Rama: Belinda Balluku ma ka dorëzuar tre herë dorëheqjen, ja kam refuzuar unë
Kryeministri Edi Rama tha në mbledhjen e grupit të PS, se Belinda Balluku i dorëzuar tre herë dorëheqjen, por nuk është pranuar nga ai, pasi nuk mund të dorëhiqej nën presionin e një fuqie që është futur në pavarësinë e ekzekutivit, duke iu referuar pushtetit gjyqësor.
“Sa i përket rastit konkret, ky është një tjetër proces. Belinda Balluku ma ka dorëzuar tre herë dorëheqjen. I kam atje në dosje. Tre herë. Një herë kur iu ngrit akuza. Një herë kur iu bë pezullimi i parë dhe herën e tretë kur Gjykata nuk mori vendim.
Kam qenë unë që ia kam refuzuar dorëheqjen. Sepse dorëheqje nën presionin e një fuqie që ka dalë nga territori i vetë dhe është futur në territorin e pushtetit ekzekutiv nuk ka.
I jam falenderues për faktin që nuk ka persistuar, por ka vazhduar të marrë gjithë atë baltë në fytyrë, sepse unë nuk e pranoj dorëheqjen deri sa të plotësohen kushtet.
Dhe kur plotësohen kushtet nuk e përcakton dot as prokurori, as gjykatësi i seancës paraprake, as media dhe as gjyqi popullor”, tha Rama.
Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku u prezantua nisma që prek kodin e procedurës penale për mbrojtje të 7 institucioneve nga pezullimi i detyrës, tha se mandati i Belinda Ballukut do të trajtohet me përgjegjësi nga shumica qeverisëse.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë u shpreh se Belinda Balluku i ka paraqitur tre herë dorëheqjen, ndërsa theksoi se ndryshimet ligjore në kod nuk kanë lidhje rastin e Belinda Ballukut.
Kryeministri deklaroi se Parlamenti do të shprehet për imunitetin e Belinda Ballukut dhe më pas pas do të votohen ndryshimet ligjore.
Rama kishte edhe një mesazh drejtësinë: “Nuk duhet ti shkojë në mend askujt që me fuqinë e prokurorit dhe verbërinë e gjykatësit të marrë peng një funksion kushtetues”.
“Duke e mbyllur dua të them që nisma thjesht dhe vetëm adreson një…juristët e quajnë boshllëk, unë them një problem që nuk duhet të shfaqet më. Nuk duhet ti shkojë në mend askujt që me fuqinë e prokurorit dhe verbërinë e gjykatësit të marrë peng një funksion kushtetues.
Ndërsa rasti konkret është një proces në Kuvendin e Shqipërisë dhe do trajtohet me përgjegjësinë që ne kemi si shumicë qeverisëse. Kush i lidh këto të dyja edhe në aspektin kohor, nëse nuk gaboj në llogarinë e kohës, parlamenti do të shprehet më para për imunitetin dhe më pas do të kojë në votë ky ndryshim. Kështu që nuk ka lidhje me rastin konkret”, tha Rama.