mesazhe që kërkojnë nga Irani që ta shënjestrojë praninë amerikane në Kosovë.

Një profil me llagëpin ‘Инжењер’ shpërndau thirrjen e qartë që raketat iraniane të marrin në thumb edhe Bondsteelin, duke i dhënë edhe koordinatat e tij (“Ево још једне америчке базеУнапред захвални”).

Boshnjakët shajnë Kosovën pse kjo u bë me Amerikën

Fronti anti-Kosovë nga Serbia habitërisht mori zjarr edhe në Bosnjë.

Një llogari e quajtur ‘Bosnia Reporter’, qysh të dielën kur presidentja e Kosovës Vjosa Osmani shprehu mbështetjen për Shtetet e Bashkuara dhe veprimet e saj ndaj Iranit, nuk u kursye nga gjuha përbuzëse ndaj shqiptarëve.

Ky profil shkroi në boshnjakçe “Znam je šta vas ubija, Kosovo je Srbija!” (E di çfarë ju mbyt juve, Kosova është Serbi!)

Nga shfletimi i këtij profili në platformën ‘X’ shfaqet si përmbajtje e theksuar islamike që ka në fokus çështje të tejpolitizuara e identitare, ku Palestina është vetëm njëra syresh.

Nga Maqedonia e Veriut deri në Shqipëri, ndjenja anti-Perëndim

Tejet të zëna me propagandë pro-iraniane janë edhe disa faqe në ‘Facebook’ nga Maqedonia e Veriut si ‘TetovaSot’ dhe ‘Video Tetova1’.

Me turbinat e ndezura për prodhim përmbajtjesh pro-iraniane del edhe faqja, me sa duket nga Kosova, ‘Dovleti i Naltsum’ që ka 9,300 ndjekës.

I mbizotëruar nga përmbajtje të qarta neo-osmane e pro-turke, ‘Dovleti i Naltsum’ është shfaqur tejet i interesuar për ngjarjet në Iran duke i paraqitur ato sipas perspektivave anti-amerikane e anti-perëndimore.

Së fundmi, kjo faqe ka afishuar edhe një video të titullzuar “Ujku i kuq dhe Ariu polar”, në të cilën paraqitet kryediplomati turk, Hakan Fidan dhe presidenti rus, Vladimir Putin.

Kjo faqe nuk ka ngurruar të bashkëndajë për ndjekësit e vet edhe copëza fjalimesh nga presidenti turk, Erdogan.

Në to zërohen edhe qëndrimet e tij për gjendjen në Lindjen e Mesme, siç është rasti me këtë pjesë: “Irani është fqinji ynë. Populli iranian, me të cilin kemi qenë në paqe dhe qetësi që nga viti 1639, është vëllai ynë, njësoj si popujt e tjerë në rajon. Kemi jetuar krah për krah në paqe për shekuj me radhë. Inshallah, do të jetojmë krah për krah në paqe dhe qetësi me vëllezërit tanë iranianë për shumë shekuj të tjerë.”

Përmbajtje të vazhdueshme pro-iraniane janë hetuar edhe te faqja fetare ‘Ora Islame’ dhe portali nga Maqedonia e Veriut ‘Shprehja’.

Në anën tjetër, në Shqipëri faqja më e palodhur me përmbajtje mbështetëse për regjimin islamik është ‘FokusPress’.

Agresioni digjital

Hakmarrja iraniane nuk ka kursyer as Shqipërinë e Kosovën.

Nga 2021, shërbimet informative iraniane kanë sulmuar vazhdimisht infrastrukturën digjitale në Shqipëri.

Agresioni kibernetik iranian ishte i tillë që filloi me ‘korrje emailash’ (email harvesting) e sulme ndaj faqeve qeveritare që ofronin shërbime.

Hëpërhë, dy shtetet shqiptare vazhdojnë të jenë zëshëm në një vijë me ShBA kundrejt teokracisë islamike në Teheran.

Së fundmi, Qeveria shqiptare e listoi Gardën Revolucionare si terroriste.

Megjithatë, institucionet e sigurisë në Tiranë e Prishtinë ende nuk e kanë vënë llupën e tyre mbi aktivitetet e dyshimta manipulative pro-iraniane.

Dhe deri atëherë imagjinata publike do të mbetet në duart e atyre që Iranin e shohin si fitimtar dhe Perëndimin të shpartalluar.

 

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *