Gazetari i njohur masakron Alma Hoxhën: Po fle gjumë, ndërsa Përmeti po degradon
Nga Bledi Mane
E dashur kryebashkiake, sezoni i ri turistik është në prag dhe uroj që në planet e tua të afërta të jetë një takim me operatorët turistikë lokalë. Duhet patjetër një debat i madh publik ku të orientohet turizmi e tu tërhiqet veshi.
-Përmeti sot ka restorantet më të shtrenjta në Shqipëri dhe çmimet e larta trembin turistët. Nëse dikush ulet një herë, llahtariset nga çmimet e kripura dhe nuk besoj se shkel më në atë vend.
-Në lokalet dhe baret e Përmetit ekspresi i kafesë mbyllet në orën 1 të drekës dhe ndizet mëngjesin e ditës tjetër. Asnjë lokal në Përmet nuk të ofron çaj apo prodhime vendase dhe imagjino një turist nga Tirana apo nga Vjena që vjen në Përmet nuk ka alternativë tjetër por i shërbehet lëng pjeshke Bravo në kanaçe i prodhuar në Austri.
-Glikotë dhe bulmeti i Përmetit kushtojnë më shumë në Përmet ku prodhohen se sa në marketet e Shkodrës, Tiranës apo Korçës.
-Hotelet shtohen çdo ditë dhe çmimet e tyre nuk janë të njëjta por rriten çdo javë më shpejt se niveli i ujit të Vjosës në dimër.
-Meqënëse përmenda Vjosën, lumi ynë ka 6 muaj që mbrohet nga UNESCO por deri tani asnjë event kombëtar e ndërkombëtar nuk është organizuar dhe asnjë tabelë referuese gjigande nuk është vendosur në hyrjen dhe në daljen e tij në gjuhët shqip e anglisht. Ndërkohë sapo më kanë njoftuar se dy projekte për lumin Vjosa me nga 4 milionë euro secili të financuara nga Qeveria Italiane dhe Bashkimi Evropian janë mbajtur të fshehta dhe paratë e tyre i kanë përpirë duke mos lenë aty asnjë gjurmë. Ndërkohë numri i lartë i varkave për rafting në Vjosë ka zbehur dhe ka harruar fare guidat turistike “hiking” në malet dhe fshatrat e bukur të Përmetit.
-Punimet në banjat e Bënjës po përfundojnë dhe duhet të hartohet patjetër një plan menaxhimi se si do operohet me shërbimet, parkimet, sigurinë dhe pastërtinë.
-Duket sikur Përmeti e pret çdo gjë nga Tirana por mos harrojmë që Tirana ka halle të mëdha me politikën e me Spak-un e nuk ia ka ngenë turizmit në Përmet. Duhet të jemi vetë ne përmetarët që ashtu siç e ngritëm turizmin ta menaxhojmë e ta zhvillojmë më racionalisht duke e kthyer së bashku me bujqësinë dhe kulurën në tre miniera të fitimit të parasë dhe të hapjes së vendeve të punës.
-Një strategji afatgjatë për 10 vitet e ardhshme i duhet patjetër turizmit përmetar duke pasur parasysh që investimet dhe mikpritja, jo harbutëria, të mbizotërojë këtë industri.
-Para se ta përfundoj letrën time, desha të falënderoj djemtë e Repartit të Zjarrfikësve dhe ata të Zonave të Mbrojtura të cilët janë roje vigjilentë të jetëve e të mbarëvajtjes së turizmit dhe ti tërheq veshin policisë së Përmetit të tregohet miqësore me turistët e të mos vendosë çdo ditë 70 gjoba kur në qytet qarkullojnë 35 makina…
Faleminderit për vëmendjen kryetare e mirutakofshim në festivalet e bukura që na presin të cilët nisin më 14 mars me Ditën e Verës dhe vazhdojnë në muajin maj me Vjosart International, Festivali Nona në gusht e plot surpriza të tjera që do i zbulojmë vetëm në gazetën lokale digitale Bashkësia Përmet
Me respekt
Bledi Mane
Promovuesi më i madh i Përmetit të të gjitha kohërave