Sondazh tronditës: Perëndimi i druhet një Lufte të Tretë Botërore brenda 5 viteve
None
Një sondazh i raportuar nga Politico tregon se qytetarët në disa prej vendeve kryesore perëndimore po shfaqin një frikë në rritje për shpërthimin e një Lufte të Tretë Botërore brenda pesë viteve të ardhshme.
Sipas të dhënave të anketimit, në të gjitha vendet e përfshira – Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania – shumica e të anketuarve e konsiderojnë të mundshëm nisjen e një konflikti global deri në vitin 2031.
Ndjesia e rrezikut është rritur ndjeshëm gjatë nëntë muajve të fundit krahasuar me sondazhin e mëparshëm.
Shqetësimi është veçanërisht i lartë në Shtetet e Bashkuara, ku 46 për qind e të anketuarve besojnë se një luftë botërore është “e mundshme” ose “shumë e mundshme” brenda pesë viteve.
Në Mbretërinë e Bashkuar, 43 për qind ndajnë të njëjtin perceptim, ndërsa në Gjermani qëndrimi rezulton disi më pak alarmues krahasuar me vendet e tjera.
Në Britani, Francë, Gjermani dhe Kanada ekziston një mbështetje e konsiderueshme për rritjen e buxheteve të mbrojtjes.
Megjithatë, kjo mbështetje bie ndjeshëm kur qytetarët informohen se rritja e shpenzimeve ushtarake mund të çojë në rritje të borxhit publik, shkurtime në shërbime të tjera apo taksa më të larta.
Kjo tregon se shqetësimet ekonomike po kufizojnë hapësirën e manovrimit për qeveritë perëndimore në politikat e tyre të sigurisë.
Sipas raportimit, lufta e vazhdueshme e Rusisë në Ukrainë, si edhe zhvillimet e fundit që përfshijnë SHBA-të në Iran, Siri, Venezuelë dhe Afrikë, kanë kontribuar në rritjen e perceptimit të rrezikut global.
Më shumë se një e treta e të anketuarve në SHBA, Britani, Francë dhe Kanada besojnë se përdorimi i armëve bërthamore brenda pesë viteve të ardhshme është një skenar realist.