Kriminelët e SPAK, që merren me njerëzit punëtorë
Drejtoresha e AKSH-it, Mirlinda Karçanaj, e cila është përgjegjëse për skandalin më të madh të bërë publik ndonjëherë në zyrat e shtetit shqiptar, vinte e para dhe ikte e fundit nga puna, tha kryeministri Edi Rama një ditë më parë.
Ai shprehu pikëllim për fatin e saj.
“Jam i pikëlluar për gjithçka ajo që po kalon, në radhë të parë për agresionin barbar të portaleve dhe të rrjeteve të dhunës verbale që e asociojnë me gjëra të cilat nuk kanë asnjë lidhje me Mirlindën.
Edhe në këtë rast unë nuk futem në meritën e çështjes në fjalë, nuk kam dijeni për detaje që lidhen me aktivitetin e atyre kompanive të përfshira në një hetim, por unë kam dijeni për faktin që Mirlinda është një nënë e vetme me dy fëmijë, ka një karrierë nga më të shkëlqyerat në shërbimin publik”, tha Rama për Karçanajn.
Por nga hetimet e deritanishme, ajo rezulton si bashkëpunëtore e ngushtë e Ergys Agasit.
Ajo raportohet se vepronte nën ndikimin e tij në përcaktimin e fituesve të tenderëve.
Karçanaj rezulton të jetë një ndër vizitoret më të shpeshta në zyrën private të Ergys Agasit, ku ai i thërret edhe “o ti, zemra!”
Vetëm për Ramën, ajo ishte një vajzë punëtore!
Ashtu si Erion Veliaj, që shfaqej në tre vende njëkohësisht: Duke mbjellë pemë në Tiranë, duke u marrë me rindërtimin e Ukrainës dhe duke shpërndarë supë në qendrat sociale.
Vetëm këtu ndodh që të burgosen njerëz vetëm se punojnë shumë.