28 Mars, 2026

6 arsye pse SHBA dhe Irani janë në prag të luftës

 6 arsye pse SHBA dhe Irani janë në prag të luftës

Nga Rajmonda Basha

Një përplasje e drejtpërdrejtë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit duket më pranë se kurrë.

Presidenti amerikan Donald Trump ka shtuar presionin ndaj Teheranit, ndërsa zhvillimet diplomatike dhe ushtarake në rajon sinjalizojnë një rrezik real për përshkallëzim të madh.

Megjithatë, pavarësisht tensioneve, diplomacia mbetet ende një mundësi.

Ja gjashtë faktorët kryesorë që e çojnë situatën drejt një konfrontimi të mundshëm.

1- Mosmarrëveshja e vjetër për programin bërthamor

Kriza aktuale buron nga kontestimi shumëvjeçar mbi programin bërthamor iranian.

Administratat amerikane kanë deklaruar vazhdimisht se do të pengojnë Iranin të sigurojë armë bërthamore.

Në vitin 2015, ish-presidenti Barack Obama arriti një marrëveshje me Teheranin për kufizimin e programit bërthamor. Por Trump u tërhoq nga marrëveshja gjatë mandatit të tij të parë, duke kaluar në një strategji “presioni maksimal”.

Përpjekjet e mëvonshme të Joe Biden për të rikthyer marrëveshjen dështuan. Pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump vendosi një afat 60-ditor për arritjen e një marrëveshjeje të re.

Kur afati skadoi në qershor, Izrael goditi objektiva iraniane, ndërsa SHBA-të iu bashkuan sulmeve disa ditë më vonë, duke bombarduar impiante nëntokësore bërthamore.

Edhe pse Trump deklaron se synon një marrëveshje të re, deklaratat e tij dhe të aleatëve të tij për “ndryshim regjimi” lënë të kuptohet se një operacion i ri mund të shkojë përtej objektivave bërthamore.

2- Shtypja e përgjakshme e protestave

Në fillim të janarit, Trump paralajmëroi Iranin se do të përballej me pasoja ushtarake nëse vazhdonte shtypjen e protestave masive.

Demonstratat, të nxitura nga kriza ekonomike, u shoqëruan me thirrje për rrëzimin e regjimit.

Sipas raportimeve, mijëra protestues u vranë nga forcat e sigurisë. Regjimi bllokoi internetin dhe mbylli hapësirën ajrore. Trump deklaroi se SHBA-të ishin “gati për veprim”, por shtyu vendimin për shkak të mungesës së aseteve të mjaftueshme ushtarake në rajon.

Më pas, SHBA-të rifilluan bisedimet bërthamore, ndërkohë që dërguan aeroplanmbajtëse dhe avionë luftarakë në Gjirin Persik.

3- “Arma e Çehovit”: dislokimi i aeroplanmbajtëseve

Vendosja e dy aeroplanmbajtëseve amerikane pranë Iranit ka rritur pritshmëritë për një goditje të mundshme.

Në doktrinën ushtarake, një dislokim i tillë sinjalizon gatishmëri për operacion të gjerë.

Duke pasur parasysh profilin politik të Trump dhe mungesën e përparimit në negociata, tërheqja pa veprim do të shihej si dobësi strategjike.

Prania e forcave ajrore dhe detare sugjeron se infrastruktura për një fushatë të zgjeruar tashmë është në vend.

4- Presioni nga Izraeli

Qeveria e Izraelit po përgatitet për një skenar lufte dhe po mbështet një operacion shumë më të gjerë sesa goditjet e kufizuara të mëparshme.

Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe Trump kanë koordinuar ngushtë qëndrimet. Sipas zyrtarëve, një fushatë e përbashkët SHBA-Izrael mund të synojë jo vetëm programin bërthamor dhe raketor, por edhe dobësimin e vetë strukturës së regjimit iranian.

5- Faktori i naftës

Tregu global i naftës aktualisht është relativisht i furnizuar mirë, me çmime të moderuara dhe rritje të kufizuar të kërkesës.

Kjo krijon një “dritare strategjike” për veprim ushtarak, pasi ndikimi fillestar ekonomik mund të jetë i menaxhueshëm.

Megjithatë, një konflikt do të rriste menjëherë çmimet, veçanërisht për shkak të rolit të ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e tregtisë globale të naftës.

Deri më tani, Irani nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për ta mbyllur plotësisht këtë rrugë jetike.

6- Perceptimi i dobësisë së regjimit iranian

Protestat masive dhe goditjet e vitit të kaluar nga Izraeli dhe SHBA-të kanë krijuar perceptimin se regjimi iranian është më i dobët se më parë.

Rrjeti i grupeve të armatosura aleate të Iranit në rajon është dobësuar ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit.

Kjo mund të shtyjë Washingtonin dhe Tel Avivin të besojnë se reagimi iranian do të jetë më i kufizuar.

Por për Teheranin, situata aktuale mund të perceptohet si ekzistenciale – çka rrit rrezikun e një përshkallëzimi të pakontrolluar.

Çfarë pritet?

Megjithëse retorika dhe përgatitjet ushtarake sinjalizojnë rrezik të lartë, diplomacia nuk është përjashtuar plotësisht.

Një marrëveshje e minutës së fundit për programin bërthamor mund të shmangë konfliktin.

Megjithatë, nëse negociatat dështojnë, rajoni i Lindjes së Mesme mund të përballet me një konflikt të gjerë me pasoja globale – politike, ushtarake dhe ekonomike.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *