5 arsyet pse Donald Trump sulmoi Iranin
Vendimi ishte prej ditësh në duart e presidentit. Personi që argumentoi “arsyet e shkëlqyera” për të nisur një sulm ushtarak ishte një ekspert me peshë, por që përfaqëson një palë: Michael Rozenblat, studiues i Atlantic Council, i cili ka punuar në aparatin e sigurisë izraelite. Kjo është analiza e tij, e marrë nga faqja e vetë Atlantic Council.
1 – Konjunktura historike
Është një moment unik për të realizuar ridizenjimin e Lindjes së Mesme: Irani ndodhet në pikën e tij më të dobët që nga revolucioni i vitit 1979, pas protestave të fundit dhe luftës 12-ditore me Izraelin në qershor. Një fushatë vendimtare kundër regjimit mund të zhbllokojë nisma rajonale amerikane, që aktualisht janë të bllokuara.
2 – Imperativi moral
Shtypja brutale e protestuesve nga ana e Teheranit i ka çuar tensionet në pikën e vlimit. Shifrat zyrtare flasin për 3 117 të vdekur, ndërsa vlerësime të tjera janë shumë më të larta.
Prandaj premtimi i Trump për të “ardhur në ndihmë” nuk mund të mbetej vetëm retorikë, por duhej të shndërrohej në dëshmi të lidershipit moral amerikan.
3 – Frenat e tranzicionit
Të pritej në mënyrë pasive shembja e Iranit tashmë të rrënuar nuk ishte një strategji e qëndrueshme për të promovuar interesat rajonale amerikane. “Një qasje aktive, edhe ushtarake, do të lejonte orientimin e tranzicionit duke siguruar një skenar të favorshëm pë pas regjimit”, pohon eksperti.
4 – Interesat ekonomike
Një regjim i ndryshëm iranian mund të riintegrojë rezervat e mëdha energjetike të vendit (të dytat në botë për gaz dhe të tretat për naftë) në tregjet perëndimore. Për më tepër, kombinimi me rënien e Maduros në Venezuelë mund të dëmtojë sigurinë energjetike kineze, pasi Pekini furnizohej nga të dy vendet.
5 – Siguria dhe kredibiliteti
Pas sulmeve të qershorit, forcimi i strukturave nëntokësore tregonte refuzimin e Iranit për të hequr dorë nga ambiciet bërthamore. Por Trump kishte deklaruar se nuk do ta lejonte vendin të pajisej me armë bërthamore; prandaj duhej të vepronte për të ruajtur besueshmërinë e tij, si në sytë e amerikanëve, ashtu edhe të regjimit të Teheranit.