Arratisja e një të dënuari të profili të lartë turpëron Malin e Zi
Brenda një jave, një trafikant i dënuar droge dhe një ish-prokurore speciale i janë arratisur dënimeve me burg në Mal të Zi, duke e vënë në siklet vendin pikërisht në kohën kur ai përpiqet ta bindë Bashkimin Evropian për kredencialet e tij në sundimin e ligjit.
Nga Predrag Milic
Gjithçka ishte në rregull herën e fundit kur policia kontrolloi Milos Medenicën, në orën 17:30 më 27 janar. 39-vjeçari, djali i ish-kryetares së Gjykatës Supreme të Malit të Zi, ndodhej në adresën ku ishte mbajtur në arrest shtëpiak që nga 18 tetori i vitit të kaluar.
Të nesërmen në mëngjes, Gjykata e Lartë në Podgoricë e dënoi atë me 10 vjet e dy muaj burg për vepra penale të krimit të organizuar, kontrabandë, ndikim të paligjshëm dhe pengim të drejtësisë.
Medenica nuk ishte i pranishëm, siç ishte e drejta e tij. Por kur policia shkoi në shtëpinë e tij pa dhënies së vendimit, ai nuk ndodhej më aty.
Një javë më vonë, Lidija Mitroviç, një ish-prokurore speciale e shtetit, nuk u paraqit për të nisur vuajtjen e një dënimi prej shtatë muajsh burg për shpërdorim detyre. Edhe ajo u arratis.
Fakti që dy të dënuar kaq të profilit të lartë mundën thjesht të largoheshin përbën një turp të madh për organet e rendit dhe drejtësisë në Mal të Zi, pikërisht në kohën kur vendi përpiqet ta bindë Bashkimin Evropian se po e merr nën kontroll krimin e organizuar dhe korrupsionin që lulëzuan në dekadat pas shpërbërjes së Jugosllavisë federale.
Dhe ata nuk janë të parët.
Sikur të mos mjaftonte kjo, policia, gjykatat dhe qeveria kanë shkëmbyer akuza publikisht në televizionin kombëtar. Presidenti Jakov Milatoviç i ka bërë thirrje kryeministrit Milojko Spajiç të shkarkojë të gjithë të përfshirët, ndërsa Spajiçi i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme një shpjegim.
OJQ-ja kundër korrupsionit MANS vuri në dukje se seanca për shpalljen e dënimit të Medenicës ishte paralajmëruar të paktën 24 orë më parë.
“Ky rast duhej ta përmirësonte bilancin e Malit të Zi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha MANS në një deklaratë. “Ishte e arsyeshme të pritej mbikëqyrje e shtuar, veçanërisht në prag të shpalljes së vendimit.”
Shkëmbime akuzash
Medenica kishte kaluar tashmë tre vjet në paraburgim, pasi ishte inkriminuar për krim të organizuar pas një operacioni evropian për zbërthimin e aplikacionit të koduar të mesazheve Sky ECC.
Sipas transkripteve të publikuara nga Europol, Medenica e përdorte aplikacionin për të organizuar blerjen e sasive të mëdha të kokainës, për të kontrabanduar cigare nga porti i Tivarit, për të negociuar transportin e marijuanës drejt Vjenës dhe për të lehtësuar tranzitin nëpër Mal të Zi të një anëtari të dyshuar të grupit ndërkombëtar të grabitjeve “Panterat Rozë” (Pink Panthers).
Ai përfshiu edhe të ëmën e tij, pasi në mesazhet në Sky ishte mburrur se ajo do ta mbronte atë dhe bashkëpunëtorët e tij.
Në të njëjtën ditë kur u dënua i biri, Vesna Medenica, dikur figura më e fuqishme e gjyqësorit në Mal të Zi, u dënua gjithashtu me 10 vjet burg për ndikim të paligjshëm dhe u gjobit me 50,000 euro.
Rasti i familjes Medenica ishte paraqitur si dëshmi e gatishmërisë dhe kapacitetit të vendit për t’u përballur me krimin e organizuar dhe korrupsionin e rrënjosur thellë, pas rënies në vitin 2020 të Partisë Demokratike të Socialistëve, e cila e kishte drejtuar Malin e Zi si një pronë private për tri dekada.
Presidenti Jakov Milatoviç e quajti arratisjen e djalit të Medenicës një “skandal të paprecedentë”.
“Nëse në ditën e shpalljes së dënimit nuk e dini se ku ndodhet një bos i dënuar i krimit të organizuar, atëherë nuk po luftoni krimin e organizuar – është krimi i organizuar ai që po e kontrollon sistemin”, tha ai.
Shefi i policisë Lazar Scepanoviç refuzoi të japë dorëheqjen, duke fajësuar në vend të kësaj Gjykatën e Lartë për mosshpalljen e vendimit para se Medenica të lirohej nga paraburgimi dhe të vendosej në arrest shtëpiak në tetor 2025.
Ai bëri thirrje që Vesna Medenica të merrej në paraburgim, megjithëse vendimi dhe dënimi ndaj saj nuk janë ende të formës së prerë dhe mund të apelohen. Ajo mbetet në arrest shtëpiak.
“Para se të jap dorëheqjen, Milos Medenica do të detyrohet të dorëzohet vetë që të nxjerrë nënën e tij nga paraburgimi”, tha Scepanoviçi.
Por duke u shfaqur së bashku me Scepanoviçin në TV Vijesti më 5 shkurt, kryetari i Gjykatës së Lartë, Zoran Radoviç, tha se policia ishte kapur në befasi. “Nëse do ta kishit siguruar ndërtesën një ditë më parë, Milos Medenica do të ishte në paraburgim”, tha ai.
Scepanoviçi argumentoi se policia nuk kishte autoritet ligjor për ta ndaluar Medenicën pa një urdhër gjykate, edhe nëse ai do të kapej duke tentuar të arratisej. Radoviçi e hodhi poshtë këtë dhe ministri i Drejtësisë Bojan Bozoviç u pajtua: “Policia nuk mund të rrijë thjesht duarkryq duke parë dikë teksa largohet nga arresti shtëpiak.”
Për ta përkeqësuar edhe më shumë këtë gjë, disa ditë pas zhdukjes së Medenicës, në internet u shfaqën video që dukeshin dhe tingëllonin si ai, duke tallur institucionet shtetërore dhe duke sfiduar Scepanoviçin.
Policia i hodhi poshtë shpejt videot si “deepfake” të krijuara nga inteligjenca artificiale, por OJQ-ja Qendra për Tranzicion Demokratik tha se ekspertët që ajo konsultoi nuk arritën të përcaktonin nëse ishin autentike apo produkt i IA-së.
Më pas, të enjten në mbrëmje, një person që pretendonte se ishte Medenica telefonoi në një emision politik të njohur në TV Vijesti, ku merrnin pjesë ministri i Brendshëm i Malit të Zi Danilo Saranoviç, paraardhësi i tij Filip Adziç dhe Mihailo Andjusiç, deputet i opozitës nga DPS.
Telefonata erdhi gjatë një pauze reklamash dhe më pas u transmetua gjatë edicionit informativ që pasoi emisionin.
Ajo zgjati më pak se një minutë, gjatë së cilës personi që pretendonte se ishte Medenica i përshëndeti “të gjithë në studio” dhe tha se dëshironte t’i jepte fund spekulimeve se inteligjenca artificiale kishte folur në emrin e tij.
Policia dhe gjykatat të dyja fajtore
Në të njëjtën ditë me përplasjen e transmetuar në televizion, Mitroviçi, ish-prokurorja, nuk u paraqit për të nisur vuajtjen e dënimit me burg pasi u shpall fajtore për shkelje në një çështje evazioni fiskal me vlerë shumë miliona euro.
Në një letër të hapur, Mitroviçi tha se ishte e pafajshme dhe akuzoi Kryeprokurorin Special Vladimir Novoviç se kishte orkestruar “përndjekjen” e saj.
“Nuk kam bërë kurrë asgjë të paligjshme në karrierën time 25-vjeçare, qoftë si gjyqtare apo si prokurore speciale e shtetit”, shkroi ajo.
Të tjerë kanë vepruar njësoj, më së shumti Svetozar Maroviç, presidenti i parë dhe i fundit i bashkimit shtetëror jetëshkurtër të Serbisë dhe Malit të Zi, i cili u dënua së bashku me të birin në vitin 2016 për përvetësimin e dhjetëra milionë eurove para publike. Babë e bir arritën marrëveshje pranimi faji, por më pas u larguan drejt Serbisë para se të përfundonin pas hekurave.
Për shumë malazezë, arratisjet e fundit përforcojnë bindjen e kahershme se të dënuarit e profilit të lartë ende mund t’i shmangen drejtësisë.
“Rreziku i arratisjes ishte i qartë, sidomos në ditën e shpalljes së dënimit”, tha Veselin Raduloviç, avokat dhe analist ligjor. “Policia dështoi në aspektin operacional dhe taktik për të siguruar vendndodhjen.”
Ai kritikoi gjithashtu qeverinë për mosadresimin e mungesës kronike të pajisjeve të monitorimit elektronik që zakonisht përdoren për të mbikëqyrur personat në arrest shtëpiak.
Scepanoviçi, shefi i policisë, e theksoi edhe këtë në mbrojtjen e tij, duke e krahasuar situatën me “ngarjen e një traktori në autostradë”.
Velimir Rakoceviç, profesor i drejtësisë dhe kriminolog, tha se më shumë se policia, fajin e kishte gjykata.
“Nëse gjykatat do të kishin dhënë vendime brenda afateve të arsyeshme, kjo situatë nuk do të kishte ndodhur”, tha Rakoceviçi për BIRN. Kompetencat e policisë janë të kufizuara kur bëhet fjalë për arrestin shtëpiak, shtoi ai.
Procesi i anëtarësimit të Malit të Zi në BE ka marrë hov që nga largimi nga pushteti i DPS-së dhe veçanërisht që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, i cili e shtyu bllokun të veprojë për të siguruar ndikimin e tij në Ballkanin Perëndimor.
Megjithatë, sundimi i ligjit mbetet thelbësor.
“Ndërsa nuk do të komentojmë raste specifike, theksojmë se sigurimi i një administrimi efektiv dhe të besueshëm të drejtësisë është element thelbësor i sundimit të ligjit dhe një kriter kyç në procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në BE”, tha për BIRN Delegacioni i BE-së në Mal të Zi.
“Autoritetet duhet të garantojnë garanci të forta ligjore dhe procedurale për zbatimin e vendimeve gjyqësore, si dhe bashkëpunim të qetë dhe efikas ndërmjet organeve gjyqësore dhe atyre të zbatimit të ligjit. Kuadri aktual ligjor i Malit të Zi e parashikon këtë.”