“Këtu në çmendinën e Vlorës, vizitat bëhen vetëm të enjteve” – Pëllumb Kulla nxjerr letrat emocionuese për të shoqen
Regjisori i njohur Pëllumb Kulla, ka nxjerrë disa prej letrave emocionuese që ka shkruajtur ndër vite për të shoqen, aktoren Xhulieta Kulla.
Letrat e Kullës
Se mos dëshiron që të më vish pa pritur!?… Hiqe nga mendja! Ti je i vetmi njeri në botë, që nuk vjen dot papritur. Se unë të pres dhe pritja ime nuk bën pushim asnjë sekondë!
***
Të pres! Të pres! Të pres! ….
Më ke thënë për nesër. Nëse të ndodh gjë më dërgo një telegram.. Po unë të pres ty dhe jo telegramin.
Pra të lutem, mos! Mos ma dërgo! Po e bëre këtë, bëje! Pastaj eja të më takosh kur të duash… Por kij parasysh, se këtu, në çmendinën e Vlorës, vizitat bëhen vetëm të enjteve!
***
E pe sa të shkurtëra janë netët në Vlorë? Herën tjetër… kur tẽ viish herën tjetër, unë do të të marr dhe do të të shpie në Pol, në njërin nga polet! Thonë që atje nata vazhdon gjashtë muaj!
***
E dashur unë kam arritur në një fazë, saqë cfarëdo të të shkruaj ato më dalin letra dashurie. Unë nuk të drejtohem dot pa dashuri.
Unë të them “të dua” me dashuri! Do të të them “si u gdhive?” me dashuri! Do të të them “më hekuros këmishën” – ta them me dashuri. Jo si të tjerët!