Paranoja e Ramës – Nga Bushati, Nano, Spiropali e Vengu, përse i largon dhe shkarkon zyrtarët me lidhje ndërkombëtare?!
Kryeministri Edi Rama ka treguar në vitet e fundit se ka një vijë të kuqe, të cilën nuk e toleron për askënd, madje edhe për njerëzit shumë pranë vetes apo edhe bashkëpunëtorët e ngushtë. “Paranoja” e tij janë ndërkombëtarët, atje ku ai ka “punuar” shumë vitet e fundit, në tentativa për të rregulluar imazhin e tij apo edhe të mazhorancës, duke qenë se opozitën në Shqipëri e ka çarmatosur me kohë, duke i lënë disa “kocka”, apo në përballjet formale në Parlament i vë përballë deputetët rioshë, me në krye Zegjine Çaushin.
Ndryshimet e fundit në qeveri, apo edhe largimet e zyrtarëve në vitet e fundit, kanë më së shumti një kryefjalë; shkarkohen dhe zëvendësohen të gjithë që krijojnë lidhje të ngushta me faktorin ndërkombëtar. Ai nuk lejon askënd të kalojë këtë vijë të kuqe, madje as mamicën Elisa Spiropali, një njeri tepër i ngushtë në rrethin e kryeministrit, e cila kohët e fundit kishte filluar të “lulëzojë” me ndërkombëtaret, me vizitat e saj në Europë apo edhe me mëngjeset përtej Atlantikut.
Një shembull nënshtrimi është padyshim Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili edhe kur del jashtë Shqipërisë, duhet të marrë “leje”. Mjafton që të bëjmë një krahasim mes Begajt dhe Vjosa Osmanit, për të parë se Presidentja e Kosovës, është mjaft aktive në diplomaci, në Europë apo edhe në SHBA, duke takuar e biseduar tepër ngushtë me Donald Trump.
Duket se, në këtë “paranojë”, Elisa Spiropali ka qenë “kurbani” i fundit i kryeministrit, pasi ajo u pa shumë afër amerikanëve, të cilët e ftuan në mëngjesin e lutjeve në Uashington dhe në Davos, në përpjekje për të frenuar luftën në Ukrainë. Madje, “mamica” ka shkuar edhe në Kosovë, jo si diplomate shqiptare, por si person me porosi amerikane. Pikërisht ky afrim e ka bezdisur shumë Ramën, pasi ka menduar se me këto lidhje, gjithkush mund ta spiunojë dhe të lobojë kundër tij.
Një masë “non grata” do të ishte katastrofale për kryeministrin, apo edhe disa ministra dhe njerëz të tjerë të besuar, njëra prej të cilave edhe Belinda Balluku, të cilën tentoi ta mbronte nga drejtësia, gjykata dhe në fund nga vetë mazhoranca. Dyshimet janë se, ka qenë pikërisht Belinda Balluku që mund t’i ketë “fryrë në vesh” Ramës për këto lidhje të Spiropalit dhe të tjerëve.
Duket se, të njëjtin fat e kanë pasur disa zyrtarë, duke nisur nga paraardhësi i saj në Ministrinë e Jashtme, Ditmir Bushati. Megjithëse një diplomat tepër i zoti, me rrënjë të thella në Partinë Socialiste, papritur Bushati jo vetëm u largua nga ministria, por u “fshi” edhe nga partia, sikur të mos kishte ekzistuar. Edhe në atë rast, Bushati kaloi shumë herë Atlantikun dhe bëri lidhje tepër të ngushta në Europë, aq sa ai dhe miqtë e tij i takonin diplomatët në restorante, buzuke e bare, dhe jo në selitë diplomatike.
Një tjetër zyrtar që është larguar, por me urdhër të kryeministrit, ka qenë ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, një “njeri” që u sponsorizua nga selia në Rrugën e Elbasanit. Nano ishte trajnuar në SHBA dhe shihej si një njeri me lidhje të ngushta ndërkombëtare, aq sa disa aksione ai i kreu me FBI-në apo edhe me DEA-n për organizata kriminale dhe rrjetë të trafikut të qenieve njerëzore. Nano tentoi që të bëhej edhe drejtues i Byrosë Kombëtare të Hetimit, e ngjashme me FBI-në, e cila është e atashuar pranë SPAK-ut, por sërish s’pati asnjë lobim qeveritar për emrin e tij.
Të njëjtin fat e ka provuar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili po hetohet me masën e sigurisë “arrest me burg”, teksa tentativat për t’a shkarkuar kanë dështuar, pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Veliaj gjatë kohës që ishte në detyrë krijoi lidhje në Amerikë dhe Europë, bëri binjakëzime me qytete të ndryshme, solli në Tiranë edhe kryetarët e bashkive më të mëdha në të gjithë botën. Por, duket se kjo nuk i ka pëlqyer Ramës apo edhe njerëzve afër tij, që kanë tentuar të krijojnë përçarje, ndoshta me mendimin se, ndërkombëtarët do të fokusohen te ndonjë emër tjetër nga mazhoranca qeverisëse.
Një tjetër zyrtar i larguar nga posti ka qenë edhe Fatmir Xhafa, ish-ministër i Brendshëm, i cili do të mbahet më shumë mend se ka “spiunuar” disa anëtarë qeverie te ndërkombëtarët, për lidhje me drogën e gjithçka tjetër. Rama tentoi ta largonte nga dera, por Xhafaj në zgjedhjet e kaluara u fut nga dritarja, teksa aktualisht është deputet dhe drejton një komision parlamentar.
Para tij ka qenë diplomati Zef Mazi, një diplomat karriere, kryenegociator i Shqipërisë për integrimin, i cili u largua. Arsyeja? Lidhjet e ngushta me faktorin ndërkombëtar, takimet e shpeshta me ta! Duket se, Rama nuk pranon askënd që zyrtarët dhe ministrat e tij të kenë kontakt të drejtpërdrejt. Madje, edhe në fjalimin e fundit, prej më shumë se 90 minutash, ai theksoi se njeriu me të cilin duhet të flasin ndërkombëtarët është vetëm ai! Por, a nuk ngjason me një “diktaturë” të vogël?!
Nëse të lartpërmendurit i largoi se kishin krijuar lidhje me zyrtarë në BE dhe në Amerikë, po Pirro Vengun përse e largoi? Në muajin nëntor të vitit të kaluar, VoxNews publikoi një artikull se Vengu ishte drejt shkarkimit, për shkak të përplasjeve të forta me Edi Ramën.
Në atë kohë, burime nga Këshilli i Ministrave i thanë redaksisë së VoxNews se Rama i kishte kërkuar me ngulm që të firmosë një kontratë armatimi, të cilën do t’a fitojnë ose më saktë do t’a marrin në “tavolinë” disa partnerë të kryeministrit, por Vengu ka refuzuar. Ultimatumi i Ramës ka qenë se nëse nuk firmos këtë kontratë për partnerët izraelitë, ai do të shkarkohej nga detyra. Pikërisht ajo që ndodhi! (Vox News)