Edi Rama në “Botën e Çudirave”
Nga Johana Lubonja
Kjo intervistë e drejtpërdrejtë dhe kritike me sociologun dhe diplomatin Fatos Tarifa sjell një lexim të ashpër mbi figurën dhe stilin e qeverisjes së Kryeministrit Edi Rama, në kontrast edhe me ish-kryeministrin Sali Berisha.
Në prag të botimit të librit të tij të ri, Tarifa ndalet te metamorfoza e pushtetit, raporti me korrupsionin, sjellja politike dhe mënyra si ndërtohet imazhi ndërkombëtar i lidershipit shqiptar — përfshirë edhe vizitat në Uashington dhe raportin me Presidentin Donald Trump.
Intervista që vijon ofron një këndvështrim analitik, polemizues dhe pa doreza mbi pushtetin, përgjegjësinë dhe “shitjen” politike të suksesit.
Ish-ambasador i Shqipërisë në SHBA, Tarifa jep gjithashtu një parashikim të detajuar për vizitën e kryeministrit në Uashington, duke shpjeguar natyrën e ftesës, formatin e takimeve, nivelin e kontakteve që pritet të zhvillohen dhe kufijtë realë të kësaj vizite në raport me marrëdhëniet dypalëshe. Ai analizon se kë mund të takojë Rama, çfarë peshe kanë këto takime dhe si pritet të paraqitet politikisht kjo vizitë për publikun shqiptar.
Z. Tarifa, mësuam se këto ditë del nga shtypi një libër i ri juaji, “Time Over”, botim i gazetës Dita. Ai përmban një sërë kritikash të ashpra ndaj z. Berisha. Nuk do ju pyes për të, pasi ende nuk e kam lexuar, por dua t’ju pyes se si i shihni ju z. Berisha dhe z. Rama në rolet e tyre si politikanë dhe si kryeministra (Berisha dje, Rama sot).
Kjo pyetje e shkurtër kërkon një përgjigje të gjatë. Shkurt mund të them: Rama është “a horse of a different color”.
Ç’doni të thoni me këtë?
Ju thashë, t’i krahasosh këta dy njerëz si politikanë kërkohet mjaft kohë dhe kjo intervistë nuk e mundëson këtë. Unë kam shkruar një libër dhe dhjetra artikuj për secilin prej tyre dhe nuk kam mundur t’i them të gjitha.
Atëherë po ju pyes për z. Rama. Ju keni qenë kohët e fundit një zë i fortë kritik ndaj tij. Pse?
Qëndrimi im kritik ndaj kryeministrit mund të shpjegohet me metamorfozën e vetë z. Rama si kryeministër. Do të thoja kjo nisi aty nga fillimi i mandatit të tij të tretë.
Çfarë ndryshoi?
Kryeministri u bë më arrogant dhe më autoritarist. Shpërfillës ndaj kujtdo që mendon ndryshe.
Prof. Pëllumb Xhufi thotë se z. Rama është një kryeministër që ka një projekt. Ju si mendoni.
Prof. Xhufi thotë një të vërtetë. Ndryshe nga z. Berisha, kryeministri i sotëm ka një projekt, një projekt europian për Shqipërinë, por ky projekt historik duket se është penguar dhe vazhdon të pengohet nga sjellja joeuropiane e qeverisë sonë dhe e vetë kreut të saj.
Ç’doni të thoni me këto fjalë? Shumë njerëz mendojnë se z. Rama ka qenë më i suksesshëm dhe më i pëlqyer në Europë sesa brenda vendit.
Pikërisht këtë thashë. Një sjellje europiane do të ishte ajo kur punët e kryeministrit bëhen në dobi të popullit të vet, jo për sytë e Europës.
Çfarë, sipas jush, e shpjegon metamorfozën e z. Rama?
Pushteti absolut që ka marrë në duart e veta, nënshtrimi i parlamentit ku, përmes kartonëve të deputetëve socialistë, kryeministri dominon edhe pushtetin legjislativ.
Ç’mund të thoni për korrupsionin në qeverinë e tij.
Korrupsioni është problemi më i madh në qeveritë që ka drejtuar z. Rama. Si kryeministër, ai mban përgjegjësi politike e morale të drejtpërdrejtë për të gjitha skandalet korruptive të ministrave të tij. Korrupsioni, ndoshta, do të përcaktojë edhe fatin politik dhe trashëgiminë politike të tij.
Dhe rasti i znj. Balluku?
Qëndrimi i z. Rama ndaj rastit të saj është tërësisht i pajustifikuar, pavarësisht pretendimeve të tij. Meqë më pyetët për Europën, në Europë nuk mund të ketë kryeministër që vë një bast politik kaq të rëndë në mbrojtje të ndonjë prej ministrave të tij. Siç nuk mund të ndodhë që një ministër në hetim penal për akuza kaq të rënda, si këto ndaj znj. Balluku, të mos japë dorëheqjen nga detyra.
Duket (dhe flitet shumë së fundmi) se aksionet e z. Rama në Europë kanë rënë. No Davos. No Munih. Ju çfarë mendoni?
Nuk kam një përgjigje të informuar për këtë.
Por ai shkon tani në Uashington, i ftuar nga Presidenti Trump. Ç’rëndësi ka kjo vizitë?
Nuk jam nihilist, por realisht mendoj se, një vizitë kolektive në Uashington e përfaqësuesve nga rreth 20 vende të botës, që kanë zgjedhur të jenë në Bordin e Paqes, nuk përbën ndonjë ngjarje me rëndësi të veçantë për marrëdhëniet dypalëshe mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
Një vizitë në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë dhe një takim i kryeministrit shqiptar me Presidentin Trump po thoni se nuk janë një ngjarje e rëndësishme për Shqipërinë?
Një vizitë si kjo po, nuk është. Nuk është një vizitë shtetërore, as një vizitë zyrtare e tij, por një vizitë zyrtare pune. Z. Rama, si shumica e atyre që janë ftuar në atë takim, do të jetë thjesht pjesë e një kori që e dirigjon z. Trump dhe do këndojnë muzikën e tij. Ai takim është një ngjarje për z. Trump, jo për të ftuarit e tij. “A show by the king and of the king”.
Por a do të ketë z. Rama mundësi të diskutojë tête-à-tête me z. Trump?
Nuk e di se ç’protokoll do të ketë ai takim i z. Trump me anëtarët e Bordit të Paqes, por nuk besoj se ai do u japë kënaqësinë të gjithëve të flasë kokë më kokë me çdonjërin prej tyre. Me ndonjë ose me disa po, por nuk mendoj si z. Rama bën pjesë ndër ta. Kur në maj 2001, Presidenti Bush takoi në Shtëpinë e Bardhë Ilir Metën, në atë kohë kryeministër, ai nuk e dinte se kryeministrin i cilit vend po takonte.
Po a do të ketë takime të rëndësishme në Uashington z. Rama?
Këtë pyetje mund t’ia bëni ambasadorit tonë në atë kryeqytet. Unë besoj se z. Rama do të ketë mundësi të takohet në nivele të larta në Departamentin e Shtetit, si edhe me ndonjë anëtar të Senatit apo të Dhomës së Përfaqësuesve. Do të habitesha shumë nëse nuk ndodh kështu. Ah, po. Do mund të takohet sërish edhe me kryeministrin izraelit Netanyahu.
Dhe si do ua shesë z. Rama këtë vizitë në Uashington qytetarëve shqiptarë?
Më shumë se një politikan, z. Rama është një “salesman” shumë i mirë. Ai do dijë ta shesë vizitën e tij si një vizitë në Wonderland.