“Si mund të ndodhë kjo?” – Deputeti socialist, kundër “oligarkut” të përkëdhelur nga Rama
Deputeti i Partisë Socialiste, Ermal Pacaj, është rreshtuar publikisht krah banorëve të Rrjollit, të cilët prej javësh janë duke kundërshtuar me forcë ndërtimin e resortit turistik në tokën e tyre.
Përmes një postimi në rrjete sociale, ku dhe ka publikuar pamjet e rënda të regjistruara një ditë më parë, ku një i ri, banor i zonës shihej teksa dhunohej brutalisht me grushta dhe shkelma nga punonjësi i sigurisë, Pacaj e ka dënuar këtë akt.
Deputeti e cilëson këtë ngjarje si të papranueshme, duke theksuar se dhuna nuk mund të jetë kurrë një zgjidhje. Sipas tij, çdo konflikt duhet të marrë zgjidhje përmes drejtësisë dhe institucioneve legjitime, në respekt të së drejtave kushtetuese të qytetarëve.
“Po kjo?! Si mundet me nodhe?! Absolutisht e tepert, shumë. Dënoj dhe e përçmoj goditjen me grushta dhe shkelma kundër banorit dhe banorëve të Rrjollit. Akt i papranueshëm, vandal dhe bandit.
Këto probleme nuk zgjidhen me dhunë e brutalitet, zgjidhen me drejtësi dhe me institucione legjitime, duke respektuar të drejtat e patjetërsueshme që na garanton Kushtetuta”, shkruan deputeti socialist.
Prej afro një muaji, banorët e zonës Baks-Rrjoll vijojnë protestat kundër ndërtimit të resortit turistik “Blue Borgo”, projekt që po zhvillohet në afërsi të Ranës së Hedhun. Përplasjet kanë qenë të herëpashershme dhe në disa raste kanë degraduar në dhunë fizike.
Pavarësisht incidenteve, shoqërimeve të tyre në polici, por dhe në spital, banorët janë shprehur të vendosur për të mos u tërhequr nga kauza e tyre, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të punimeve dhe duke mbrojtur me “thonj” çdo pjesë të tokës.
Nga ana tjetër, kompania ndërtuese Gener 2 e Bashkim Ulajt, oligarkut të “përkëdhelur” nga Rama, ka reaguar duke deklaruar se projekti “Blue Borgo”, është në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar. Sipas kompanisë, procesi gjyqësor për të cilin është folur publikisht nuk ka lidhje me perimetrin ku po zbatohet projekti dhe as me aktivitetin e saj.
Në reagimin zyrtar, kompania ka theksuar se punonjësit e saj janë përballur me tensione dhe tentativa sulmesh, ndërsa ka falënderuar Policinë e Shtetit për menaxhimin e situatës dhe shmangien e incidenteve më të rënda.
“Procesi gjyqësor për të cilin është përfolur në mënyrë tendencioze, siç mund të shihet edhe nga harta ilustruese, nuk ka asnjë lidhje me perimetrin, ku aktualisht po zhvillohet projekti “Blue Borgo” dhe për pasojë nuk ka asnjë lidhje juridike apo faktike me kompaninë.
Gjithashtu, Gener 2 ka ndjekur me shqetësim zhvillimet në terren, ku punonjësit e kompanisë sonë janë përballur me tensione dhe tentativa sulmesh, ku theksojmë se siguria e punonjësve është prioriteti ynë absolut dhe se çdo akt intimidimi apo dhune ndaj tyre duhet të trajtohet me seriozitet maksimal nga institucionet ligjzbatuese”, thuhej ndër të tjera në reagimin e bërë nga kompania.