Përse PD i bën protestat natën?
Nga Armir Shkurti
Përse PD i bën protestat natën?
– Sepse ditën nuk duken fishekzjarret.
Le ta nisim nga “efektet piroteknike”. Përvoja kaqvjeçare na provon se tek e fundit, qëllimi i këtyre protestave mbetet spektakli piroteknik, me këllcaca, fishekzjarre dhe zjarr. Madje kot harxhohet koha me fjalime. Sikur të nisë thjesht me zjarr e zhurmë, më e sinqertë do të jetë.
Le të theksojmë se as zjarri as fishekzjarri deri më tani as kanë djegur as kanë thyer gjë. Njëlloj si në stërvitjet ushtarake ku duket si luftë por palët përdorin fishekë manovre dhe shashka.
Në qoftë ky qëllimi, them se është arritur. Bota larg nesh ndoshta trembet nga plasjet dhe zjarret. Por këtu, nuk i plas njeriu, sepse tashmë të gjithë e ndjejnë që është lojë.
Ju kujtohet përralla e bariut që thirri “ujku! ujku!” ?
U turrën shokët ta ndihmonin, por kur vajtën atje ai qeshte e tallej se e kish bërë për shaka. Kur i ra ujku vërtet në dhen, nuk e luajti bythën njeri, se mendonin se po tallej.
“Ujku! Ujku!” më doli bash më 20 shkurt sivjet, tek kujtimet e facebook – ut. 3 vjet më parë Berisha thërriste demokratët për… “revolucion paqësor”! E beson dot?
Javën e kaluar qarkulloi spoti i “rrëzimit të shtatores së Edi Ramës”. I bërë me IA dukej. Një sinonim grafik i rënies së shtatores së Enver Hoxhës 35 vjet më parë. Dolën opozitarët, plasën fishekzjarrët, plasi gazi, shpërtheu uji dhe njerëzit erdhën vërdallë nëpër Tiranë pa kokë e pa bisht. Kë hodhëm?…….
Kë rrëzuam…..?
Kush u trondit…..?
“Ujku! Ujku!”
Opozitarët vazhdojnë të dalin, të dënuar të besojnë dhe të shpresojnë tek ato që thotë udhëheqja.
Ndërkohë që “udhëheqja” është një individ, vetë vali e vetë kadi, të cilit i thonë “amin” një tufë hienash të cilët mezi ç’presin ikjen e Berishës për ta marrë o të gjithën ose një copë të mirë nga partia më e madhe e opozitës.
Narkoshteti:
Nëse opozita e konsideron regjimin e sotëm “narkoshtet”, “bandë të krimit të organizuar” vetvetiu strategji për ta përmbysur nuk mund të ofrojë as ndryshime në kodin zgjedhor, as fjalime, as fishekzjarre. Kujdes! Thashë ” as fishekzjarre”, jo “as protesta”. Por kur them “protesta” nuk kam parasysh këtë klishenë 35 vjeçare me hartime patetike e pastaj me “bam – bum”. Sot, për shembull, Korça dhe Pogradeci duhej të qenë në shesh për shkak të izolimit nga keqadministrimi i rrugëve. Pa molotov, pa zjarr, pa të çjerra e hartime….
Drita në fund të tunelit.
Në këtë “kilometër të fundit” ne kemi të drejtën të shohim dritën. Dhe Berisha ka detyrën të na e tregojë atë. Cila është drita?
Është, në rradhë të parë, oferta. Pra çfarë jep PD e Berishës ndryshe nga Rama?
Intermexo:
Kur dikush artikulon këtë që sapo thashë unë, lukunia e hienave lëshohen me: “i shitur!” “Sa të ka blerë Rama?” “Mor plehrë, krahason drogaxhiun Rama me Berishën ?” e pordhë syfyri prej këtyre, që thjesht vërtetojnë tezën se, nuk janë më të mirë “ata” apo më të këqinj “këta”. Thjesht lufta për pushtet është një fëlliqësi njerëzore ku qëllimi justifikon çdo mjet…
Vazhdojmë:
ÇFARË OFRON BERISHA NDRYSHE NGA RAMA?
Ndershmërinë?
Mirë, po e zemë një çast që ky është burri më i ndershëm e i drejtë në Shqipëri. Po ia falim edhe që na deklaroi pas zgjedhjeve se e dinte që do humbiste më 11 maj por na gënjeu për të mirën tonë, për të na mbajtur karikuar…. Por çfarë garancie kemi ne për kabinetin e tij?
Nëse regjimi i sotëm është NARKOSHTET, çfarë mjetesh na propozon kjo forcë për ta neutralizuar pushtetin e mafias ndërkombëtare të lëndëve narkotike mbi politikën shqiptare, administratën përkatëse dhe gjithë sistemit në përgjithësi? Pa e ditur rrugën si mundet të hyjmë në këtë moçal në terr?
Pra, më e pakta shqiptarëve, pa dallim politik, i duhet treguar mënyra e çmontimit të NARKOSHTETIT dhe, njëkohësisht, koncepti i rindërtimit të republikës, demokracisë, ekonomisë dhe garancive për mosrënie në të njejtat pozita.
Unë nuk di të ekzistojë as e para, as e dyta. Nëse janë, ju lutem mi tregoni dhe unë kërkoj ndjesë publike.
Kthehemi tek “zbori”, ose “lufta me shashka dhe fishekë manovre”.
Ndër vite, çdo lëvizje politike e Berishës vetëm më ka shtuar argumente në tezën time se Rama & Berisha janë aksionerët e vetëm të Shqipërisë. Establishmeni i tranzicionit kontrollohet 100% prej tyre. Rama të vetët, Berisha kundërshtarët. Qëllimi i të dyve është konsolidimi i oligarkisë, pjesë e rëndësishme e së cilës janë që të dy. Për këtë arsye sot Edi Ramës i duhet “vaditja” e opozitarëve me ujë e piper dhe “dezinfektimi” me gaz. Mllefi i pashfryrë mund ti shpërthejë papritur aty ku s’e kontrollon dot. Ndërsa këtu është shumë e lehtë. I sjell “baca” cjepërit te kasapi, i shkalafit me ujë, gaz e dajak policia duke “i qetësuar” ata dhe këdo që e sheh këtë manovër zboristësh.
Përsëritja e të njejtit skenar pa kokë e pa qëllim ( përveç bërjes zhurmë )
1 – Atrofizon çdo aktor dhe nismë tjetër opozitare, duke konfirmuar monopolin absolut të Berishën mbi opozitën
2 – Lodh dhe demotivon çdo militant që shpreson tek ndonjë mrekulli ndryshimi
3 – Forcon pushtetin e Ramës, i cili nga protesta në protestë po shton represionin dhe frikën ndaj protestuesve
4 – Vret shpresën për rrëzimin e pushtetit kriminal të Ramës përmes mekanizmave politikë
5 – Shuan, përmes kontrollit, zemërimin popullor
6 – I jep mundësi regjimit të shtojë pambarim kohë në jetëgjatësinë e tij, përmes ngjalljes dhe ushqimit të iluzioneve dhe shpresave të rreme.
Konkluzioni:
Me këtë skenar zbori, për sa kohë tu japë ymër Zoti… do kemi situatën këtu në këtë fotomontazh