28 Mars, 2026

Rriten tensionet mes Tokios dhe Pekinit, Japonia sekuestron anijen kineze

 Rriten tensionet mes Tokios dhe Pekinit, Japonia sekuestron anijen kineze

Autoritetet japoneze thanë se kanë konfiskuar një anije peshkimi kineze, që përpiqej të ikte kur iu urdhërua të ndalej për një kontroll, një veprim që mund të thellojë më tej tensionet me Pekinin.

Anija ndodhej në zonën ekonomike ekskluzive të Japonisë pranë Prefekturës Nagasaki në jug-perëndim kur u ndal dhe kapiteni i saj u arrestua të enjten, sipas agjencisë japoneze të peshkimit. “Kapiteni i anijes u urdhërua të ndalte për kontroll nga një inspektor peshkimi, por ai nuk iu bind dhe u largua“, tha agjencia.

Ky është rasti i parë që nga viti 2022 që agjencia japoneze konfiskon një anije peshkimi kineze. Kina ende nuk ka reaguar ndaj deklaratës së Japonisë. Në bord ishin 11 persona, përfshirë kapitenin, një shtetas kinez 47-vjeçar, sipas agjencisë.

Autoritetet dhe mediat japoneze e përshkruan anijen e konfiskuar si një anije me kapacitet të lartë. “Ne do të vazhdojmë të marrim masa vendimtare në aktivitetet tona të zbatimit të ligjit për të parandaluar dhe frenuar operacionet e peshkimit të paligjshëm nga anijet e huaja”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Kabinetit të Japonisë, Minoru Kihara.

Ngjarja e të enjtes ndodh në një moment kur marrëdhëniet janë të tensionuara, pas deklaratës së kryeministres japoneze, Sanae Takaichi, në nëntor, e cila nxiti zemërimin e Kinës duke sugjeruar se Japonia do të ndërhynte ushtarakisht nëse Pekini përpiqej të merrte Tajvanin me forcë.

Kina prej kohësh insiston se Tajvani, i cili ka qenë nën pushtimin japonez deri në vitin 1945, është territor i saj. Pekini nuk ka përjashtuar përdorimin e forcës për të arritur atë që e quan “ribashkim”. Në përgjigje të deklaratës së Takaichit, e cila u cilësua nga Ministria e Jashtme kineze si “e papranueshme”, Pekini thirri ambasadorin japonez dhe paralajmëroi qytetarët e saj të rishikonin udhëtimet dhe studimet në Japoni.

Kjo çoi në një rënie të ndjeshme të vizitave të turistëve kinezë në Japoni dhe një ndikim negativ në aksionet e lidhura me turizmin dhe tregtinë me pakicë. Ndërsa mosmarrëveshjet diplomatike u thelluan në fund të vitit 2025, Pekini kërkoi me insistencë që Takaichi të tërhiqte deklaratën e saj dhe Ministria e Jashtme kineze paralajmëroi Japoninë të “mos luante me zjarrin”.

BBC

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *