28 Mars, 2026

Dhe kështu foli ChatGPT

 Dhe kështu foli ChatGPT

Nga Vitjon Nina

Dikush e pyeti ChatGPT nëse duhet të ikte me makinën për ta larë në lavash, apo më këmbë. Pas një analize të gjatë, ChatGPT sugjeroi se nëse nuk ka kushte ekstreme moti dhe nëse nuk ka shtrëngim kohe në mënyrë urgjente, më mirë bie më këmbë.

Dhe kështu foli ChatGPT!

Problemi me Inteligjencën Artificiale nuk ka qenë në debatin e frytshmërisë, sa në aspektin e logjikës së pastër.

I vënë përballë dilemave, duket se entiteti AI që ka gllabëruar vëmendjen dhe aftësinë e botës për të vënë trurin në punë, nuk e ka shumë të thjeshtë përqendrimin.

Në aspektin logjistik, ai bën një analizë të shkëlqyer, i vënë përballë kërkesës: Makina ime ka nevojë të lahet. Lavazhi është 100 metra tutje. Më mirë të eci deri atje, apo të marr makinën?

Çdo aspekt që analizon ChatGPT është i saktë në përgjigjen e stërzgjatur të faktorëve pro dhe kundër njërës, apo tjetrës. Çalon vetëm në diçka, në problemin më bazik të logjikës së kësaj pyetjeje: Për çfarë të duhet të shkosh në lavazh më këmbë, pa marrë makinën që duhet ta lash?

Janë mijëra pyetje të tilla që mund të krijojnë kolaps në AI, për mënyrën si algoritmi punon dhe vetëzhvillohet.

Dhe kurioziteti mbi këtë çështje, shtyn të drejtohesh te ekspertët.

Julia Dungu, një eksperte e re në fushën e Inteligjencës Artificiale, e cila e zhvillon aktivitetin e saj kryesisht në degën e Machine Learning (fusha që i lejon sistemet AI të mësojnë përmes të dhënave që futen aty) dhe ushtron kompetencat e saja pranë gjigandit mediatik gjerman Deutsche Welle, e cilëson për Albanian Post se “djalli” në këtë rast, fshihet në detaje.

Është shumë e rëndësishme sipas Dungut ajo që njihet si “Prompt”, pra pyetja që i shtrohet një sistemi AI, ChatGPT në këtë rast. Përgjigja e sistemit, është krejtësisht e ndikuar nga prompti.

Sa më pak “zhurmë” të injektohet në pyetje dhe sa më e qartë të jetë, aq më e mirë dhe e logjikshme është përgjigja e ChatGPT.

Dungu shfaq një grafik të tillë logjistik për ta thjeshtuar shpjegimin:

Pyetja funksionon si një sistem specifikimi dhe si përzgjedhës i rrugës së arsyetimit.

Për shembull, pyetjet e mëposhtme:

-“Më shpjego demokracinë”.

-“Më shpjego demokracinë duke përdorur game theory”.

-“Më shpjego demokracinë nga një perspektivë marksiste”.

Secila prej këtyre pyetjeve aktivizon rrugë të ndryshme arsyetimi brenda modelit. Për këtë arsye, duhet të jemi kritikë dhe të qartë në formulimin e pyetjeve.

Ndaj përgjigje të tilla mund të shmangen nëse “zhurma” në pyetje shmanget. Ose, fjala bie, nëse ngarkohen në sistemin e AI-t që po përdoret imazhe si shtojcë, apo materiale, të cilat në raste të tilla, do të trajtoheshin si kontekste parësore për analizën që do të ofronte ChatGPT.

Cila do të ishte një pyetje e saktë për të marrë përgjigjen më të drejtë në këtë aspekt? Sipas Dungut, është e tillë: “Unë jetoj në X. Dua të laj makinën sot. Të lutem, më jep një listë të lavazheve afër këtij lokacioni, jo më larg se X kilometra”.

Në këtë mes, duke iu referuar edhe informacioneve ku vetë sistemi bazohet, sa më i vjetërsuar ai, aq më të vakëta janë edhe përgjigjet. Pra, një sistem i ri, i përditësuar me materiale të reja, është më i prirur të japë përgjigje më të logjikshme dhe të përshtatshme me kërkesat tona.

Përtej kësaj gjithsesi, ekspertja argumenton se duket pasur kujdes me pyetjet specifike faktike, ose me pyetje që i referohen një periudhe të caktuar kohore, për të shmangur problemet me përgjigjet e sistemit AI, pasi sado logjik të jetë, ai mbetet probabilistik dhe probabiliteti nuk eliminohet në asnjë rrethanë.

“Versionet më të avancuara janë më të afta në ndërtimin e kodit kompleks, analizimin e dokumenteve (p.sh. Excel), strukturimin e prezantimeve etj.”, arsyeton Dungu. “Megjithatë, duhet mbajtur mend gjithmonë se kemi të bëjmë me modele probabilistike dhe jo deterministe – ato optimizojnë probabilitetin statistikor të përgjigjes, jo domosdoshmërisht realitetin objektiv”.

Këtu ku ndahet aftësia logjistike e AI, nis pikërisht edhe arsyetimi logjik dhe dilema morale.

Shembujt janë të shumtë, me persona që ChatGPT, apo sisteme të tjera, i kanë shtyrë drejt vetëvrasjes me “këshillat e dhëna” pas kërkesave.

Pra, në rastet kur Inteligjenca Artificiale shihet si Ungjilli, edhe pse jo vetë Zoti, përveçse implikimet i ka të tilla.

Mjeti është aq i aftë sa përdoruesi pra dhe siç thekson edhe ekspertja Dungu, Ungjilli i vërtetë është “Prompti” – me të, njeriu.

Dhe kështu – nuk – foli ChatGPT!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *