28 Mars, 2026

Në fillim Maduro, tani Khamenei: Dy shuplaka për Putin

 Në fillim Maduro, tani Khamenei: Dy shuplaka për Putin

Herën e fundit që SHBA dhe Izraeli bombarduan Iranin, një gazetar e pyeti Putinin se si do të reagonte nëse udhëheqësi suprem i Iranit do të vritej në një sulm. “As nuk dua ta diskutoj”, – u përgjigj presidenti rus.

Më pak se 9 muaj më vonë, pasi Ajatollah Ali Khamenei vdiq në një sulm të Izraelit dhe SHBA-ve, Putin nuk mundi të mos reagonte.

Një artikull i Politico-s thotë se vrasja e udhëheqësit suprem të Iranit aktivizoi dy nga instinktet më të thella të Putinit: ankthin e rrënjosur thellë për mbijetesën e tij politike, si dhe përpjekjen për të siguruar të ardhmen e tij përmes një fitoreje ndaj Ukrainës – me çdo kusht.

Të dyja zunë vend në një deklaratë të shkurtër të postuar në faqen e internetit të Kremlinit, ku Putin dënonte vrasjen e Khameneit dhe e quante atë “një vrasje … të kryer në shkelje cinike të të gjitha normave të moralit njerëzor dhe të drejtës ndërkombëtare”.

Ky ishte një reagim shumë më i fortë se ai që tregoi më herët gjatë këtij viti pas arrestimit të një tjetër aleati të Rusisë, Nicolas Maduro. Megjithatë, vlen të përmendet se Putini nuk i përmendi vendet që fshihen pas vrasjes së Khameneit.

Mentaliteti i “strehës”

Në qarqet ruse, vdekja e Khameneit u krahasua me rënien e një tjetër diktatori. Një video e vitit 2011 e bërë me celular, ku tregohej Muamar Gadafi duke u rrahur për vdekje pas një ndërhyrjeje të NATO-s, e tërboi Putinin, sipas gazetarit rus Mikhail Zhigar.

“I treguan të gjithë botës se si e vranë, me gjak”, tha Putini në atë kohë, dukshëm i zemëruar, në një konferencë për shtyp të transmetuar në televizion. “A është kjo demokraci?”

Në maj të vitit 2012, menjëherë pas përmbysjes së Gadafit, Putini u rikthye në presidencë. Ai mori detyrën me një mision të vetëm, sipas analistëve: të distancohej nga Perëndimi dhe të eliminonte armiqtë e brendshëm, të cilët i akuzonte se kërkonin, në bashkëpunim me armiqtë e Rusisë, ndryshimin e regjimit.

“Ishte pikërisht vdekja e Gadafit që shënoi një pikë kthese në politikën ruse, si të jashtme ashtu edhe të brendshme”, shkruan Alexander Baunov, një bashkëpunëtor i lartë në Qendrën Carnegie Rusia-Eurasia me seli në Berlin. Që Shtetet e Bashkuara dhe Evropa lejuan një përmbysje kaq të dhunshme të një udhëheqësi botëror u pa nga Putini si “kulmi i tradhtisë”, tha Baunov.

Me kalimin e viteve, Putini është bërë gjithnjë e më i izoluar. Në fakt, Alexei Navalny dikur e quajti atë në mënyrë karakteristike një “gjysh në bunker”, duke iu referuar hetimit të ekipit të tij për një pallat luksoz që dyshohet se i përkiste Putinit, i cili përfshinte një rrjet të madh tunelesh, të vendosur 50 metra nën tokë.

“Një nga një, aleatët tanë po shfarosen sistematikisht”

Ngjarjet e fundit me shumë gjasa e kanë rritur më tej ankthin e Putinit. Rrëzimi i dy prej aleatëve të Rusisë (Maduro dhe Khamenei) brenda një periudhe të shkurtër kohore i ka bërë disa komentatorë pro-Kremlinit të thyejnë një rregull jozyrtar që ka qenë në fuqi që kur Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë: të shmanget kritika e hapur ndaj Shteteve të Bashkuara ose presidentit të saj.

Fillimisht, ish-presidenti rus Dmitry Medvedev shkroi se sulmi i SHBA-së ndaj Iranit zbuloi “fytyrën e vërtetë” të Trump.

Më pas, mendimtari ultranacionalist Alexander Dugin paralajmëroi se Uashingtoni mund të jetë duke planifikuar t’i bëjë të njëjtën gjë Rusisë. “Një nga një, aleatët tanë po shfarosen sistematikisht”, shkroi ai. “Është e qartë se kush është i radhës dhe çfarë nënkuptojnë në të vërtetë negociatat me një armik të tillë”, – vazhdoi ai, duke iu referuar bisedimeve të paqes të ndërmjetësuara nga SHBA-ja.

Në fakt, media pro-Kremlinit Segodnya.ru e tha troç, me një opinioni të titulluar: “Si do të na vrasin”.

Vëmendja te qëllimet

Kremlini, në të kundërt, ka miratuar një ton dukshëm më diplomatik. Një ditë pasi Putin dënoi vrasjen e Khameneit, zëdhënësi i tij Dmitry Peskov shprehu “zhgënjim të thellë” për dështimin e bisedimeve SHBA-Iran, por në të njëjtën kohë “vlerësim të thellë” për përpjekjet amerikane për të ndërmjetësuar paqen në Ukrainë. Megjithatë, shtoi ai, “para së gjithash, ne i besojmë vetëm vetes dhe mbrojmë interesat tona”.

Mesazhi ishte i qartë: Putini nuk do të lejonte që ndjenjat e tij për Iranin të pengonin arritjen e qëllimeve të tij në Ukrainë.

“Putini nuk do të rrezikojë sigurinë e tij personale, sigurinë e regjimit të tij apo vizionin e tij për sigurinë kombëtare ruse për të ekspozuar veten në mënyrë që të ndihmojë iranianët, koreano-veriorët, kinezët apo këdo tjetër”, – thotë Sam Green, profesor i politikës ruse në King’s College London.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *