200 gra përfundojnë në rrugë, në Përmet
Në Përmet u mbyllën fasoneritë dhe me to u shua edhe e vetmja dritë ekonomike për rreth 200 gra që punonin aty.
Për shumë prej tyre, ajo rrogë modeste ishte e vetmja e ardhur në familje – ishte buka e fëmijëve, ilaçi i prindërve, pagesa e dritave dhe e ujit.
Mes këtyre 200 grave kishte jo vetëm banore të Përmetit, por edhe gra nga qyteza e Këlcyrës, të cilat udhëtonin çdo ditë për të siguruar të ardhurat e familjeve të tyre.
Sot ato janë përballë të njëjtit realitet të vështirë: pa punë, pa alternativë, pa siguri për të nesërmen.
Në një zonë ku mundësitë e punës janë të kufizuara dhe rinia ka marrë rrugët e emigrimit, mbyllja e fasonerive është një goditje e rëndë sociale dhe ekonomike.
Pasojat nuk prekin vetëm 200 punonjëse – prekin qindra familje dhe një komunitet të tërë që po zbrazet çdo ditë.
Nuk mjafton të flasim për zhvillim në letër. Zhvillimi matet me vende pune konkrete, me paga që mbajnë familjet, me politika që nuk e lënë qytetin dhe zonat përreth të shuhen.
Sot 200 gra janë pa punë. Nesër mund të jetë radha e të tjerëve.