28 Mars, 2026

Kanakarja e Vlorës, mercenarja pa përvojë që propozon ligje me porosi

 Kanakarja e Vlorës, mercenarja pa përvojë që propozon ligje me porosi

Nga Irena Beqiraj

Atelies së maxhorancës ku qepen ligje me porosi i është shtuar Zamira, e cila pa u menduar dy herë propozon që ligji 9710 i vitit 2007 për portet turistike në Republikën e Shqipërisë të ndryshojë .

Zamira shkruan në relacionin e projektligjit :

“Ligji 9710 parashikon një rregull të përgjithshëm, realizimin e porteve turistike sipas rregullave konkurruese koncesionare ndërsa Ligji për Investimet Strategjike përcakton proçedura të veçanta administrative ”

Ndaj deputetja e re që nuk ka ngrohur akoma karriken, e sheh me vend që të ndryshojë Ligji 9710 i cili kerkon që ndërtimi edhe operimi i  porteve turistike të jepen me proçedurë konkurruese, duke propozuar që të përjashtohen nga ky rregull edhe të jepen pa garë portet që  janë pjesë e investimeve strategjike.  Sipas Zamirës mbivendosjet midis dy ligjeve  shkaktojnë vonesa.

Që Zamira të mos i njoh ligjet nuk është mëkat, është e re në detyrë  por,  të mos i lexojë ato para se të propozojë ndryshime me firmën e saj, është e dhimshme.

E para, Zamira duhet të ketë dëgjuar që ligji për Investimet Strategjike eshtë i përkohëshëm dhe shtyrja e  afatit të  tij 6 herë ka qënë pjesë e shqetësimeve nga partnerët ndërkombëtarë si tregues i mungesës së mirëqeverisjes.

Thënë këtë,  në fillim të 2026 të  propozosh që një ligj i përhershëm si ai  i ndërtimit edhe operimit të porteve turistike të ndryshojë e ti përshtatet  një ligj të përkohshëm  që përfundon në  Dhjetor 2026 , duket jo racionale edhe jo logjike.

E dyta, po ta kishte lexuar ligjin për Investimet Strategjike do të kishte lexuar  nenin 17 të tij i cili thotë:

“Kur legjislacioni në fuqi parashikon zhvillimin e procedurave konkurruese/tenderuese/ konçesionare vetëm pas përzgjedhjes së subjektit fitues të garës dhe nëse projekti i propozuar përmbush kërkesat e këtij ligji, Agjencia, në bashkëpunim me institucionet/entet përgjegjëse për investimin strategjik, sipas fushave të përgjegjësisë, vlerëson projektin e propozuar dhe i propozon Komitetit të Investimeve Strategjike miratimin e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë”.

E pra ligji i Investimeve Strategjike është i qartë edhe përcakton se  kur investimi strategjik përfshin ndërtimin e veprave  për të cilat legjislacioni në fuqi  kërkon  proçedurë konkurruese/ tenderuese /konçensionare / vëtëm pas zgjedhjes së fituesit së konçensionit  me garë jepet statusi i investitorit . Por Zamira nuk është dakord . Ajo mendon se nëse Bamirësit të saj Kryeministrit i është mbushur mendja që të jap një investim strategjik edhe porti pjesë e tij duhet të jepet pa garë.

E treta, deputetja thotë që ky projektligj është në përputhje me vizionin e qeverisë por nuk thotë se ndryshimi i propozuar është në kundështim me kërkesat e legjislacionin europian për  të cilin ajo edhe shokët e saj zunë be e rrufe se do ta traspozonin në ligjet tona brenda 2027.

Zamirës  me shumë gjasa ja kanë dhënë të gatshëm këtë projektligj edhe si shpërblim për bamirësin që  që e vuri të dytën në listën e mbyllur  ajo duhet ta propozojë atë pa menduar dhe në papërgjegjshmëri të plotë,  edhe pse ky ndryshim haptazi lejon që portet të jepen pa garë nga Kryeministri sikur ky i fundit të ishte pronar i vetëm i pronës publike.

Nuk është kollaj të jesh kanakare , haraçi  është i rendë! Ajo do të duhet të mbetet mbresëlënëse në përpjekjen e saj për të mbetur e për tu paraqitur si mercenare, edhe ne do të paguajmë papërgjegjshmërinë e saj.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *