Edon Zhegrova nuk humbi rastin e ‘artë’ – humbi atë që nuk duhej humbur
Sot mund të ishte një ditë krejtësisht ndryshe për Edon Zhegrovën, për Juventus-in dhe për mijëra tifozë bardhezi që mbushën “Allianz Stadium”-in me shpresë. Mund të ishte nata e ringjalljes, nata e heroit të papritur. Por futbolli, si gjithmonë, zgjodhi dramën.
Pas humbjes së thellë 5-2 në Stamboll ndaj Galatasaray-t, shumëkush e konsideroi mision të pamundur përmbysjen. E megjithatë, Juventus-i tregoi shpirtin e një skuadre të madhe.
Një fitore 3-0 në 90 minuta riktheu besimin dhe dërgoi sfidën në shtesë, në një mbrëmje që u shndërrua në epike. Edhe me një lojtar më pak, pas kartonit të kuq të Lloyd Kelly-t, bardhezinjtë luftuan si të ishin njëmbëdhjetë.
Por futbolli nuk fal. Në shtesë erdhi ndëshkimi. Dy gola që shuan ëndrrën dhe mbyllën një rikthim që për pak minuta dukej i shkruar nga vetë fati.
Juventus-i nuk u eliminua vetëm nga kundërshtari. U “vetë-eliminua”. Raste të shumta të humbura, disa që kufizonin me të pabesueshmen, rikthyen në jetë ligjin e pashkruar të këtij sporti: po nuk shënove, do të pësosh. Kenan Yildiz, Khephren Thuram, Federico Gatti… dhe mbi të gjithë, Edon Zhegrova.
Lotët e Thuram-it dhe dëshpërimi i Zhegrovës në fund ishin pamje që flisnin më shumë se çdo analizë taktike. Ishin dëshmi e shpirtit luftarak, e dhimbjes së një skuadre që dha gjithçka. Por, ndërsa të tjerët morën duartrokitje për performancën, pesha e fajit ra mbi supet e yllit të Kosovës.
Zhegrova pati momentin e tij. Rastin që mund të dërgonte shifrat në 4-0. Rastin që do të “vriste” ndeshjen. Deri në atë çast, ai kishte qenë protagonist – nga këmbët e tij lindën aksionet e golit të dytë dhe të tretë. Ai kishte lënë gjurmë.
Por, historia nuk mban mend aksionet e bukura kur mungon goditja vendimtare.
Nuk ishte thjesht një rast i humbur. Ishte rasti që nuk duhej humbur. Për skuadrën. Për sezonin. Për vetë atë.
Që prej mbërritjes në Torino, 26-vjeçari ka luftuar me dëmtimet, me përshtatjen dhe me hijen e pritshmërive të mëdha. Asnjëherë zgjedhje e parë, shpesh alternativë nga stoli. Pas tre ndeshjeve pa asnjë minutë, trajneri Luciano Spalletti më në fund i dha besim. Dhe pikërisht atëherë kur i duhej më shumë fati, ai i ktheu shpinën.
Nëse ai asistim i Weston McKennie do të përfundonte në rrjetë, ndoshta sot do të flisnim për një hero. Ndoshta karriera e Zhegrovës në Torino do të merrte një tjetër trajektore. Ndoshta sezoni i tij do të rilindte brenda një nate.
Por futbolli nuk jeton me “nëse”.
A duhet të kryqëzohet Zhegrova për atë moment? Absolutisht jo. Historia e këtij sporti është e mbushur me gabime shumë më të rënda, me penallti të humbura që kanë kushtuar tituj kampionësh, trofe evropianë e madje edhe Kupa Bote.
Të mos harrojmë: Kampionët nuk maten nga gabimet, por nga mënyra si ngrihen pas tyre.
Dhe nëse diçka la kjo mbrëmje, përtej eliminimit, ishte prova se Juventus-i ka ende shpirt. Ndërsa për Zhegrovën, ndoshta ishte nata më e dhimbshme – por edhe ajo që mund ta forcojë më shumë. Sepse ndonjëherë, heronjtë lindin pikërisht nga plagët më të thella.