Rubio ushtron presion të fshehtë mbi Kubën e Raul Castros
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, po zhvillon bisedime të fshehta me nipin dhe kujdestarin e liderit historik kuban Raul Castro, ndërsa administrata e Donald Trump shton presionin mbi regjimin në Havanë, raportoi Axios.
Sipas tre burimeve të cituara nga media amerikane, Rubio ka komunikuar drejtpërdrejt me Raul Guillermo Rodriguez Castro, i njohur si “Raulito”, duke anashkaluar kanalet zyrtare të qeverisë kubane.
Ky zhvillim sugjeron se Washingtoni e konsideron ende 94-vjeçarin Raul Castro si vendimmarrësin real në ishull.
“Diskutime për të ardhmen”, jo negociata formale
Një zyrtar i lartë i administratës Trump i tha Axios se kontaktet nuk janë “negociata” në kuptimin klasik, por diskutime mbi të ardhmen e Kubës. Sipas tij, qëndrimi i SHBA-ve mbetet i qartë: “Regjimi duhet të largohet”, por forma që do të marrë një tranzicion i mundshëm mbetet në dorën e presidentit Trump.
Ekipi i Rubios e sheh 41-vjeçarin Raulito dhe rrethin e tij si përfaqësues të një brezi më të ri, me orientim më pragmatik dhe biznesor, që e konsideron modelin komunist të dështuar dhe është i hapur ndaj afrimit me SHBA-të.
Kuba në krizë të thellë
Pas 67 vitesh sanksionesh amerikane dhe menaxhimi të dobët ekonomik, Kuba përballet me një krizë të rëndë humanitare: rrjeti energjetik është në kolaps, spitalet kufizojnë operacionet, ndërsa mungesat e ushqimit dhe karburantit po thellohen. Turizmi është në rënie dhe infrastruktura urbane po degradohet.
Situata u përkeqësua pas operacionit amerikan kundër liderit venezuelas Nicolas Maduro më 3 janar, i cili sipas zyrtarëve amerikanë tronditi establishmentin kuban, duke sinjalizuar epërsi të qartë ushtarake të SHBA-ve.
Megjithatë, vendimi i Washingtonit për të lënë në pushtet figura të tjera kyçe në Karakas, përfshirë zëvendëspresidenten Delcy Rodriguez, u interpretua si gatishmëri për marrëveshje selektive, jo domosdoshmërisht për rrëzim total të regjimeve.
Anashkalimi i udhëheqjes zyrtare
Rubio nuk ka zhvilluar bisedime me presidentin zyrtar të Kubës, Miguel Díaz-Canel Bermúdez, i cili në Washington shihet si një kukull e Partisë Komuniste, pa autonomi reale për të negociuar ndryshim strategjik.
Qeveria kubane mohoi ekzistencën e një dialogu të nivelit të lartë me SHBA-të, duke pranuar vetëm “shkëmbime mesazhesh” sporadike.
Çfarë pritet?
Analistët paralajmërojnë se një tranzicion në Kubë do të jetë shumë më kompleks se sa në Venezuelë, për shkak të mungesës së një opozite të konsoliduar dhe ekonomisë së centralizuar në kolaps.
Po ashtu, çdo marrëveshje që do të lejonte pjesëtarë të familjes Castro të qëndrojnë në vend mund të shkaktojë reagim të ashpër nga komuniteti kubano-amerikan në Miami.
Presidenti Trump ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar mbi kursin e politikës ndaj Havanës. Sipas burimeve, ai po i kërkon Rubios dhe këshilltarëve të tjerë opsione konkrete, ndërsa fokusi kryesor i Shtëpisë së Bardhë mbetet zhvillimet në Iran dhe Ukrainë.
“Po flasim me Kubën tani… dhe ata duhet absolutisht të bëjnë një marrëveshje”, tha Trump këtë javë para gazetarëve në Air Force One.