“Për dy gisht kisha mbaruar punë” – Mevlan Shanaj rrëfen si u trondit Sandër Prosi: Iku në shtëpi dhe tentoi të vriste veten
Mevlan Shanaj, në librin e tij me kujtime, sjell disa detaje nga jeta e Sandër Prosit.
Kujtimet e Shanajt
Sandër Prosi!
Dua të kujtoj disa copëza jete nga artisti më i njohur i ekranit shqiptar, në këtë përvjetor të ikjes së tij.
Rolet ia njohim kaq mirë dhe janë njëri më i arrirë se tjetri. Mjafton Dhaskal Todri, xha Jaho apo Ismail Qemali e shumë të tjera, duke u kthyer deri tek Otelloja.
Këtu po kujtoj vetëm copëza jete me këtë artist të madh.
Burrin e pashëm, fisnik, të shtruar si në jetë, ashtu dhe në art, e kam parë për herë të parë në Teatrin Popullor, në rolin e shkëlqyer të Horatit.
Ajo përshtypje e mikut të besës sipas atij rolit të Shekspirit te Hamleti, më ka mbetur edhe sot për njeriun Sandër Prosi.
Horati sikur ishte shkruar enkas shumë shekuj më parë për Prosin tonë.
Në verën e vitit 1965 e pata fare pranë në oborrin e Teatrit Popullor.
Një burrë sugjestionues me cigare në gojë rrinte pranë meje. E përshëndeta.
Ma ktheu përshëndetjen duke përkulur kokën dhe duke buzëqeshur.
E kujtoj si tani! Mendoni që ishte 45 vjeç në atë kohë dhe ndjesia ime qe sikur ishte goxha burrë në moshë.
Në ato vite posterat me portretin e tij nga filmat “Detyrë e posaçme” dhe “Vitet e para” të regjisorit Kristaq Dhamo, na ishin ngulitur në mëndje.
Ishte bërë ylli i kinematografisë që në hapat e parë të karrierës së tij artistike.
Kujtoj ecjen e tij gati unike, si në një meditim gati të pandërprerë.
Vitet ikin vrushllëm në moshën studentore që isha unë.
Pas katër vitesh ishim bashkë tek filmi “I teti në Bronx” të Viktor Gjikës.
Po xhironim në atelie. Sandri ishte shumë i përqendruar gjatë provave.
Unë isha në krevat, kur futet doktor Borova dhe fillonte teksti.
Paralelisht punonte dhe grupi i xhirimit, si vendosja e kamerës, ndriçimi, zëri etj.
Ndriçuesit të hipur në dkelat e dekorit mbi tavanin e dhomës komunikonin me njëri-tjetrin.
Kjo e pengonte Sandrin dhe për të shmangur zhurmat, vuri ca pambukë në vesh.
Unë i shtrirë në krevat, si i ri 25 vjeç, duke e parë që vuri pambuk, hapja gojën dhe nuk nxirrja zë.
I bëra shenjë. Nuk po më dëgjonte, provoi të lëvizte pambukun dhe përsëri nuk po dëgjonte.
E kuptoi humorin tim dhe më erdhi pranë dhe më drejtoi gishtin, duke më thënë “Ah, qerrata”.
Qeshëm të dy dhe ky gjest më pas u bë çelësi i një miqësie të bukur në vitet që pasuan.
Gjatë xhirimeve të filmit “Guximtarët” të Gëzim Erebarës flinim së bashku në barrakat e sharrave.
Një pasdite, mes atij peizazhi malor, po bisedonim për tema të ndryshme, ndërsa ai nuk dinte ta hiqte cigaren nga buza.
I mjaftonte ndezja e parë, se më pas cigarja ndizte cigaren…
Aty më thotë: “E ke vënë re që këtej nuk e përdor këmishën e bardhë dhe rri vetëm me bluzën e tutave?”
“Jo” i them, dhe e pyes për kureshtje.
-Po pse?
“E ruaj për në Tiranë, pasi nuk kam tjetër.
Edhe pushime verore kam shumë vite që nuk kam bërë, pasi në kohën e pushimeve të teatrit vij në filma, për të marrë një rrogë plus”.
Një ditë i ndodhi një tronditje.
Ishte koha e luftës së tmerrshme kundër liberalizmit.
Ishte rregull që në orën 09:00 të behej apeli në teatër.
Sandri nuk e dëgjoi emrin. Iku me trazimin se “më paskan hequr nga teatri”.
Ishte i lodhur me idenë e frikës së asaj kohe.
Shkoi në shtëpi dhe tentoi të vriste veten.
Kur vajta në spital, më tha: “Për dy gisht kisha mbaruar punë”.
Vite më vonë ishim duke pirë kafe tek “Drini”.
Ishte një e diel me diell e fillim shkurtit.
Në atë kohë përgatiteshim për filmin “Plumba perandorit”.
Sandri ishte duke folur me fytyrë nga dera dhe ne të tjerët po ndiqnim bisedën.
Papritur Sandri ndaloi dhe nuk po fliste.
Kthejmë kokën dhe shikojmë dy vajza me nga një tufë mimozash në duar.
Njëra qe e gjatë dhe e bukur, sa ia ngriu shikimin dhe fjalën në buzë.
Vajza sikur ndjeu çdo gjë dhe erdhi me tërë atë çudi-pamje që na dhuroi, u afrua dhe i zgjati Sandrit dy degëza mimoze.
Mendoni buzëqeshjen fisnike të Sandër Prosit për gjestin fisnik të vajzës.
Atë vajzë më vonë e mora në film, për një paraqitje në një episode.
Gjatë filmit Sandri erdhi tek unë për hatër të miqësisë, për një rol karakteri, por bashkëpunimi dhe ndihmesa e tij ishin të pashlyeshme.
Një ditë futem në kafe tek pesëmbëdhjetëkatëshi.
Dukej fisnikërisht i ëmbël me njeriun që kishte në tavolinë. Ma bëri me dorë.
Vajta dhe teksa po ulesha, personi tjetër u ngrit.
Më zgjati cigarette “Partizani”, kurse unë nxora “DS”.
Qeshi dhe më tha: “Pse nuk ma respektove paqetën”?
Qeshëm. I them: “Po kenaqeshe me atë personin”?
Vuri buzën në gaz dhe më tha: “Ishte një simpatizant, që ti e di, vijnë dhe shprehin fjalë të mira. Unë nuk i kundërshtoj dot.
Por sot, në fakt kam harruar pa ndëruar baterinë e aparatit të dëgjimit dhe nuk dëgjoja asgjë.
Doja të dëgjoja vetëm veten time”.
Pas kaq vitesh kujtoj nga Sandër Prosi njeriun, i cili në çdo takim diskutonte për punën e radhës, më jepte këshilla për dramaturgjinë e filmit që do të bëja.
Nga violin që kishte studiuar, Sandrit i kishte mbetur shpirti delikat.
Të dëgjonte me vëmëndje dhe më pas me qetësi të pyeste.
Nuk kam rastisur njeri të dytë në jetë, që ta respektojë bashkëbiseduesin si ai.
Legjendë e gjallë që edhe pask kaq vitesh, është këtu mes nesh.
Në atë ditë marsi erdhi lajmi për ikjen tragjike të burrit më fisnik e më të famshëm të ekranit shqiptar.
Askush nuk di të thotë si ndodhi aksidenti i ikjes së tij.
Pas ka mbetur vetëm imazhi i burrit të bukur, të mençur dhe të urtë, që kishte lindur për ekranin, pa menduar se si do të ishte çasti fatal.
Sandri iku në mënyrë më të dhimbshme, veç 65 vjeç.
Sa i ri. Humbje kombëtare!
Thuaje.al