28 Mars, 2026

Ditmir Bushati “shpërthen” kundër Ramës: PS ka degraduar nga profesorët, tek këta deputetët e sotëm

 Ditmir Bushati “shpërthen” kundër Ramës: PS ka degraduar nga profesorët, tek këta deputetët e sotëm

Ditmir Bushati, ish-ministër i Jashtëm i qeverisë së majtë, i larguar prej kohësh nga zhvillimet aktuale të brendshme në qeverisje, ka komentuar për gazetarin Mentor Kikia zhvillimin e partive politike në vend dhe financimin e tyre. Bushati thotë se është shumë e vështirë për të rinjtë të zgjedhin një parti politike mbi idealizmin që kanë, por këtë e bëjnë për interesa personale të çastit. Bushati thekson se Shqipëria do të përballet me dy reformat kryesore të BE që kanë të bëjnë me politikën e median, por kushdo që do të ndërmarrë këto reforma, do të ketë edhe kosto personale.

“Ne vuajmë nga mungesa e aktivizmit politik që është si puna e qarkullimit të gjakut në vena për një parti politike dhe për një shoqëri. Për fat të keq një pjesë e mirë e njerëzve priren për tiu bashkuar një partie politike për qëllime të ngushta personale, dhe jo për jetësimin e ideve të caktuara. Vende të cilat kanë demokraci të konsoliduara është shumë e kollajshme per të bërë diferencën mes një socialdemokrati, liberaldemokrati, apo kristiandemokrati apo konservatori…në 60 sekonda një i ri, apo një anëtar i ndonjërës nga familjeve e identifikon veten për shkak të vlerave në te cilat beson dhe për shkak të ceshtjeve që janë në interes për të.

Ne jemi një demokraci e brishtë, kemi luhatjet tona. Ka pasur momente kur partitë tona politike në Shqipëri, kanë pasur një jetë relativisht të shëndetshme. Sikurse kanë pasur edhe momente të errëta. Por kjo duhet të shihet në gjithë ekosistemin institucional. Partitë politike nuk mund të shihen të veçuara nga pjesa tjetër e institucioneve dhe pjesa tjetër e shoqërisë. Për fat të keq ne kemi një SUNDIM në pozicione të caktuara, jo thjesht në partitë politike, por edhe tek institucionet e shtetit, institucionet akademike, të botës së sportit e kështu me radhë.

Mentor Kikia: Përveçse ka kryetarë të përjetshëm është vështirë të identifikosh të dytin në radhë. A mund ligji që do të duhet të diktojë procesin zgjedhor, mund të krijojë hapësira që përmes garës të krijohet frymëmarrja për njerëzit që kanë ambicie?

Ditmir Bushati: Ligji në vetvete për partitë politike është i rëndësishëm, por nuk është gjithçka. Na duhet të kemi reflektim për historinë tonë politike. Ne kemi diskutuar shpesh për Italinë se pse ka pasur qeveri të brishta dhe kishte parti të një koalicioni të caktuar. Sepse ishte një vendim i klasës politike për të mos përsëritur pushtete në duar të forta. E njëjta gjë ishte në Gjermani për një sistem me kontroll. Ne në Shqipëri për fat të keq nuk e kemi nxjerrë këtë mësim. Sa herë kemi bërë arnime për partitë politike dhe sistemit zgjedhor, kemi pasur në vëmendje pushtetin e udheheqësit dhe jo gjithë trupën. Dhe këtu është zanafilla për ndryshimin e kulturës politike në Shqipëri. Kjo është një nga arsyet se pse ne sot për fat të keq jemi katandisur në një politikë pa politikanë. Sot është e vështirë te partitë tona kryesore për të identifikuar grupe, se fraksione është fjalë e madhe që kanë mendim të caktuar.

P.sh, PS e dikurshme kishte grupimin e profesorëve, kishte grupimin e njerëzve që vinin nga Partia e Punës dhe kishte grupimin e eurosocialistëve që ishte një shkëndijë shumë e madhe demokratike për një parti që vinte na një histori me të shkuar të errët. Dhe në PD kemi parë grupe të ndryshme me fizionomi të ndryshme. Nuk mendoj se këto grupe kanë pasur një prerje me thikë nga pikëpamja ideologjike apo programore, gjithsesi krijonin një dinamikë të brendshme, dhe në të, herë triumfonte sensi i demokracisë dhe përgjegjësisë kolektive, me çedime të mëdha nuk diskutohet për shkak të mungesës së traditës dhe herë triumfonte UNI i drejtuesit të partisë. Sot për fat të keq jemi në situatë shumë pak diskutojmë për këto tema që flasim.

Mentor Kikia: Një çështje e debatuar është ajo e mungesës së transparencës së financimit dhe pse ka një ligj që i detyron partitë ta bëjnë këtë. Sa ndikojnë në korrupsionin e të nesërmes financimet e dyshimta nga kompani te ndryshme?

Ditmir Bushati: Ju e thatë për kompani. Për fat të keq Shqipëria ka një problem serioz për financimin e politikës në përgjithësi dhe penetrimin e parasë që vjen nga korrupsoini apo bota e errët e krimit apo aktivitetet e paligjshme. Pjesë e financimit të errët të politikës unë konsideroj edhe një reformë tërësore në media. Janë dy komponentë që janë të rëndësishëm edhe në anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Çdo qeveri apo grup politikanësh që do të ndërmerrte këto dy reforma që janë domosdoshmëri për vendin por edhe kusht për anëtarësimin në BE, mendoj se do të rrezikonte jo pak nga pikpamja e karrierës politike, por është domosdoshmëri. Por mënyra sesi financohet jeta politike dhe media sidomos në një dekadë e gjysëm të fundit, është shumë problematike dhe nuk krijon mundësi për një terren politik normal ku në fund të ditës qytetarëve u jepet mundësia të votojnë pas një gare relativisht të drejtë e të ndershme.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *