SHBA gati të sulmojë Iranin? Dërgon një aeroplanmbajtëse të dytë në Lindjen e Mesme
SHBA-të po dërgojnë një aeroplanmbajtëse të dytë në Lindjen e Mesme mes tensioneve me Iranin, raportuan mediat amerikane.
Aeroplanmbajtësja USS Gerald R. Ford dhe anijet e saj shoqëruese do të dërgohen në Lindjen e Mesme nga Karaibet, tha New York Times, e cila e raportoi lajmin, duke cituar zyrtarë amerikanë.
Më herët këtë javë, Presidenti amerikan Donald Trump kishte thënë se po shqyrtonte dërgimin e një aeroplanmbajtëseje të dytë në Lindjen e Mesme nëse nuk arrihet një marrëveshje me Iranin.
Aeroplanmbajtësja e parë, USS Abraham Lincoln dhe disa shkatërrues me raketa të drejtuara mbërritën në Lindjen e Mesme në janar.
Trump tha të enjten se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë një marrëveshje me Iranin dhe sugjeroi që një marrëveshje mund të arrihet gjatë muajit të ardhshëm.
“Duhet të arrijmë një marrëveshje me Iranin, përndryshe do të jetë shumë dramatike. Nuk dua që kjo të ndodhë, por duhet të arrijmë një marrëveshje”, deklaroi Trump, duke folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë.
“Nëse marrëveshja nuk është shumë e drejtë dhe një marrëveshje shumë e mirë me Iranin, atëherë do të jetë, mendoj, një moment shumë i vështirë për ta”, shtoi Trump, sipas të cilit marrëveshja duhet të arrihet ”brenda muajit të ardhshëm sepse duhet gjetur shpejt”.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të enjten se shpresonte që Trump po krijonte kushtet për të arritur një marrëveshje me Iranin që do të shmangte veprimet ushtarake.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, reagoi me një postim në X se “arritja e një marrëveshjeje për programin bërthamor është e mundur, por vetëm nëse është e drejtë dhe e balancuar. Teherani do ta mbrojë sovranitetin e vet me çdo kusht. Të drejtat dhe dinjiteti ynë nuk janë të negociueshme”.
Televizioni shtetëror iranian transmetoi një listë me shtatë politikanë dhe zyrtarë të lartë izraelitë, përfshirë Kryeministrin Benjamin Netanyahu, duke kërcënuar se do t’i godasë me sulme me dronë.
Përveç Netanyahut, lista përfshin ndër të tjerë ministrin e Mbrojtjes Israel Katz, shefin e shtabit të Forcave të Armatosura të Izraelit, Eyal Zamir, si dhe drejtuesin e Mossad, David Barnea.
U lëshua gjithashtu një kërcënim në hebraisht gjatë transmetimit: “Ne do ta përcaktojmë orën e vdekjes suaj, prisni Ababilin”, duke iu referuar dronit të prodhimit iranian.
Sipas raportimit, aeroplanmbajtësja më e madhe në botë ka marrë urdhër të niset nga Deti i Karaibeve drejt Lindjes së Mesme, ndërsa Trump po vlerëson mundësinë e ndërmarrjes së një veprimi ushtarak kundër Iranit.
Zhvendosja e USS Gerald R. Ford, e bërë publike për herë të parë nga The New York Times, do ta çojë në dy numrin e aeroplanmbajtëseve në rajon, ndërsa Trump rrit presionin ndaj Iranit për të arritur një marrëveshje për programin e tij bërthamor.
USS Abraham Lincoln ka mbërritur në Lindjen e Mesme më shumë se dy javë më parë.