28 Mars, 2026

Media britanike, për Hashim Thaçin: Burrë shteti dhe njeri i paqes

 Media britanike, për Hashim Thaçin: Burrë shteti dhe njeri i paqes

“Burrë shtetas” dhe “njeri i paqes”, kështu e përshkroi media britanike The Independent mënyrën se si ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e paraqiti veten në fjalën përfundimtare në Dhomat e Specializuara të Kosovës të Gjykatës Speciale.

Teksa ai fliste për rolin e tij në luftën për liri dhe përkushtimin ndaj paqes, emocionet në sallë ishin të dukshme. Mbështetësit në galerinë publike të gjykatës, të shtyrë nga dëshira për t’i bërë me dorë ish-presidentit, u afruan drejt murit të xhamit që i ndante nga salla, ndërsa një burrë nuk mundi të fshehë lotët e tij. Ky moment reflektonte lidhjen e thellë midis figurës së Thaçit dhe popullit që ai përfaqësonte.

Në fjalimin e tij të mërkurën, Thaçi kujtoi para të pranishmëve dhe trupit gjykues se u kthye nga studimet në Zvicër për të mbrojtur atdheun kundër sulmeve brutale nga Serbia dhe se më pas u bë një përfaqësues kyç i UÇK-së në bisedimet e paqes të ndërmjetësuara nga Perëndimi, e më vonë president i vendit të tij.

Në deklaratën përmbyllëse para gjykatës, Thaçi, i cili ka këmbëngulur gjithmonë se është i pafajshëm, tha se “i vetmi vendim i drejtë do të ishte shpallja ime plotësisht i pafajshëm”.

“Gjatë gjithë jetës sime kam qëndruar me popullin e Kosovës duke mbrojtur lirinë, jetën dhe dinjitetin. Gjithmonë jam udhëhequr nga idealet perëndimore të demokracisë, barazisë dhe drejtësisë”.

“Nuk u ktheva për të rrezikuar jetën time për kontroll apo për pushtet. U ktheva në atdheun tim, duke rrezikuar jetën, për liri dhe për paqe”, u tha Thaçi, gjykatësve.

Deklaratat përmbyllëse të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës erdhën një ditë pas marshimit masiv në Prishtinë, ku mijëra qytetarë dolën për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj Thaçit dhe ish-luftëtarëve të tjerë, ndërsa vendi shënoi 18-vjetorin e pavarësisë.

Prokurorët kanë kërkuar dënimin maksimal prej 45 vjetësh burg për Thaçin dhe për tre ish-krerët e UÇK-së, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Thaçi përballet gjithashtu me një gjykim tjetër për pengim në çështjen e administrimit të drejtësisë, aktakuzë kjo e ngritur nga Specialja në fund të vitit 2023, gjykimi për këtë çështje do të nisë më 27 shkurt.

Përveç Thaçit, edhe Veseli, Krasniqi dhe Selimi kërkuan të mërkurën, në fjalën përfundimtare, që të shpallen të pafajshëm, duke ia potencuar trupit gjykues se e gjithë beteja e tyre ishte bërë për lirinë e Kosovës.

Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998-1999, Veseli udhëheqës i shërbimit të inteligjencës së UÇK-së, Krasniqi zëdhënës, ndërsa Selimi pjesë e shtabit të përgjithshëm. Të katërtit mbajtën pozita të rëndësishme edhe në institucionet e vendit. Thaçi në kohën kur u ftua nga Specialja ishte president, Veseli kryetar i Kuvendit, Krasniqi kryeparlamentar, ndërsa Selimi deputet.

Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk donin të merrnin pjesë në luftime.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *