Pse ende nuk ka një vaksinë universale kundër gripit?
Çdo vit, rreth një miliard njerëz në mbarë botën preken nga gripi. Sëmundja mund t’ju mbajë të shtrirë për ditë të tëra me temperaturë, lodhje, dhimbje koke dhe kollë, ndërsa çdo vit shkakton nga 290 mijë deri në 650 mijë vdekje. Dhe, edhe nëse e kaloni një herë, nuk ka garanci se nuk do ta përjetoni sërish sezonin tjetër.
Arsyeja? Virusi i gripit ndryshon vazhdimisht formë për t’iu shmangur sistemit tonë imunitar.
“Kjo është arsyeja pse duhet të bëni vaksinën çdo vit”, thotë Nicholas Heaton, profesor në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Duke në SHBA. Vaksinat sezonale shpëtojnë shumë jetë, por efektiviteti i tyre zakonisht arrin rreth 60% dhe mund të bjerë edhe më poshtë kur përbërja e vaksinës nuk përputhet mirë me variantin që qarkullon.
Por çfarë nëse nuk do të ishte e nevojshme të vaksinoheshim çdo vit?
Termi “grip” është disi i thjeshtuar. Në realitet, ekzistojnë shumë viruse të ndryshme të influencës që qarkullojnë mes njerëzve dhe kafshëve. Këto viruse kanë proteina në sipërfaqe – hemaglutininën dhe neuraminidazën – të cilat ndryshojnë shpesh.
Ekzistojnë 18 lloje hemaglutininash dhe 11 lloje neuraminidazash, që kombinohen për të krijuar nënlloje të ndryshme si H1N1 apo H3N2. Mutacionet e vazhdueshme i detyrojnë autoritetet shëndetësore të “parashikojnë të ardhmen” për të zgjedhur përbërjen e vaksinës, shkruan BBC.
Çdo vit, ekspertët e World Health Organization mblidhen për të analizuar të dhënat globale dhe për të rekomanduar formulën e vaksinës për hemisferën veriore dhe atë jugore. Por surprizat janë të shpeshta. Në sezonin 2025-2026, për shembull, u përhap një nën variant i ri i H3N2 që nuk ishte parashikuar muaj më parë.
Aktualisht, rreth një duzinë kandidatësh për vaksinë universale janë në faza të provave klinike.
Një nga qasjet më premtuese vjen nga Florian Krammer, në Shkollën e Mjekësisë Icahn në Mount Sinai, New York. Ai dhe ekipi i tij po përpiqen të trajnojnë sistemin imunitar që të njohë pjesët e virusit që nuk ndryshojnë, në vend të atyre që mutohen shpesh.
Edhe laboratori i Heaton ka zhvilluar një kandidat që përmban mbi 80 mijë variante të hemaglutininës, duke e “detyruar” sistemin imunitar të fokusohet tek pjesët e pandryshueshme.
Ndërkohë, studiues në Universitetin Stanford kanë testuar në minj një spraj nazal që aktivizon qelizat imunitare në mushkëri për disa muaj, duke reduktuar ndjeshëm depërtimin e patogjenëve. Megjithatë, kjo metodë ende nuk është testuar te njerëzit.
Një vaksinë vërtet universale do të ofronte mbrojtje kundër çdo nënlloji të influencës A apo B – qoftë sezonal, pandemik apo zoonotik.
Megjithatë, disa shkencëtarë janë më të rezervuar. Heaton pranon se termi “universale” mund të krijojë pritshmëri të tepërta. Sipas tij, një përshkrim më realist do të ishte një vaksinë me mbrojtje të gjerë dhe më afatgjatë, por jo domosdoshmërisht kundër çdo varianti të mundshëm.
Ndërkohë, përmirësimet në vaksinat sezonale vazhdojnë. Disa vaksina tashmë përmbajnë doza më të larta për të moshuarit.
Po ashtu, studiues si Regina Barzilay nga MIT kanë zhvilluar sisteme të inteligjencës artificiale që analizojnë sasi të mëdha të dhënash për të parashikuar më saktë variantet e ardhshme – duke ndihmuar në zgjedhjen më të mirë të përbërjes së vaksinës.
Një vaksinë që merret një herë në jetë dhe ofron mbrojtje të përhershme mund të jetë ende larg. Por përparimi është real.