“Po të pa Mehmeti, ta fik cigaren në ballë” – Historia e Edi Luarasit, femra rebele dhe më moderne e Tiranës
Nga Mitro Çela
Edi Luarasi!
Lindi në Tiranë, në vitin 1940.
Në vitet ‘50-73 ishte një nga femrat më të famshme në Shqipëri. Seksi. Rebele. Moderne. Estravagante.
E nisi karierën si kengëtare. Në skenën e estradës këndoi me motrën. Dhe “Motrat Mirdita”- në Tiranë – si “Motrat Kesler” në Gjermani e Itali.
La këngën për teatrin.
Një ditë u fut në hollin e hotel “Dajti”. Pa një djalë.
E tërhoqi bukuria? Jo. Mënyra si kishte lidhur shallin.
Ishte Mihallaq Luarasi. Sa ishte kthyer nga Budapesti. Ishte regjisor.
Kur Edi e kishte harruar, Mihallaqi shkoi ne estradë. E ftoi Edin të luante në skenë…Disa herë…Ai e nxiti të vazhdoi shkollë për aktore.
Një ditë ajo e ftoi në shtëpi. E ëma e pyeti:
-Je i zoti ta bësh zap Edin?!
Martesa. Dy fëmijë: djalë e vajzë.
Dhe erdhi lumturia në qiellin e 7-të. Viti 1969.
Festival i teatrove kombëtar në Tiranë.
Kujton Edi:
-Kryeministri Mehmet Shehu e pëlqeu dramën “Njolla të murme”. Shtroi një darkë për trupën e teatrit në Shtëpinë e Oficerëve.
-Vendi im? Në krah të Mehmet Sheut! Më zunë ethet.
-Çfarë ke?-Më pyeti ministri i Shëndetësisë Llambi Ziçishti.-Ishte aty. Ruante nga helmimi kryeministrin.
-Nuk mund të rri pa pirë cingare.
-Mos! Po të pa shoku Mehmet duke pirë, ta shuan cingaren në lule të ballit?!
-Zgurdullova sytë…
Pas 4 viteve burri im u dënua me 8 vite burg. Pas 12 viteve: kryeministri vrau veten. Ministri Llambi Ziçishti u pushkatua.
Ironi e fatit?!
…Burri në burg. Edi në shtëpi. Me dy fëmijë. Punonte në rrobaqepsinë ushtarake. Pak para.
(Herë pas here i vinte një zarf. Pa adresë. Brenda asnjë shënim. Vetëm lekë. Enigmë. Në vitin 2000 krejt rastësisht më thotë Bebi Kristidhi:
-Zarfet i dërgoja unë! Me frikë, zarfin e hidhja në një kuti poste larg shtëpisë.
Gjeti një makinë. Qepte me “lepurin në bark” në shtëpi. Puna private ishte herezi.
Nga puna “makina u lodh”. Ju këput një vegël. Gjeti një usta. E rregulloi.
-Sa lekë?
-Nuk dua para. Kur të luash në teatër dua dy bileta falas.
Profecia e ustait u bë realitet. Në vitin 1992 Edi Luarasi u kthye në teatër…