Edi Rama është një sundimtar i aftë
Nga Redi Muçi
Është i aftë sepse ai di të përdorë parimin e kahershëm “përça e sundo”.
Sot në takimin me banorët e Durrësit, të cilëve do t’u shkatërrohen shtëpitë për të ndërtuar kulla e veliera nga projekti TID, Edi Rama nuk bashkëbisedoi. Ai negocioi kushtet e dorëzimit.
Në betejat e së shkuarës, pushtuesit e rrethonin qytetin dhe i detyronin ata brenda mureve që të dorëzoheshin, duke thënë se ata që dorëzohen të parët do të falen.
Këtë bëri edhe Edi Rama.
Ai nuk e vuri për asnjë moment në dyshim projektin. Pushtimi është i panegociueshëm. “Prishje do të ketë,” – tha ai, “projekti nuk do të ndalet, por duhet të ketë një verifikim për disa shtëpi që mund të kenë vlerë kulturore.”
Pra kujt sillet mirë ne do t’i njohim “vlerën kulturore” të shtëpisë.
Në çdo shoqëri demokratike do ishin zhvilluar dëgjesa publike me banorët e prekur nga ky projekt, do ishte diskutuar dëmi që u shkaktohet, do ishte debatuar dëmshpërblimi i duhur dhe zgjidhja ideale, përpara se parlamenti i qytetit – apo këshilli bashkiak – të votonte për ta bërë fakt të kryer projektin.
Asgjë nga këto nuk ka ndodhur.
Projekti u shfaq në mes të banorëve po aq papritur sa një pushtues i huaj apo një sëmundje që të troket te dera.
Dhe sot, vetëm dy ditë përpara se fadroma të “trokiste” për të shembur shtëpitë, Edi Rama shkoi për të “biseduar” termat e kapitullimit. Për të qetësuar gjakrat, kur banorët në të drejtën e tyre i kapën nga mënga e xhaketës të gjithë ata këshilltarë bashkiakë të padenjë e të pafytyrë për të ecur rrugëve të qytetit antik.
Në një shoqëri të përçarë, pa sindikata, pa shoqata banorësh, qytetarësh, profesionistësh, sundimtari e ka të lehtë të sundojë.
Në veprën e tij ‘Lufta e Peloponezit’, Tuqididi dëshmon sesi gjeneralët e fuqishëm athinas u shpjegonin melianëve të pashpresë ligjin e më të fortit: “të fortët bëjnë atë që duan, dhe të dobëtit duhet të vuajnë atë që u takon.”
Bashkimi është një instikt natyror i fituar nga njeriu, i cili përballë bishës që ka dhëmbë e thonj, mund të mbijetojë vetëm falë bashkëpunimit me të ngjashmit.
E vetmja shpresë për t’u përballur me sundimtarin Edi Rama është bashkimi kundër tij i banorëve të Durrësit, të Rrjollit, të Zvërnecit, e të çdo shqiptari tjetër që e pëson mbi lëkurë thundrën e përdhunës së këtij sundimi.