28 Mars, 2026

Ish-ambasadori shqiptar – komentuesve: O minj kanalesh të ujrave të zeza

 Ish-ambasadori shqiptar – komentuesve: O minj kanalesh të ujrave të zeza

Ish-ambasadori shqiptar në SHBA, Fatos Tarifa, tashmë prej vitesh analist, ka bërë një shkrim në gazetën Dita, për komentuesit e portaleve.

Ai i quan ata minj kanalesh.

Shkrimi i Tarifës

Kushdo që lexon një gazetë shqiptare online, do të verë re një çarçaf të gjatë komentesh pozitivë ose negativë për artikuj të ndryshëm. Më të shumtët janë negativë dhe më të shumtët e komenteve negativë nuk merren me problemin e shqyrtuar, po me autorin.

Në më të shumtën e rasteve, këta shkrues “komentesh” shajnë e fyejnë këdo, edhe nëse nuk e njohur fare autorin dhe s’dinë asgjë për të. Shumë herë, madje, komentojnë pa marrë mundimin as ta lexojnë atë çka shkruar ai.

E dini pse? Sepse të lexuarit është një punë rropatëse për ta, një punë shumë e vêshtirë, e stërmundimshme dhe pa vlerë. Pse të lexosh, kur edhe pa lexuar mund të shash këdo?

Me kohë unë kam krijuar profilin e komentuesve të këtij lloji dhe u drejtohem atyre, si një agregat, pra si një tërësi, të marrë kolektivisht, me këto fjalë.

Ju s’jeni në gjendje–dhe unë besoj as të interesuar– të mësoni e të dini më shumë se sa disa emra të veçantë njerëzish. Disa emra ju mjaftojnë, sepse ju vetë nuk keni një emër.

Ju, si minj kanalesh ujrash të zeza (sepse edhe portalet si të tillë kanale i keni bërë), me fëlliqësinë tuaj vetëm bëni pis dhe fëlliqni këdo që s’është si ju dhe nuk mendon si ju, fshehur pas pseudonimesh qesharakë dhe idiotë. Ju jeni Jupiteri, Vigjilenti, Orgasma, Patrioti, Trimi i maleve, Krishti, Mali, Gjithkushi dhe Askushi.

Ju e shkoni jetën tuaj kot, sepse as dini ç’të bëni me të, as jeni të zotë të bëni ndonjë gjë të dobishme për veten tuaj dhe për familjet tuaja.

Ju merreni me të tjerët, me jetët e tyre dhe me librat e tyre të shtëpisë, dhe jo me jetën tuaj dhe me mirëqenien e famijeve tuaja.

Ju s’dini as vetë se kush jeni dhe s’ka si të dini se cilët janë të tjerët, ata që ju vetë as i keni parë a dëgjuar ndonjëherë, as ua dini moshën që kanë, shkollën që kanë bërë dhe profesionin që ushtrojnë.

Ju s’dini tjetër gjë dhe s’keni aftësi e qëllim tjetër veç të bëni pis këdo që s’është si ju, një mi i qelbur kanalesh e portalesh.

Ju jeni kaq mjeranë e të vegjël, sa veç në mjerimin tuaj dhe në atë botën tuaj të vogël të kanalit të mund të merrni frymë.

Të merrni frymë, jo të jetoni, se ju, si minj kanalesh të ndotur, nuk keni as idenë më të vogël se ç’është një jetë njerëzore.

Ju keni lindur njëlloj si çdo krijesë tjetër njerëzore, por jeni shndërruar në krijesa të padenja për t’u quajtur qenie njerëzore.

Ju jeni çhumanizuar nga terri i kanaleve të ku rrini fshehur dhe vetëm merrni frymë, pa parë dritën e diellit, punët e mira që bëjnë dhe jetët e bukura që jetojnë njerëzit që s’janë si ju.

Ju vetëm urreni dhe bëni pis, si ajo kafsha që populli e ka quajtur në shqip “qelbës”. Ju jeni një koloni qelbësish që fëlliqni mjedisin ku jetojnë njerëz që janë krejt të ndryshëm nga ju.

Juve as ju do njeri, as jeni të aftë të doni njeri. Ju s’keni të dashur. Ju jeni qënie mjerane të padashuruara. Juve ju vret dashuria e të tjerëve dhe gëzimi që dashuria u jep njerëzve në jetë.

E vetmja ndjenjë që ju ushqeni–individualisht dhe kolektivisht, si një koloni qelbësish– është urrejtja për Tjetrin, për këdo. Ju jeni lloji më i shpifur i misantropëve, pasi urrejtja juaj për të tjerët buron nga urrejtja që ju keni për veten tuaj.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *