Çfarë ndodhi me “videon intime të Ballukut” dhe kush është pas medias austriake që e botoi?
Nga Dorin Xhima
Një artikull që pretendonte një “video intime” që i atribuohej zv.kryeministres shqiptare Belinda Balluku u publikua dhe më pas u hoq nga portali mediatik që e botoi.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në media dhe në rrjete sociale.
Artikulli u botua nga faqja Exxtra24.at me bazë në Austri. Me titullin “Akuza ndaj zëvendëskryeministres: video seksuale, tensione politike dhe hetime tronditin Tiranën”, artikulli referonte se në rrjete dhe grupe online po qarkullon një video e Ballukut me përmbajtje private.
Portali përdori formulime të tilla si “raportohet se” dhe “sipas burimeve jozyrtare”, duke nënvizuar se autenticiteti i materialit dhe identiteti i personave në video nuk ishin konfirmuar nga asnjë burim zyrtar.
Artikulli gjithashtu përmendte se ky filmim është përdorur për shantazh dhe favore në atë që paraqitej si “tension politik në Tiranë”.
Aetikulli u përfshi në raportimet e disa mediave shqiptare dhe pas këtyre raportimeve ai nuk është më i disponueshëm në faqen origjinale të Exxtra24.at. Duket se tashmë ai është fshirë nga platforma.
Nuk ka njoftime nga portali Exxtra24.at mbi arsyet për heqjen e artikullit.
Sipas informacioneve, Exxtra24.at është një portal lajmesh online që nisi publikimin më 13 janar 2025.
Ai u themelua nga një ekip mediatik austriak, me Markus Posset si botues/drejtor dhe fillimisht Richard Schmitt si redaktor kryesor. Posset është një sipërmarrës mediatik austriak dhe konsull nderi i Shqipërisë në Austri.
Portali ka pasur bashkëpunime me figura mediatike, p.sh. Mat Schuh, një kolumnist austriak që shkruan opinionet e tij javore.