Letra e Bledi Manes: Përmeti dhe Këlcyra duhet të bashkohen në një Bashki
Nga Bledi Mane
E dashur kryebashkiakja e Përmetit, koha është tani!
***
Mblidhi dy këshillat bashkiakë të Përmetit e tē Këlcyrës, flisni, debatoni e shtroni ide për prespektivën, shpallni bashkimin dhe informoni Komisionin Parlamentar të Reformës Territoriale bashkë me Qeverinë. Të jesh ti e para tu kërkosh autoriteteve në Tiranë që mandatin tënd të tretë ta qeverisësh Përmetin me Këlcyrën në një Bashki të vetme.
Dy bashki të vogla e të varfëra siç jeni tani prodhojnë vetëm dembelizëm e mediokritet. Dy bashki të vogla siç jeni tani thjesht janë dy strehëza ku sistemohen me ndonjë punë vetëm militantët partiakë dhe nuk prodhohet asnjë e ardhur e nuk vilet asnjë taksë.
Bashkia e madhe Përmet-Këlcyrë do ketē më pak shkolla por më shumë nxënës, do thithë më shumë investime në bujqësi e në blektori, do braktisen fshatrat e thellë por do popullohen fshatrat buzë luginës e buzë rrugëve nacionale. Do ketë më shumë vende pune, më shumë projekte, turizmi nuk do mbetet vetëm në Përmet por do përhapet edhe nē Këlcyrë.
Do rikthehen investimet në industrinë ushqimore e do ketë një transport publik të unifikuar. Do ketë dy skuadra futbolli aktive, nuk do ndodhë më që kur Përmeti këndon e feston, Këlcyra fle gjumë por edhe këlcyriotët do kenë aktivitete kulturore e argëtuese si Përmeti dhe kultura do shpërndahet në të dyja polet.
Klement Ndoni pas 16 vjetësh nuk do jetë më kryetar bashkie dhe Këlcyra do çlirohet prej grykësisë dhe pangopësisë së tij. E vetmja gjurmë që ai la është edhe tani e dukshme, e ktheu Këlcyrën në parkingun privat me 11 makinat e tij të shtrenjta. Nejse për Klemin dhe varfërimin shpirtëror e material që i bëri Këlcyrës do flasim herë tjetër edhe në media, edhe në Spak por sot në letrën time të dytë publike dua që ti e dashur Alma, të kontribosh në bashkimin historik. Dhe do e shohësh që edhe vëmendja e përmetarëve apo këlcyriotëve të larguar do jetë më e madhe.
Ata do vinë ta vizitojnë më shpesh vendlindjet e tyre, do shpenzojnë më shumë lekë në shtëpi, hotele, bujqësi, ekonomi lokale. Shumë prej tyre do të duan të kthehen nga Tirana apo emigracioni të investojnë apo pleqërojnë në bashkinë e re e të fortē. Duhet thjesht vullnet dhe dëshirë, duhet sinqeritet e dashuri që Përmeti me Këlcyrën të kthehen në shtëpinë e madhe të përbashkët ku të jetohet e të punohet në paqe e tu kthehet lavdia e krenaria e dikurshme!
Faleminderit nga Bledi Mane,
partizan i bashkimit Përmet-Këlcyrë