Hashim Thaçi në Hagë: U ktheva në Kosovë se po shfarosej familja dhe populli im. Jam krenar dhe nuk bëhem pishman
Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi mbajti fjalën e tij para Gjykatës Speciale, në përfundim të prezantimit të mbrojtjes. Ai ka thënë se u kthye nga Perëndimi në Kosovë, për të mbrojtur familjen dhe popullin e tij nga regjimi i Millosheviçit.
Përpara trupës gjykuese, në prani të përfaqësuesve të Prokurorisë Speciale, Hashim Thaçi tha se ndryshe nga akuza, ai e kishte përdorur zërin e tij për të sjell paqe e liri në Kosovë, ashtu siç e kishin porositur bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe NATO.
“Është rastësi dhe fat që disa prej nesh sot jemi gjallë. Unë u ktheva në atdhe duke rrezikuar jetën time për liri dhe paqe. Pyetja që shtrohet sot është: Marrja prej kontrollit prej kujt? Kush?”, u shpreh ai, duke ju përgjigjur akuzës se u kthye në Kosovë për të marrë kontrollin, e jo për të shpallur Pavarësinë.
“Pushteti ishte në duart e Sllobodan Milloshevuiçit. Shqiptarët nuk ushtronin pushtet, është paradoksale. Ata shtypeshin nga pushteti i Millosheviçit. Misioni ynë ishte i qartë: Mbijetesa, liria dhe paqja”, shtoi ai, duke theksuar se ishte fat që ai dhe disa ish-luftëtarë të UÇK-s ishin gjallë.
Pjesë nga fjalimi i Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale, në Hagë:
Regjimi i Milloshevicit më kishte ndjekur dhe më kishte dënuar në mungesë, me arsyen se kisha shkelur ligjin e tij. Më vonë, i njëjti ligj dënoi Presidentin Klinton, Sekretaren Albright, etj. Dënime në mungesë. Duke i parë masakrat ndaj popullit tim, unë dhe shumë të tjerë, nuk mund të qëndroja indiferent. Vendosa të kthehem në Kosovë në pranverë 1998.
Nuk mund të qëndroja anash ndërsa familja dhe populli im përballej me shfarosje. Për këtë jam shumë krenar dhe nuk i bie pishman asnjëherë.
Të nderuar gjyqtarë, Prokuroria pretendon se qëllimi ishte marrja dhe kontrolli i Kosovës, kjo jo vetëm që është e pavërtetë, por edhe thellësisht ofenduese për kujtimin e mijëra dëshmorëve që dhanë jetën për liri. Është ofendim për dhjetëra mijëra viktima të masakrave, është e padrejtë edhe për përpjekjet NATO-s me të cilët unë bashkëpunova ngushtë.
Të nderuar gjyqtarë, më lejoni të përsëris një të vërtetë të përjetshme: I vetmi kundërshtar i imi, i Kosovës dhe botës demokratike, ishte Sllobodan Millosheviçi.
Është e rëndë ta dëgjosh këtë akuzë kur gjatë luftës unë nuk e dija që do isha gjallë prej orës në orë. Nuk isha i sigurt që do e shihja më familjen time. Jo më të merrja kontrollin e Kosovës, e cila ishte e pushtuar prej 90 vitesh.